Eli Fara: I këndoj dashurisë çdo vit, pasi kjo ndjenjë mungon

Mar 6, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE


Është hera e tretë që këngëtarja Eli Fara publikon klip të ri në muajin e dashurisë. Vitin e kaluar në duetin me Kastriot Tushën i kënduan ndarjes, ndërsa këtë vit ajo zgjedh t’i këndojë dashurisë me fund të lumtur. Këngëtarja zbulon arsyen pse i dedikon kësaj ndjenje një këngë të re çdo vit.

Ende pa dalë kënga e re ke ndarë me fansat fotot e para, ku shfaqesh shumë e kuruar në imazhet e klipit. Cilët janë bashkëpunëtorët?
Jam ende duke xhiruar skenat e fundit të klipit të ri, në ambientet e “Royal Hill”. Titullohet “Me mua mos…”, me muzikë të Adi Hilës dhe tekst të Rozana Radit.
Një titull me retiçencë nënkupton deklaratë dashurie apo një kërcënim në rast se të thyhet zemra?
Është deklaratë, nëse u referohem vargjeve të Rozit. Kjo pasi, e thënë ndryshe në vargjet e këngës, deklaroj “se të dua mos…” Për momentin di të them vetëm që kënga është fantastike.
Është kjo kënga e re e Shën Valentinit, por që s’erdhi në kohë?
Po. Ishte planifikuar të publikohej më 14 Shkurt për Shën Valentin, por nuk mundëm dot ta përfundonim klipin në kohë, për shkak të vonesës së xhirimeve si pasojë e motit të keq.
Sërish një baladë dashurie? I këndon dhimbjes si vitin e kaluar me Kastriot Tushën?
Jo, në fakt kjo këngë e re është ritmike.
Pra, i dedikohet një historie të lumtur?
E gjithë kënga është e gëzuar.
Kënga është pasqyrë e momentit tënd në jetë? Je e lumtur?
Jo, nuk ka lidhje me mua, por për veten mund të them që jam mirë.
Shumë këngë dashurie nga ti, është kjo që u mungon njerëzve sot?
Besoj po.
Përveç veshjes sensuale, bën përshtypje stilimi i flokëve. Prej kujt je frymëzuar?
Vij ndryshe dhe më pëlqen, me veshje të stiluara nga Joni Peçi dhe modelim flokësh nga Kaçi, më i miri në Prishtinë. Flokët e kapur janë stili im, pasi dikur i kam mbajtur kështu.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura