Elhaida Dani: Shkoj në Eurosong, nuk zhgënjej publikun

Feb 24, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE

Pavarësisht tërheqjes së kompozitorit të këngës që ishte destinuar për në Festivalin Europian, këngëtarja Elhaida Dani nuk do ta braktisë Eurosongun. Ajo ka vendosur të shkojë atje me një këngë të re, një krijim të Zzap&Chriss nga Kosova.

Një këngë për dashurinë, që sipas Danit do të jetë ndryshe nga çdo këngë që ka kënduar më parë. Kur e pyet nëse i shkoi ndonjëherë nëpër mend të tërhiqej edhe ajo bashkë me Aldo Shllakun, Dani thotë se nuk do të donte të zhgënjente publikun që e ka mbështetur deri më sot.

Elhaida Dani

Do të shkoni në Festivalin Europian, por jo më me fituesen e Festivalit në RTSH, por me një krijim të ri, ç’është kjo këngë?

Është një këngë pop-baladë, shumë ndryshe nga ato që unë kam kënduar deri më tani, por edhe nga ato me të cilat Shqipëria është paraqitur deri më sot në Festivalin Europian. Jemi në fazën e fundit të mbylljes së projektit, që po realizohet me muzikë të Zzap & Chriss, me tekst të Sokol Marsit. Është një këngë për dashurinë. Menduam të gjenim diçka sa më të thjeshtë, të prekshme. Dashuria është aktuale gjithmonë. Ka një tekst të bukur, që i rri shumë mirë muzikës. Edhe pse publiku nuk më ka parë ndonjëherë në këtë mënyrë, e ndiej shumë timen.

Si lindi bashkëpunimi me Zzap & Chriss, pse u zgjodhën ata?

Kur më thanë që kënga do të ndërrohej dhe do të më duhej një tjetër, kam kontaktuar me disa kompozitorë, por pa arritur të biem dakord. Dëgjova disa materiale të Zzap & Chriss, m’u dukën shumë interesante dhe vendosëm për ta. Menjëherë u nisëm për në Kosovë për të filluar punën.

Ju kishit investuar në këngën fituese, si e pritët faktin që ajo nuk do të ishte përfaqësuesja në Eurosong?

U kontaktova nga kompozitori, i cili kishte vendosur të tërhiqte këngën. Në fillim nuk dihej nëse do të shkonte vendi i dytë, apo do të realizohej një këngë tjetër. Për këtë vendos RTSH-ja, por në momentin që kompozitori vendos të tërhiqet nga gara nuk ka përse të penalizohet këngëtari dhe tekstshkruesi i këngës. Është e drejta e kompozitorit të tërhiqet.

Nuk e menduat ndonjë moment që të tërhiqeshit edhe ju bashkë me kompozitorin?

Patjetër që e mendova. Në fillim u gjenda bosh, si në ajër. Nuk e dija se çfarë do të bëja. Koha për të realizuar një këngë tjetër ishte shumë e shkurtër, por pastaj mendova se shumë shqiptarë kanë besuar tek unë dhe nëse do të tërhiqesha do të më dukej sikur do t’i lija në baltë dhe do të dukesha si mosmirënjohëse karshi mbështetjes së tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura