Elisabeta Bast, gjermania e pushkatuar për shashkën në Ambasadën Sovjetike

Apr 19, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Nga 167 personat e arrestuar me rastin e hedhjes së dinamitit në legatën sovjetike në Tiranë, në shkurt 1951, ishte edhe një shtetase gjermane, Elisabeta Bast. Kjo kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1938, së bashku me bashkëshortin, të ndjekur nga nazistët.

Screenshot_2016-03-04-20-15-54
Faksimile e deshmise

Elisabeta akuzohet në vitin 1951 si “spiune naziste” dhe dënohet me burgim e punë të detyruar. Trajtimi i saj në hetuesi ka qenë i keq prej oficerëve të Sigurimit. Ja një pjesë e pyetje-përgjigjeve të zhvilluara midis saj dhe prokurorit, ku i kërkohet që patjetër të pranonte atë që kërkonte hetuesi.

Pyetje: Përse nuk tregoni të vërtetën, por mundoheni ta nxirrni veten si të pafajshme? Kthehuni në rrugën e drejtë, pse drejtësia do t’ju nxjerrë të gjitha në shesh ato çka keni bërë.

Përgjigje: Unë të drejtën kam kallëzuar. Në rast se më faktohet gjë kundërshtare, drejtësia le të jetë e pamëshirshme kundrejt meje.

Pyetje: Kush ju ka udhëzuar të mbani këtë qëndrim përpara hetuesisë, a e di se je e pandehur për faje penale kundër popullit dhe shtetit?

Përgjigje: Nuk më ka udhëzuar njeri. Mbaj këtë qëndrim se jam e pafajshme. Vërtet jam pandehur për faje kundra popullit dhe shtetit, por unë këtë nuk e pranoj sepse nuk kam bërë gjë.

Pyetje: Pa na shpjego me hollësi largimin e Emil Bastit prej Gjermanisë.

Përgjigje: Im shoq u detyrua të largohej prej Gjermanisë për arsye se ka folur kundra Hitlerit. Për këtë e arrestuan dhe e burgosën. Pastaj e nxorën në gjyq. Do të dilte për herë të dytë në gjyq, por mori vizën nga konsullata franceze në Berlin dhe shkoi në Francë. Aty qëndroi në vitet 1936-1938. Në Francë, im shoq është marrë me punë në një restorant. Kur vajta unë atje, shkuam në Itali.

Pyetje: Të dhimbset jeta, e pandehur?

Përgjigje: Po.

Pyetje: Që të shpëtosh atë, folna atëherë pa rezerva se përndryshe çdo gjë rrezikon jetën tuaj.

Përgjigje: Nuk di çfarë t’ju them kur s’kam bërë gjë.

Pyetje: Pse nuk tregon aktivitetin tënd kundërshtar pas çlirimit?

Përgjigje: Nuk kam bërë asnjë aktivitet kundra pas çlirimit.

Pyetje: Ke vendosur e pandehur të qëndrosh spiune e vendosur e gjermanëve, apo do të na flasësh drejt?

Përgjigje: Nuk kam çfarë të them. Spiune unë nuk jam dhe as që kam qenë.

Pyetje: Dije e pandehur se qëndrimi yt para hetuesisë është armiqësor. Ti je spiune, prandaj fol çfarë ke bërë se kështu si e ke zënë ti, na ke lënë të kuptojmë neve sot dhe nesër gjyqit se ke vendosur të mos thuash asgjë, por jo, këto manovra nuk të shkojnë, fol se ndryshe rrugë të mesme nuk ka.

Përgjigje: Për sa më pyesni, nuk di asgjë, prandaj s’ka çfarë t’ju them.

Pyetje: Ke ndonjë gjë për të na thënë, e pandehur?

Përgjigje: Jo.

(Dokumenti me dëshminë e Elisabeta Bast, është siguruar nga Kastriot Dervishi)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura