Eliminim dhe karton i kuq në Kupë, futbollisti i Luftëtarit: U shqetësova se mos humba Flamurtarin

Feb 14, 2020 | 23:34
SHPËRNDAJE

Donald Açka, një nga pikat më të forta të Luftëtarit në mesfushë, shprehet optimist se bluzinjtë mund të fitojnë në përballjen me rivalin direkt, Flamurtarin. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, numri gjashtë i Luftëtarit tregon edhe për momentin e ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen e kthimit ndaj Apolonisë dhe për vazhdimësinë.

Acka

Kartoni i kuq – “Në momentin që u ndëshkova me kartonin e dytë të verdhë (i kuq në minutën e 87′), vura duart në kokë dhe nuk desha ta besoja. Mendja më vajti menjëherë te ndeshja e radhës ndaj Flamurtarit. Sa mbaroi ndeshja, pyeta menjëherë dhe mora garancinë se nuk merren në konsideratë kartonët e kuq për ndeshjet e kampionatit. Aty u çlirova nga emocionet. Nuk do të ndihesha mirë të mos isha në fushë me Flamurtarin, pasi gjendemi në pozita shumë të vështira në klasifikim dhe të gjithë si lojtarë mendojmë për këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht Açka.

Flamurtari – Pa humbur kohë, të besuarit e Nikolin Çoçllit vijojnë intensivisht përgatitjet për ndeshjen me Flamurtarin, të cilën do ta luajnë në fundjavë në stadiumin “Gjirokastra”. Mesfushori i bluzinjve komenton këtë përballje dhe rëndësinë që ka për Luftëtarin ky takim. “Që pas barazimit me Teutën, kemi punuar dhe po punojmë intensivisht për takimin me Flamurtarin. Edhe pse nuk e kaluam raundin e dytë të Kupës, nuk do të jemi të demoralizuar dhe të frikësuar ndaj rivalit për mbijetesë, Flamurtarit. Ndaj tyre besoj se do të marrim rezultat pozitiv, pasi gjykoj se kemi më shumë cilësi. Ne do të zbresim në fushë duke dhënë 100% të kapacitetit tonë, duke zhvilluar një luftë të pastër dhe të fortë sportive, duke synuar fitoren”, vijon ai.

flamurtari

Favoritët – Më tej, futbollisti i Luftëtarit tregon edhe pse bluzinjtë janë favoritë në këtë përballje. “Jemi të avantazhuar edhe nga ‘faktori fushë’, teksa kemi marrë më shumë pikë në shtëpi sesa Flamurtari. Synimi ynë është fitorja dhe objektiv kryesor është që ta mbyllim kampionatin sa më mirë. Me praninë e tifozëve, të cilët i falënderojmë për faktin se nuk na kanë braktisur, ndaj Flamurtarit fitorja është detyrim për ne”, përfundoi Açka.

Luftetari-Flamurtari

Mbijetesa – Luftëtari dhe Flamurtari e mbyllin tabelën e klasifikimit, duke qenë skuadrat më të rrezikuara për rënien dhe vetëm matematika po i mban në lojë. Luftëtari, pas javës së 22-të, renditet në vend të nëntë në klasifikim me 13 pikë të grumbulluara, ndërkohë që Flamurtari e mbyll tabelën e Superiores me vetëm 6 pikë. Të dyja skuadrat e konsiderojnë këtë ndeshje si përballë një rivali direkt, ndërsa në të vërtetë secila prej tyre rival ka ekipin e vendit të tetë, ku të paktën ekziston shansi i një ndeshje “play-out”-i për të synuar mbijetesën.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura