Elio Miracco merr titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Jun 18, 2016 | 14:21
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dorëzuar dje titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” një prej emrave më të shquar të albanologjisë shqiptare, profesorit arbëresh Elio Miracco.

Presidenti Nishani duke dekoruar albanologun arbëresh
Presidenti Nishani duke dekoruar albanologun arbëresh

Një prej njerëzve dhe profesionistëve më të zellshëm e vullnetmirë të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Letrave dhe Filozofisë në Universitetin “La Sapienza” në Romë. “E gjithë jeta profesionale dhe prodhimtaria shkencore dhe akademike e deritanishme e profesor Miraccos ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin, gjuhën dhe letërsinë arbëreshe e shqiptare”, u shpreh Presidenti i Republikës, i cili renditi disa prej pikave kulmore në veprimtarinë e profesorit arbëresh, në lëmë të letrave, por edhe në mbështetjen që i ka dhënë të rinjve të pasionuar pas letërsisë, duke i ndihmuar dhe nxitur në rrugën e vështirë studimore. Dhe jo rastësisht, në këtë ceremoni merrnin pjesë studiues, por edhe ish-studentë e bashkëpunëtorë të tij, si Persida Asllani, Dhurata Shehri, Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Ardian Marashi, etj.

Pas diplomimit në vitin 1967 në Universitetin “La Sapienza” të Romës, me temën e diplomës të udhëhequr nga Ernest Koliqi mbi “Historinë e traditën gojore në Shën Sofi” në lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Miracco nisi bashkëpunimin me Institutin e Studimeve Shqiptare në këtë Universitet të udhëhequr atë kohë po nga Ernest Koliqi, e më pas nga Giuseppe Gradilone, duke kontribuar në pasurimin e mëtejshëm të veprës monumentale të Institutit.

Gjatë ceremonisë së dekorimit të Elio Miracco
Gjatë ceremonisë së dekorimit të Elio Miracco

Hulumtimet e tij u përkasin degëve të ndryshme të albanologjisë, duke filluar nga çështjet filologjike e kritike me studimet e De Radës apo të Kadaresë e duke vijuar më tej me traditat gojore të arbëreshëve me materialet e mbledhura në shumë katunde të banuara nga kjo bashkësi në Itali, duke konsoliduar në këtë mënyrë filologjinë e bibliografisë tekstuale në albanologji.

“Kultura shqiptare ka qenë dhe është nyja e jetës së profesor Miraccos. Nuk mund të rri pa përmendur këtu qëndrimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në ‘La Sapienza’ me në krye Ernest Koliqin, ku në momente dhe kontekste jo të lehta për historinë e kohës në Itali, ata nuk nguruan të denonconin shkeljet e lirive dhe të drejtave, si dhe krimet ndaj popullsisë shqiptare nga regjimi totalitar i Enver Hoxhës, duke e shndërruar atë Institut në qendrën e rezistencës antikomuniste shqiptare në Itali, në një institucion të lirisë kundër tiranisë.

Profesor Miracco ishte dhe është mediumi pasionant akademik, i cili nuk reshti së promovuari lidhjet e arbëreshëve me Shqipërinë, përkatësinë europiane të tyre”, vijoi Presidenti i Republikës, teksa shtoi se duke ndërthurur dijet me vetitë e rralla njerëzore tipike shqiptare, ia ka përkushtuar gjithë jetën e vet trashëgimisë kulturore arbëreshe, gjuhës shqipe dhe ndërkomunikimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë, duke na zbukuruar hijshëm kurorën e krenarisë kombëtare edhe në anën tjetër të Detit Adriatik.

I pranishëm në këtë ceremoni, jo pa emocion, Miracco do të shprehte falënderimet e tij për këtë titull të lartë, ndërsa do të premtonte se do të vijonte punën e tij në lëmë të gjuhës dhe letërsisë shqipe e për të dhënë kontributin e tij në mbajtjen gjallë të kulturës arbëreshe në Itali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura