Elhaida Dani në vend të parë nga votat e publikut, pro fitores së saj edhe serbët

Apr 9, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE


Këngëtarja shqiptare që do përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong më 19 maj në Vjenë (Austri), Elhaida Dani, kryeson me “I’m alive” listën e këngëve më të pëlqyera në “Eurosong 2015”. Faqja zyrtare e Eurovizionit wiwibloggs.com ka prezantuar një sondazh me këngët më të preferuara deri tani, pjesëmarrëse në edicionin e 60-të të “Eurovision”-it. Dani, e cila ishte në vend të dytë pas Gjeorgjisë, tani ka kaluar e para në renditje me më shumë 16.29 për qind të votave, ndaj 15.65 për qind që ka Gjeorgjia, renditje kjo që realisht ndryshon vazhdimisht. Në vend të tretë është ngjitur Italia, të cilën e ndjek Spanja dhe Suedia, duke mbyllur kështu qarkun e pesë këngëve më të votuara të festivalit. Sipas njoftimit të faqes zyrtare të “Eurosong”, votimi do të jetë i hapur deri në orën 17:00 të datës 22 maj, një ditë para finales, më 23 maj, gjë që do të mund të ndryshojë normalisht dhe renditjen aktuale. Por nuk kanë munguar komentet në kanalin youtube për këngëtaren nga Shqipëria, e cila e ndryshoi këngën vetëm pak para festivalit. Mes komentuesve europianë që janë ndier të prekur me skenat e klipit, ku shfaqen gra të përlotura, ka pasur dhe admirues nga Greqia, Serbia dhe Italia, këta të fundit të afeksionuar pas saj si fituese e “talent show”-t atje. Shumë prej tyre e kanë vlerësuar zërin brilant të Elhaidës, duke kërkuar me çdo kusht fitoren e saj, me këngën e djemve të talentuar nga Kosova, nga Arbër Elshani dhe Chriss Lekaj dhe vargje të Sokol Marsit. “I’m alive” e Elhaida Danit deri tani ka regjistruar mbi 1.3 milionë klikime në youtube.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura