Elona Agolli: Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, 70% e ekspozuesve janë të huaj

Nov 30, 2021 | 9:10
SHPËRNDAJE

“Klik Ekspo Group” organizon nga data 1 deri më 4 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, edicionin e 27-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës “UFI Approved Event”.

klik

Elona Agolli, CEO e “Klik Ekspo Group”, në një intervistë për mediat tha se: “Panairet dhe ekspozitat janë levat për ringjalljen dhe rimëkëmbjen ekonomike, ndaj dhe përmes këtij manifestimi ekonomik, do të perceptohet më shumë se çdo herë tjetër se sa i kishin munguar ato komunitetit të biznesit”.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është identifikuar si i vetmi panair mirëfilltazi ndërkombëtar, ku 60-70% e ekspozuesve janë të huaj. Kur ka nisur “Klik Ekspo Group” të organizojë panaire dhe tiparet e tyre a përputheshin me ato të Panairit Ndërkombëtar?

Është e vërtetë që “Klik Ekspo Group” është i vetmi që organizon panaire me një pjesëmarrje mbizotëruese të sipërmarrjeve të huaja. E kjo e ka përbërë tiparin kryesor të tij, duke e përfillur si një mision themeltar në promovimin e Shqipërisë si një tokë atraktive sa u takon oportuniteteve që ofron në biznes, atraktive si kulturë, jetesë e mundësi europiane, tërheqëse sa u takon bukurive natyrore e mikpritjes shqiptare. Mund të themi me plot gojën që është kjo mënyra më e duhur e marketingut të vendit.

Që në fillesat tona, ne vitin 1994 (i pari panair) kemi siguruar që jo vetëm të prezantojmë e ballafaqojmë sipërmarrjet shqiptare, por edhe të ndërtojmë partneritete për të mundësuar hyrje dhe njohje të hapësirave për investim të shteteve partnere të Shqipërisë, të cilat përmes aktiviteteve tona, formësojnë strategji, planveprim, marketing etj. Jemi të parët që kemi sjellë në Shqipëri aktivitete, Panairi “Fiera de Levante”, entin e mirënjohur italian, e për shumë vite me radhë organizuam “Fiera de Levante” etj. Të parët për sipërmarrësit nga Amerika Latine, Argjentina, Brazili etj. Të parët për ata nga Turqia, Hungaria, Polonia etj. Të parët po ashtu që Ballkanin e kemi bërë pa kufij, që para një dekade kur veçse nëpër dhëmbë përmendej “Shengeni Ballkanik”.

Domethënë argumenti apo lajtmotivi i sivjetmë është i vjetër një dhjetëvjeçar të shkuar?

Përmes “Klik Ekspo Group”, përmes promovimit të bashkëpunimit rajonal, përmes thyerjeve të hezitimeve jo të pakta të sipërmarrësve ballkanas për t’u vendosur në trojet shqipfolëse, mund të thuhet që ekonomia i ka paraprirë politikës.

Çfarë do të thotë të organizosh një panair në kohë COVID-19?

Para së gjithash, të thyesh frikën, të dëshmosh vitalitet, të përqafosh jetën, gëzimin, entuziazmin sa i takon organizimit ka jo pak vështirësi e sakrifica. U afrohesh sipërmarrësve duke ofruar modelin e optimizmit, kërshërinë e formatimit të eventit, risinë e sektorëve të prezantuar, zgjuarsinë e dallimit të trendit. Panairi do të thotë shtrëngim duarsh, përqafim ritakimesh, vështrim sy më sy, negocim në tavoline, kulturë e mirëqenie. E për këtë arsye ai përherë do të jetë i domosdoshëm e as kurrëherë demodé…

Solidariteti në nisma në kohë të vështira dhe guxim. Kështu do të mund të përkufizohej shpirti i sipërmarrjes në kohën që po kalojmë.

Guximi i sipërmarrjes së suksesshme është i veçantë po aq sa edhe nuhatja për të ecur në kahun e duhur të zhvillimit të ekonomisë. Sa i takon solidaritetit, kur ky tipar ushqehet nga shoqëria ku zhvillon veprimtari, aty ky solidaritet shprehet më bukur. Herë-herë edhe shpirti i misionarit, të kuptuarit si mision bashkëpjesëmarrja në nisma dhe kauza që përfaqësojnë sipërmarrjet. Megjithatë, është ende herët për të pohuar dhe për të quajtur tipar të natyrshëm të sipërmarrësit shqiptar.

Çfarë do të sjellë të re organizimi i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës?

Bashkimin përmes unifikimit të tregjeve tona, përfaqësimin si një treg të vetëm përballë kërkesës europiane. Oferta jonë është një dhe investitori apo sipërmarrësi europian është ende më i joshur nga kjo ofertë e njëjtësuar. Jo pa arsye përmendim Ballkanin si “Tokën e Premtuar”. Edhe nga Afrika e largët këtë edicion përfaqësohen sipërmarrje që duan të eksplorojnë tregjet tona. Kameruni, Bregu i Fildishtë prezantohen me sipërmarrje interesante këtë panair. I pandarë ka qenë arti, ekspozita, libri, shfaqjet, “show”, në panairet e “Klik Ekspo Group”.

Po këtë vit? Zymtia e vitit do të marrë ngjyrat e gëzueshme në “Klik Ekspo Group”?

Sigurisht që po. I pandarë “show”, “masterclass”, shoqëruar me certifikata, konkursi letrar me finalen e tij me çmimet “Dritëro”, sfilata mode me veshje të Institutit Profesional të Modës Italiane “Morvillo Falcone”, sesione “make-up”, DJ, pasdite letrare e muzikore, muzika dhe vallet etnike afrikane, shumë gëzim në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura