Elma Doresi “zbut kryeneçen” në Teatrin Kombëtar

Feb 16, 2016 | 14:19
SHPËRNDAJE

Pas rrugëtimit në Rusi, mes mështeknave ku kishin shtëpinë Prozorovët, Teatri Kombëtar ka një kryeneçe për të zbutur. Pas suksesit të dramës “Tri motra” të Anton Çehov, në Kombëtar vjen Shekspiri.

Është Elma Doresi, regjisorja më e suksesshme e brezit të ri, që ka marrë mbi supe një sfidë jo të vogël. Me miratimin e bordit të TK-së, Doresi do të ngjisë së shpejti në skenën e teatrit komedinë “Zbutja e kryeneçes”.

Regjisorja Elma Doresi
Regjisorja Elma Doresi

Puna ka nisur prej kohësh tashmë dhe aktorët e Teatrit Kombëtar po punojnë me të gjithë “motorët” ndezur, duke qenë se një pjesë e mirë e kastit të përzgjedhur për shekspirianen, interpretojnë te “Tri motrat”.

“Zbutja e kryeneçes” kërkon gjithashtu një trupë të gjerë aktorësh. Doresi ka përzgjedhur aktorë të trupës së TK-së, por do të “huazojë” edhe aktorë jashtë tij, me të cilët ajo ka bashkëpunuar në projekte të mëparshme. Kështu, vijnë si “gjak i ri” për këtë vepër aktorët Devis Muka, Klodian Hoxha e Klea Huta. Kjo e fundit ka një rol të rëndësishëm, atë të motrës së kryeneçes (Katerinës).

Ndërsa do të ngjiten në skenë po ashtu Neritan Liçaj, Sokol Angjeli, Lulzim Zeqja, Vangjel Toçe etj. Për dy rolet kryesore, atë të Petruçios, zbutësit të kryeneçes dhe të Katerinës, vajzat kokëfortë, që i kanë zënë “derën” së motrës, regjisorja ka përzgjedhur aktorët Helidon Fino dhe Gladiola Harizaj, të cilët ndërkohë janë duke interpretuar një tjetër çift të dashuruarish, atë të Aleksandr Injatieviç Vershininit dhe Mashës (Maria Sergeievna Kuligina). VEPRA “Zbutja e kryeneçes” kthehet në Teatrin Kombëtar pas 27 vitesh, kohë kur ajo u ngjit në skenë nga Fatos Haxhiraj, me skenografi të Agim Zajmit dhe muzikë të Agim Krajkës.

Asokohe, vepra pati shumë sukses falë edhe interpretimit të aktorëve Artan Imami e Yllka Mujo, në rolet kryesore. Po ashtu interpretonin Lazër Filipi, Xhemil Tagani, Roland Trebicka, Ilir Bezhani, Naum Shundi, Piro Malaveci, Andon Koço, Rajmonda Bulku, Jetmira Lubonja, Sadush Ylli, Leka Sefla etj. Interpretimi i tyre është ende i gjallë për ata që e kanë parë shfaqjen shumë vite të shkuara dhe Doresit e kastës së përzgjedhur prej saj do t’i duhet të përballet tashmë me një version që e ka lënë vulën e vet.

Si një regjisore me eksperiencë tashmë në lëmë të komedisë, Elma Doresi pa dyshim që do të synojë drejt një koncepti të ri mbi veprën. Nëse u referohemi veprave të mëparshme që ajo ka realizuar, krahas lojës së aktorëve, u ka mëshuar efekteve speciale dhe kostumografisë. Në këtë drejtim do t’i vijë në ndihmë skenografi Genc Shkodrani e kostumografia Berina Kokona, e cila sapo lë pas suksesin e radhës me kostumet e “Tri motrave” të Çehovit.

Elma Doresi është një emër i njohur tashmë për publikun shqiptar. Ajo ka vënë në skenë, kryesisht në atë të Teatrit të Metropolit, vepra si “Karnavalet e Korçës”, “14 vjeç dhëndër”, “Tri mendje në ankand”, “Nusja në thes” etj. Për disa syresh ajo është vlerësuar edhe me çmime në festivale teatrore mbarëkombëtare.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura