Eleonora e “Big Brother”: Mendjeve të bukura vështirë t’u buzëqeshë fati

Jun 22, 2015 | 11:45
SHPËRNDAJE


Me inteligjencën e një “shahisteje”,  Eleonora i tërhoqi të gjithë të ndiqnin “lojën” e saj në “Big Brother 8”, sa filozofike, aq edhe të thjeshtë në detaje. Si përfundim nuk e fitoi betejën, lojë që  e fitoi aleati i saj, Vesel Kurtishaj. Pasi “BB” ka përfunduar, Eleonora tregon pse nuk fituan as ajo as Fatjoni dhe pse modeli i djalit si Veseli rezultoi i suksesshëm.  
U duk se ishe pranë fitores, por për çudi fitoi aleati yt në lojë, Veseli. Ishte ky zhgënjimi më i madh që ke provuar?
E kisha përgatitur veten javën e fundit që nuk do të isha unë fituesja. Arrita të kuptoja gjithçka ndodhte jo vetëm brenda asaj shtëpie, por edhe jashtë. Gjithë analiza që i bëra unë vijueshmërisë së formatit për tre muaj, duke i dhënë peshë çdo detaji që ka ndodhur aty, më bëri që ta përjetoja finalen që një javë përpara, prandaj dhe unë po ndihesha e pafuqishme në fund, pavarësisht se gjendja ime iu servir publikut nga jashtë sikur unë e fala lojën. Jo, unë nuk e fala. Thjesht kuptova gjithçka. Mos u çudisni!
Pra, Veseli e meritoi fitoren, çfarë sakrifikoi ai?
Sigurisht që e meritoi. Mes gjithë atyre prurjesh, që mbante paneli i finales duke përjashtuar pa modesti veten, ai ishte modeli më i pranueshëm për kurorëzim. Pse e përjashtoj veten? Sepse unë fitova lojën brenda në fushë, ndërsa Veseli e fitoi edhe në tribunën e tifozëve.
I zhgënjyer u duk se u ndje dhe Fatjoni, rival yt i fortë. Ia ndieje rrezikun dhe cilat ishin vlerat e tij për fitues?
Aty gjithkush hyn për të fituar, edhe Fatjoni. Zhgënjimin e tij unë do ta shpjegoja me faktin që atij iu njësuan opinionet brenda shtëpisë, por iu miksuan nga jashtë, aq sa e dëmtuan dhe e lanë të gabonte në mënyrë të vazhdueshme. Ai pretendonte fitoren mbi sjelljen e tij, që ai nuk ishte më në gjendje ta kontrollonte.
Nëse do i ndaje në dy grupe “i miri dhe “i keqi”, cilët do veçoje si të tillë?
Nuk ka të mirë dhe të keq. Ka vetëm lojtarë të fortë dhe të dobët. Të fortët hedhin gjithçka në fushë, përballen me kundërshtarin, krijojnë situata, argumentojnë qëndrime dhe nuk justifikojnë sjellje. Nuk do i shihja si grupe të veçanta, por si stereotipa për të mos u humbur. Dhe për mua dy emrat avangardë të atij formati ishin Noa dhe Alba.
U cilësove si mendja e bukur e “BB”. Realisht hyre në lojë që bota të të njihte për atë që je, apo të duheshin patjetër paratë?
Hyra thjesht dhe vetëm për të fituar. Si duket, mendjeve të bukura vështirë se u buzëqesh fati, sidomos në formate të mbyllura. Por, meqenëse nuk i fitova dot paratë që do me jepnin, po vazhdoj të shijoj mendjen e bukur që kam. Tani, pse jo, edhe botën që më njohu!
Disa prej banorëve thanë se humbën paratë, por gjetën dashurinë. Do rezistojnë çiftet e krijuara në “BB8”?
Kam qenë gjithmonë kritike për çiftet brenda në shtëpi, kur ato përdoreshin si suport për lojë. Asnjëherë nuk më ka interesuar t’i shoh më shumë se kaq, prandaj dhe përgjigjja ime mund të jetë jo gjithpërfshirëse. Çifti që më ka përcjellë klimën e dy të dashuruarve aty brenda ka qenë Alba-Diedon. Sa do të zgjasë? Po edhe atyre po t’ia bëni këtë pyetje nuk e dinë. Të njëjtën ndjesi po më japin edhe jashtë. Eshtë e dukshme dhe e bukur ajo që ata ndjejnë për njëri-tjetrin.
Një mendje e bukur pa dashuri ka kuptim? Binte në sy fakti se përjashtoje veten nga ndonjë flirt apo të flisje për ndjenjat e tua, pse?
Flirti ka qenë gjëja e fundit që unë mund të mendoja aty. Resurset që më ofronte natyra ime prodhonin kaq shumë kushte optimale për figurën  që kam, saqë mund të qëndroja me këmbë në tokë pa frikë. Unë kështu funksionoj edhe jashtë. Flirti nuk është zgjidhja dhe zgjedhja ime në asnjë situatë. Ndotja fonike që prodhon nervi i mendimit tim nuk i lë radhë asnjëherë gjuhës së trupit.
Beson te një dashuri në të ardhmen?
A besoj unë te një dashuri në të ardhmen? Nuk i kam orientuar ndjesitë e mia ende drejt kësaj metafore. Por sigurisht edhe mund të ndodhë. Unë jam një femër.
Duket sikur lufton kokë më kokë me meshkujt. Si femër e zgjuar çfarë burri do të pranoje të kishe në krah?
Të gjitha femrat janë të zgjuara, por kur vjen momenti për të selektuar një model mashkulli, une mendoj se vështirësohet puna. Më pëlqejnë meshkujt me botë, shpirt të lirë, por me këmbët në tokë. Kërkova shumë… Më falni!
Pika jote e fortë është elokuenca, mund të jetë e ardhmja jote në televizion?
Planet e mia tani janë lëshuar pa fre. Po sigurisht që do më pëlqente ta shihja veten në një televizion në të ardhmen e afërt. Jam duke pritur ndonjë ofertë që mund të më adresohet, jo mbi emrin Eleonora, por mbi brendinë dhe mendësinë Eleonora. Më falni, por doja t’i bëja pak reklamë vetes, meqë tani kam ngelur edhe pa punë (qesh).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura