Elona Çaushi: Si arrita të sjell Chanel-in në Shqipëri

Aug 2, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Flet sipërmarrësja e njohur dhe bashkëshortja e Gjin Gjonit. Jeta që bën me gjykatësin e njohur dhe përballja me problemet
DSC_6840
Biznesin e saj të parë e ka nisur në vitin 1998. Në rrëfimet e saj, Elona Çaushi pohon se nuk bëhej fjalë për diçka të menduar mirë dhe të parapërgatitur. Ishte thjesht një ndërthurje mes rastësisë dhe fatit. Çdo fillim është i vështirë dhe sidomos kur bëhet fjalë për të filluar një aktivitet biznesi, vetëm një vit pas ngjarjeve të 97-s. Në punën e saj zonja Çaushi shpesh është përballur me pyetjet: Kush të mbështet? Si është e mundur që more licencën e parë? Ndërkohë ajo përgjigjet se padija e saj ishte në të njëjtën linjë me atë të zyrtarëve të asaj kohe, për aktivitetin që ajo kërkonte të niste, që ishte koncepti i “Duty Free”. Ky biznes u shoqërua nga të tjerë si ai i “Furla”, “Bio Gourmet” dhe së fundi me “Chanel”. Zonja Çaushi shprehet e kënaqur me ecurinë e bizneseve të saj dhe madje është shpërblyer për suksesin dhe seriozitetin e punës, pasi kohët e fundit ka marrë çmimin “Gold Award” në Paris për kualitet, mes 55 vendeve. “Ndihem e privilegjuar dhe krenare për ecurinë e biznesit Duty Free”, shprehet ajo.

Kjo zonjë që tashmë është shumë e njohur në rrethin e sipërmarrësve të suksesshëm shqiptarë, në fakt ka preferuar të mbajë një low profile në publik. Megjithatë, edhe për shkak të disa zhvillimeve që janë të ndërthurura edhe me politikën, tashmë lexuesit e dinë që zonja Çaushi është bashkëshortja e gjykatësit të njohur Gjin Gjoni. Si shkon biznesi i saj, çfarë do të thotë të kesh ekskluzivitetin e “Chanel”-it dhe detaje nga jeta e saj familjare, vijnë në këtë intervistë…
DSC_6653
Nga ju ka lindur kjo deshirë dhe pasion për t’u marrë me biznes mode? Dimë që pak muaj më parë, përveç bizneseve ekzistuese, ju morët ekskluzivitetin e brandit “Chanel”. Si arritët ta realizonit këtë projekt kaq të lakmuar dhe me emër?
Te pyetja juaj më bënë përshtypje dy fjalë: dëshirë dhe pasion. Kur i ke këto të dyja, rruga është shumë më e lehtë për të arritur atë që do. Vetë emri “Chanel” është një emër i madh që i ka rezistuar çdo lloj sfide dhe nuk ka vend për koment. Është e vërtetë që ne morëm ekskluzivitetin e brandit dhe kjo na bën krenarë, por në të njëjtën kohë është përgjegjësi dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin.

A ka një sekret për të punuar me brand-et?
Në kulturën për të punuar me brand-et e kishim që në 1998-n kur filluam aktivitetin e Duty Free. Brandet kanë një sekret: ato duhet t’i trajtosh mirë, si çdo gjë në këtë botë. Duhet t’u japësh vendin e merituar dhe të mos vësh në diskutim asgjë kur bëhet fjalë për imazhin e tyre. “Chanel”-i këtë gjë e ka kult. Ndoshta prandaj na u besua ne, sepse pikasën respektin dhe trajtimin e veçantë që ne i bëjmë imazhit. Nganjëherë ca gjëra të thjeshta mjaftojnë për të arritur projekte sfiduese.
DSC_6596
Kur shihni një zonjë apo zonjushë shqiptare që përdor veshjet apo aksesorët e Chanel-it, çfarë mendoni?
Admirim, shije e ndërthurur me thjeshtësinë e të qenët shik.

“Njohja me bashkëshortin dhe si e sheh ai punën time”
Si ka ndikuar fëmijëria juaj në vazhdimësinë e jetës? Po në vendimmarrjet tuaja si në jetë, ashtu dhe në fushën e biznesit?

Fëmijëria te çdo njeri, kam mendimin se është përcaktuese dhe vendimtare. Jam me fat që kam pasur një fëmijëri tepër të mirë, pa pendesa dhe boshllëqe dhe them se kjo pasqyrohet tek ajo se kush jam unë sot. Kjo është bazike. Është vendimtare në botëkuptimin tënd si njeri…..Mendoj se më e rëndësishme është se sa dashuri ke marrë në fëmijëri. Atë që ke marrë, atë do jesh në gjendje dhe të japësh. Është një relacion tepër logjik. Jam ndier e bekuar që fëmijëria ime ka qenë tepër e bukur me kujtime që asnjëherë nuk harrohen, me personazhe që i kujtoj shpesh dhe me nostalgji.

Si jeni njohur me bashkëshortin tuaj, gjykatësin e njohur Gjin Gjoni?
Nga një mik i joni i përbashkët, i cili është një jurist tepër i njohur dhe të them të drejtën nuk i kam dhënë akoma këpucët e shkesit.

Çfarë mendon ai për punën tuaj?
Ai mendon se të bësh biznes është shumë e vështirë. Ka momente kur unë them se jam lodhur gjithë këto vite, por ai gjithmonë më inkurajon si njeri që s’e njeh zmbrapsjen.

A është spektator ai në biznesin tuaj (të cilin ju e keni ngritur pa u njohur akoma me të) apo ju ndihmon me diçka?
Bashkëshorti im e pëlqen të bukurën dhe si rrjedhojë përkon dhe me sektorin e biznesit tim. Si natyrë ai nuk është aspak indiferent, kështu që nuk është në rolin e duartrokitësit, por më korrigjon dhe jep mendim kur e sheh të arsyeshme.

Cili është stili i jetës që bëni, ku i kaloni fundjavat, pushimet, cilat janë disa nga ekstravagancat e jetës suaj, meqë perceptohet dhe thuhet se jeni një çift në gjendje shumë të mirë ekonomike?
Stili i jetës është shumë i thjeshtë. Nga ora 9 lë apartamentin të cilin e kam afër me zyrën. Bëj një pushim të vogël në drekë dhe deri nga darka vazhdoj të jem ende në zyrë. Përsa u përket fundjavave, mezi i pres. Aty unë bëj pushim absolut, vetëm me përjashtim kur jemi të ftuar diku dhe nuk themi dot jo. Preferenca e të dyve është relaksi absolut. Për pushimet varet, pasi nga një vit në tjetrin nuk janë njëlloj. Këtë verë nuk menduam pothuaj fare për to. Shpresoj të pushojmë një javë në ndonjë vend, spontanisht.
Në jetën tonë nuk ka asnjë ekstravagancë. Të them të drejtën dhe po të doja të kisha, çdo ekstravagancë e çdo natyre, do kohë, e cila ne na mungon. Kurse përsa i përket perceptimit si një çift me të ardhura shumë të mira, mund të them se dorëzohem. Në Shqipëri preceptimi fiton kundrejt faktit dhe realitetit …fatkeqësisht.

Të mendosh si Coco Chanel
DSC_6429Interesant është fakti që një gruaje i besohet ekskluziviteti i markës së një gruaje të famshme si Coco Chanel, e cila ka bërë revolucion në botën e modës edhe në mënyrën se si duhet konceptuar eleganca dhe stili i një femre, duke krijuar një filozofi të sajën. Pikërisht për këtë arsye, ne zgjodhëm disa fraza pikante të Chanel-it, ku ju mund të kuptoni më mirë mënyrën se si ajo e shihte punën dhe gjithë jetën e saj. Të shohim nëse edhe zonja “Chanel shqiptare”, ndan të njëjtat ide me të.

Chanel thoshte:  “Nuk pendohem në jetë për asgjë, me përjashtim të atyre që nuk kam bërë”. Po Elona a mendon njësoj?
Thënë nga Chanel, Elona s’thotë asgjë, megjithatë mendoj se  paqja e vetvetes dështon për gjërat e pabëra…..Nuk e di a do ishte mirë të mendoje për to, sepse rikthimi do ishte humbje kohe.

Chanel: “Moda është shpikur për të qenë jashtë mode”. Po Elona?
Chanel-it po i përgjigjem me Chanel: “Vishuni keq dhe do mbajnë mend fustanin, vishuni shkëlqyer dhe do mbajnë mend gruan!”.

Chanel: “Disa njerëz mendojnë se luksi është e kundërta e varfërisë. Nuk është ashtu. Ajo është e kundërta e vulgaritetit”. Po Elona si mendon?
Unë personalisht e kam të vështirë t’i jap një përcaktim luksit. Shpesh kohët e fundit perceptimi im për luksin është të rri me veten, pasi pothuaj nuk rri fare dhe kjo është dëshpëruese. Rrimë me këdo dhe bëhemi pjesë e çfarëdo gjëje, por vetes i japim fare pak kohë….Luksi nuk mund të bashkëjetojë me vulgaritetin, është e qartë.

Chanel: “Moda ikën, stili mbetet”. Po Elona?
Po i përgjigjem me Chanel: “Thjeshtësia dhe individualiteti është çelësi kryesor i elegancës.” Moda ka dy qëllime.. rehati dhe dashuri.

ERMIRA SHPETIMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura