Eli Fara: Tortura që përjetova gjatë xhirimeve në temperatura mbi 40 gradë

Aug 2, 2015 | 13:20
SHPËRNDAJE

Eli-Fara-gjate-xhirimeve-11745940_990290727683019_8257452289855141918_n
Një dedikim për qytetin e saj të lindjes, Korçën, është kënga më e re e Eli Farës, e cila sapo ka përfunduar xhirimet e klipit të saj dhe pritet ta publikojë së shpejti. E pyetur nga gazeta “Panorama” për veçantinë e këtij realizimi të ri muzikor, Eli u shpreh: “Pas klipit ‘Me mua mos’, ku u shfaqa me stil krejtësisht rinor, sapo kam përfunduar xhirimet e klipit tim të ri ‘Folk’, një kthim i imi në identitet.
Eli-Fara-duke-xhiruar-10405693_987787327933359_9074475392707205422_n
Është gjetje për repertorin e këngëve të mia, pasi kënga mban vulën Eli Fara, që do të thotë se më përfaqëson, është brenda karakterit tim si këngëtare dhe shumë e vështirë për t’u kënduar”, tha ajo. Më tej sqaroi se “jo pa qëllim vendosa ta xhiroj në qytetin e Korçës, ku kam filmuar qytetin në të gjitha oraret e ditës, për ta sjellë atmosferën të larmishme, ashtu si gjallon ky qytet i dashur për mua”. Por, për këngëtarët nuk është aq e thjeshtë puna pas kuintave, deri në montazhin e klipit. ”Të them të drejtën ishte torturë e vërtetë të xhironim në temperatura mbi 40 gradë.

Gati e pamundur të ishe në formë dhe me grimin e duhur në orët e gjata të xhirimeve, e kjo është një nga ato vështirësitë me të cilat u përballa gjatë punës për klipin”, tha ajo. Kënga që ngjason me “Qeraxhiu i Grabanesë”, është incizuar me lahuta dhe klarineta, dhe është konceptuar si një festë e madhe Jugu. Në këtë videoklip, Eli Fara shfaqet si përherë në formë të mirë fizike, e rrethuar nga vajzat konkurrente të spektaklit të bukurisë “Miss Shqipëria 2015”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura