Elia Zaharia për rolin në shfaqjen “Tri motrat”: Irina që kisha ëndërruar të jem

Jan 12, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Mundet te jete ngjashmeria me të ëmën, Yllka Mujon, që e bën Elia Zaharian të mos duket fare aktore e re. Është si të kishte qenë gjithnjë aty, në oborrin e Teatrit Kombëtar, duke vallë- zuar nga njëri rol në tjetrin.

Elia Zaharia
Elia Zaharia

Në fakt, nëpër ambientet e teatrit, Elia ka qenë, me siguri, që fëmijë, për shkak të profesionit të Mujos. Nuk mund të jetë e rastësishme që si ajo, si i vëllai, Amos Zaharia, të kenë zgjedhur pikërisht aktrimin, si gjënë që duan të bëjnë më shumë e më mirë. Kështu, për arsyen e parë përmendur, të duket se Elia ka qenë prej dekadash në teatër, vetëm se vitet nuk i kanë ndikuar në gjë tjetër, përveç skalitjes së karaktereve të roleve.

Aktualisht, Elia Zaharia është në ditët e fundit të punës për personazhin e Irinës, te “Tri Motrat” e Çehovit. Personazh të cilën, ajo e ka parafytyruar të veshur në trup, që kur e ka lexuar pjesën për herë të parë në frëngjisht, vite shkuar. Jo se po t’i ofrohej një tjetër rol, në të njëjtën shfaqje, do ta refuzonte, jo!

Do të pranonte secilin, por me Irinën, sikur e kishte gati gjysmën e punës, meqenëse me të kishte biseduar në fshehtësi, nëpër radhët e shkronjave. Kur regjisori Hervin Çuli i kërkoi të lexonte skenarin, Elia e kishte përgjigjen pëlqyese gati, sepse e njihte pjesën.

 

Moment provash nga shfaqja "Tri Motrat"
Moment provash nga shfaqja “Tri Motrat”

Themi përgjigjen pëlqyese sepse ajo, nuk se i afrohet çdo pjese e çdo roli, vetëm për të qenë e angazhuar me punë. Nëse nuk ka “flirt” mes saj dhe karakterit që do të interpretojë, më mirë, nuk i afrohet fare audicioneve. Mbase kjo është arsyeja pse, prej pak kohësh, gati dy vite, nuk e kemi parë Elia Zaharian të ngjitet në skenë…

Elia, ka kaluar disa kohë që nga roli i fundit…

Po, thuajse dy vjet. Roli i fundit ka qenë te ‘Djemtë gazmorë’, ku kam luajtur me Robert Ndrenikën e Viktor Zhustin. Prej atëherë, nuk kam pasur projekte të tjera me teatrin.

Nuk keni dashur, nuk keni kërkuar, apo nuk ju është ofruar gjë?

Në teatër janë bërë vazhdimisht audicione. Nga të gjithë ata, unë kam pëlqyer të marr pjesë vetëm në një, në të cilin nuk fitova. Nuk është se dua ta kem një rol vetëm për të mos ngelur pa të. Nëse nuk krijoj një marrëdhënie timen me personazhin, nëse nuk më pëlqen pjesa, nuk do të doja ta bëja.

Dy vite janë kohë relativisht e gjatë. Të paktën, po t’i referohemi realitetit të këtushëm, nëse s’ka rol, aktori përpiqet të ketë angazhime të tjera të përkohshme brenda fushës. Për ju si është?

Nuk më ndodh shpesh të më ngelet ndonjë ditë bosh, përpiqem ta mbush kohën. Ndryshe nga kolegët që mund të përpiqen brenda rrethit të fushës për të bërë gjëra të tjera kur nuk luajnë teatër, unë, bashkë me të fejuarin jam marrë me Fondacionin ‘Mbretëresha Geraldinë’. Rasti më i fundit ka qenë restaurimi i një shtëpie fëmijësh në Shkodër, por ka aktivitete të vazhdueshme që nuk të lenë kohë të tepërt.

Fundjavën që vjen, megjithëse keni muaj që jeni, do të jeni zyrtarisht Irina, njëra nga ‘tri motrat’ e Çehovit. Si u bë i juaji ky rol?

Regjisori Hervin Çuli ma dha skenarin ta lexoja që kur u publikuan veprat e sezonit të ri. Përveç se e njihja Çehovin prej pjesëve të tjera, kisha lexuar edhe këtë vepër të tijën, por vite më parë dhe në frëngjisht. Kështu që u ndjeva shumë mirë që me propozimin e parë, nuk kishte rëndësi se cila prej motrave do të isha. Tjetër që, për mua, Irina ishte personazhi më i bukur, ishte ajo e cila më kishte grishur përfytyrimet, vite më parë. Kështu që, ftesa për të qenë pjesë e kësaj shfaqjeje, përmes Irinës, u bë dyfish e bukur.

Pse ishte Irina më e dashura nga të tria?

Ndjesitë e tërheqjes nuk se mund të përshkruhen të gjitha, por Irina është një personazh që kalon nëpër çdo cikël të jetës me shumë thyerje, ngarkesa e peripeci.

A e bëjnë ngarkesat e karakterit më të vështirë rolin?

Po unë nuk mendoj se mbaron ndonjëherë puna me rolin. Që kur fillon, pasi ke marrë skenarin në dorë e deri në përfundim të të gjitha shfaqjeve, jam vazhdimisht në punim të tij. Nuk është se mendoj që pas premierës çdo gjë është në rregull. Puna individuale vazhdon deri në fund, prandaj asnjëherë nuk ka kohë të panevojshme deri në fillim të shfaqjes.

A është drama zhanri juaj i preferuar? Shumica e aktorëve gjenden mirë pikërisht këtu…

Drama është pa dyshim e bukur, kur është e mirë, por e preferuara ime, deri tani të paktën, ngelet komedia. Madje, kjo nuk vlen vetëm për teatrin. Jam kështu edhe në të përditshmen, më pëlqen t’i jap jetës ca të qeshura më shumë, më pëlqen humori. Por, njësoj si në rastin e dramës, edhe ky duhet të jetë i mirë.

Në këtë shfaqje, siç nuk ka ndodhur që përpara viteve ’90, rolet do të jenë me dublantë, përveçse në rastin tuaj. A ndikon te ju fakti që, në ditë të ndryshme, do të keni përballë partnerë të ndryshëm?

Përqendrimi është puna e parë dhe më e rëndësishme e aktorit, kështu që jo, nuk mendoj që do të ndikojë. Ne e nisim punën me përqendrimin dy orë përpara shfaqjes për të arritur kulmin pikërisht gjatë saj.

Po pushimi mes akteve, a krijon çoroditje? Shfaqja do të zgjasë më shumë se tri orë, me një pushim…

Për ne jo, sepse vlen, edhe në këtë rast, përgjigjja e mësipërme, por do të shohim se si do ta presë publiku.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura