Elhaida Dani: Jam e frikësuar, por e lumtur

May 14, 2015 | 16:24
SHPËRNDAJE

Elhaida Dani pati të martën provën e parë në skenën e Festivalit të Këngës Europiane, që këtë vit do të zhvillohet në Austri, Vjenë. Menjëherë pas provës ajo dha edhe konferencën e parë për shtyp në prani të dhjetëra gazetarëve ndërkombëtarë, që këto ditë po ndjekin nga afër çdo lëvizje të konkurrentëve nga e gjithë Europa. 

Elhaida Dani ne Viene

Kurioziteti i parë i gazetarëve të huaj për Elhaidën ishte emri i saj dhe domethënia e tij. Me sinqeritetin e një 22-vjeçareje ajo tregoi se si deri para dy viteve as nuk e dinte që emri i saj mbartte një kuptim, por e gjendur shpesh para së njëjtës pyetje, iu desh të kërkonte për të. Ajo thotë se prejardhja e tij është nga bota arabe dhe në vetvete do të thotë “drejtues” ose “diçka që të drejton diku”.

Këngëtarja nga Shqipëria është parë si një konkurrente e fortë në këtë edicion evropian, edhe për faktin se ajo ngjitet në skenë me statusin e fitueses së “Voice of Italy”, një titull i cili, sipas gazetarit rumun mund të ketë ndikuar në fitoren e mëpasshme të Festivalit të Këngës në RTSH.

E pyetur për këtë fakt, ajo nuk shqetësohet aspak, duke u përgjigjur se si fillim eksperienca e një programi si “Voice” dhe puna me një mentor si Coccante kanë qenë të vlefshme artistikisht, por edhe profesionalisht. Dilemat e gazetarëve se përse ajo vendosi të ndryshonte këngën në minutat e fundit, Elhaida i shuan me një sinqeritet të shpejtë, teksa tregon se as ajo nuk e dinte që nuk kishte më një këngë dhe kjo i ishte bërë e ditur nëpërmjet një telefonate nga drejtues të festivalit. Prej tyre mësoi se autori ishte tërhequr.

Në këtë mënyrë ajo nuk u dorëzua, por punoi për këngën, të cilën e realizoi në vetëm 3 ditë. Kurioziteti për përfaqësuesen shqiptare nuk ndalet, pasi ajo pyetet për mesazhin e këngës, nëse ai është një fiction apo një realitet i jetuar nga vetë këngëtarja. Elhaida nxiton të sqarojë që ajo është kënga, fabula dhe kënga është ajo.

Me pak fjalë, në këtë këngë të gjallë të saj, flitet për forcën për dashurinë, për dobësitë, momentet ku njeriu qan e qesh, dashuron e lumturohet aq sa edhe hidhërohet. “Unë jam ashtu, unë ndihem e fortë, ndihem e lumtur, e qeshur, ndihem vërtet e gjallë, kjo jam unë”, rrëfen Elhaida nga kolltuku, ku ka filluar të provojë të dridhurat e garës.

“Nëse do më pyesni si ndihem, ju them që jam e frikësuar, por kënga është ajo që dua më shumë dhe jam e lumtur që ndodhem këtu”, i përgjigjet ajo një tjetër pyetjeje nga forumet sociale, të cilët duan të dinë se çfarë mund ta bëjë Elhaidën të ndihet më shumë e gjallë se dashuria.

E ndodhur mes dhjetëra aparateve dhe vëmendjes ndërkombëtare, Elhaida duket në rrugë të mbarë, kjo edhe sipas menaxheres së saj italiane prej një viti dhe tekstshkruesit të këngës, Sokol Marsi. Shqipëria do të performojë e katërmbëdhjeta në natën e parë gjysmëfinale, më datë 19 maj. Kënga titullohet “I’m alive”, kompozuar nga Arbër Elshani e Kristijan Lekaj (Zzap’n’Chriss).

NGA VJENA/
GENTIANA RAMADANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura