Eliminohen Tirana e Partizani, Kupa pa kryeqytetase

Dec 19, 2013 | 12:18
SHPËRNDAJE

Tirana dhe Partizani mbeten jashtë Kupës, edhe pse u është dashur të shkojnë në kohën shtesë në ndeshjet e kthimit ndaj Lushnjës dhe Vllaznisë. Kryeqyteti i “lan duart” me këtë kompeticion që në turin e dytë kualifikues, pasi nuk kanë mundur të kalojnë dot Lushnjën dhe Vllazninë. Sa i përket kronikës, në kryeqytet, që në sekondat e parë bardheblutë kanë një rast ideal për të shënuar: Çota i afrohet zonës, gjuan, por Sulo largon rrezikun dhe topi kthehet sërish te këmbët e sulmuesit, që tenton sërish. Por portieri i miqve tregohet më i shpejtë e më i saktë dhe neutralizon rrezikun. Ky sinjal dëshmon se vendësit e kanë marrë seriozisht dhe synojnë përmbysjen e rezultatit. Por goli do vinte në minutën e 30-të. Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton sërish Karabeci, dhe këtë herë e dërgon topin drejt e në rrjetë. Pjesa e parë nuk sjell më ndryshime. Sakaq, 45 minutëshi i dytë nis me të njëjtën pamje, pra me një Tiranë më agresive, e cila fiton mesfushën e miqve dhe krijon më shumë. Por edhe pse dominojnë vendësit, nuk arrijnë të gjejnë golin e kualifikimit dhe ndeshja shkon në shtesë, aty ku pësohet edhe goditja fatale. Në minutën e 111-të Mihani ekzekuton një goditje dënimi, topi shkon te Canka, i cili me kokë nuk gabon dhe e dërgon në rrjetë, 1-1. Gol ky që shoqërohet me festë te lushnjarët, sakaq bardhebluve nuk u mbeti gjë tjetër veçse të largoheshin kokulur nga “Qemal Stafa”. E njëjta gjë pak a shumë edhe në “Loro Boriçi”, ku nuk mjaftuan 90 minuta lojë për të nxjerrë kualifikuesin. Për vendësit shënoi Tafili në minutën e 101-të. Kupa përcakton kësisoj skuadrat që kualifikohen në turin e tretë eliminator të saj. Janë tetë skuadra që do ta vazhdojnë betejën për të mbërritur sa më larg, deri në finale të këtij kompeticioni, i cili është i dyti kombëtar për nga rëndësia. Skënderbeu, Flamurtari, Laçi, Teuta, Kukësi, Vllaznia, Bylis dhe Lushnja janë kualifikuar për më tej. Në bazë të skemës së paracaktuar zbardhen edhe çiftet e turit të tretë, nga dy për secilin grup. Ato janë: Skënderbeu-Laçi dhe Lushnja-Teuta (grupi A), si dhe Bylis-Kukësi dhe Vllaznia-Flamurtari (grupi B). Raundi i radhës i Kupës së Shqipërisë (turi i tretë) do të zhvillohet vitin tjetër, saktësisht më 12 dhe 26 shkurt, ndërsa më tej për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara nga turi i tretë. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 26 mars dhe 9 prill 2014, ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet më 17 maj 2014, në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja.

Canaj: Rrezikuam, por e merituam kualifikimin
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ka vlerësuar kualifikimin e skuadrës së tij ndaj Partizanit. “Ishte një kualifikim i merituar për ekipin tonë. Çdo gol mund të na rrezikonte. Megjithatë, djemtë luftuan mjaft mirë dhe treguan një lojë të mirë. Patëm dy-tri momente shumë të mira në fazën sulmuese. Ndërsa në fazën mbrojtëse ishim shumë mirë dhe nuk i lejuam asnjë hapësirë kundërshtarit. Vështirësitë e daljet e detyruara të lojtarëve të dëmtuar na vunë në vështirësi. Tafili me freskinë e tij na dha një kualifikim të merituar, pasi luajtëm më mirë se kundërshtari. Ky kualifikim na dha më shumë besim për të ardhmen. Fitorja me Partizanin dhe golat e shumtë të shënuar tregojnë se kemi një skuadër të mirë. Për takimin me Laçin është shpejt për të folur”, ka pohuar dje pas ndeshjes tekniku i kuqebluve.

Magani: Zhgënjyem, faji i imi   
Gugash Magani e quan pa dyshim një dështim eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Trajneri i Tiranës ka mbetur i zhgënjyer nga panorama e ndeshjes me Lushnjën, dhe fakti që ky ekip nuk arrin dot që të dërgojë topin në rrejte. Madje, të gjitha përgjegjësitë e këtij skualifikimi i merr vetë. “Më vjen keq që gjërat shkuan kështu. E thashë edhe një ditë më parë se, në rast se nëse nuk do ia dilnim, ky do të quhej zhgënjim dhe dështim për ne. Këtu përfshij veten dhe ekipin. Sikundër e pata deklaruar, nëse do eliminoheshim, do të merrja përgjegjësitë e mia. E ndiej veten fajtor. Nëse para kësaj ndeshjeje nuk mund të merrja përgjegjësi pasi kisha pak kohë në krye të ekipit, tashmë kjo gjë ndryshon. Mund të bësh futboll, të krijosh raste, por kur nuk shënon, atëherë gjithçka e mirë që mund të realizosh zhvlerësohet. Ky eliminim është i rëndë. Ne thamë që na duhej një fitore morali për të dalë nga kriza. Por ekipi është tepër rëndë psikologjikisht dhe e ka të vështirë të zhbllokohet”.

Tirana, “rebelohen” tifozët
“Hiqni bluzat, nuk e meritoni këtë fanellë”. Kanë qenë këto fjalët e tifozëve bardheblu në fund të ndeshjes me Lushnjën. Thirrje në kor, që i ka shoqëruar futbollistët bardhbelu derisa u larguan nga tuneli i “Qemal Stafës”. Por me një gjest tepër demonstrativ kanë duartrokitur skuadrën kundërshtare, Lushnjën, duke i përgëzuar për atë çka dhanë në fushë. Vazhdojnë të largohen të zhgënjyer nga shkallët e stadiumit.

Kupa e Shqipërisë
Turi i dytë
Grupi A
Skënderbeu-Mamurrasi    2-0
            (4-1)
Shënues: Morina 34’, Hyseni 39’
Teuta-Shkumbini        2-0
            (0-0)
Shënues: Nika 28’, Muriqi 88’
Tirana-Lushnja        1-1
(0-1)
Shënues: Karabeci 30’/ Canka 111’
Laçi-Besa            4-2
(2-0)
Shënues: Veliaj 42’, Nimani 63’, Sefgjini 812, Ajazi 89’ / Colla 74’, Çelhaka 90’

Grupi B
Kukësi-Apolonia        4-0
(0-1)
Shënues: Progni 41’, Popoviç 50’, 63’, Manuka 84’
Flamurtari-Tomori        4-2
(2-0)
Shënues: L.Shehaj 25’, 50’, Bregu 42’, 72’/ Berberi 52’, Myzyri 86’ (p)
Vllaznia-Partizani        1-0
(0-0)
Shënues: Tafili 101’
Kastrioti-Bylis        2-3
Shënues: Abazaj 28’, Malindi 41’/ Gërxho 45’ (p), Adeniji 50’, Ikpe 59’

Turi i tretë/ Ndeshjet
Grupi A
Laçi-Skënderbeu
Lushnja-Teuta

Grupi B
Vllaznia-Flamurtari
Bylis-Kukësi

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura