Elda Laro: Dirigjenti të drejtojë pa treguar që është ai drejtuesi

Apr 16, 2016 | 14:04
SHPËRNDAJE

 

Edhe sikur skenografia e operës “I Capuleti e i Montecchi” të ishte e mirë, edhe sikur regjia të kishte arritur të përcillte dinamikat e një dashurie të mallkuar, të pranishmit në sallë nuk do t’i ndanin sytë nga ai kënd i Teatrit të Operës dhe Baletit, ku ndoshta nuk i kishin hedhur asnjëherë më parë.

11182116_1428112420824679_8145855555986665868_n

Po shihnin dirigjenten Elda Laro. Është folur dhe dihet aq pak për të, saqë edhe informacioni që iu dërgua gazetarëve nga Ministria e Kulturës ishte i gabuar. Për këtë arsye, përpara se të mësojmë se pse është kaq e rrallë që në krye të një orkestre të jetë një grua (jo vetëm në Shqipëri) e kemi pyetur për zhvillimin kronologjik të shkollimit e muzikës së saj.

Elda Laro e ka nisur në Shkodër rrugën e muzikës. Ishte aq e talentuar saqë muzikantët më të mëdhenj të kohës si Çesk Zadeja e Feim Ibrahimi e kërkuan të transferohej në Tiranë. Mamaja e saj nuk kishte gabuar! E bija kishte marrë prej saj gjithë pasionin që ajo vetë nuk i dha dot muzikës. Për kohën, nuk ishte pak as që të mësoje në mënyrë autodidakte notat, siç bënte mamaja e Eldës, vetëm se e bija do të shkonte shumë larg.

Ende nuk ishin ndërruar sistemet kur Laro fitoi bursë për të studiuar në Konservatorin “Giusepe Verdi” të Torinos. Shkollimet pastaj do të ndiqnin njëri-tjetrin. Koncertet nëpër salla teatrosh të famshëm të botës, gjithashtu. Pas përvojash të shumta, sot, Elda Laro, është dirigjente e dytë në Operën e Berlinit. Pak kohë më parë ishte për herë të dytë në Shqipëri për “I Capuleti e i Montecchi”, pas “Carmina Burana”. 

Mbase nuk është më e rëndësishmja për ju, por e nisim bisedën me klaviçembalin…Nuk është nevoja t’ju themi sa pak e njohim në Shqipëri… Nëpër lexime mësova se është konsideruar instrument luksi i muzikës baroke. Duke qenë pianiste, ju ishit afër saj, por pse e zgjodhët?

Vendosa të studioj e të diplomohem në klaviçembal, së pari për interesin ndaj instrumentit, pjesë e njohurisë së instrumenteve tastieristike që çdo pianist duhet të njohë. Gjithashtu, e pashë të domosdoshme afrimin tim me këtë instrument, pasi klaviçembali luan një rol të rëndësishëm edhe në repertorin operistik barok, klasik e modern.

Në shumë opera të kompozitoreve si Monteverdi, Händel, Mozart, Rossini, Donizetti, Stravinsky etj., ky instrument ka qenë frymëzim i kompozitorëve si për shoqërimin e këngëtarëve gjatë recitativëve në opera, ashtu dhe si instrument solist.

11822853_1457794901189764_3906078854955158376_n

Nga historitë e muzikantëve të famshëm dimë që puna me instrumentin ka nisur që kur ata nuk e kujtojnë, fare të vegjël, shumicën e rasteve shtyrë nga një familjar gjithashtu muzikant. Si ka qenë historia juaj e dashurisë me muzikën? Ju ka nxitur gjeni, apo… ?

Shkak për t’i hyrë muzikës është bërë nëna ime. Në familjen a në fisin tim nuk ka asnjë muzikant, por nena ime ishte e talentuar dhe e prirur si për muzikë, ashtu dhe për gjuhët e huaja. Ajo fliste rrjedhshëm rusisht dhe lexonte notat muzikore pa i studiuar, ishte autodidakte. Falë ndjeshmërisë së saj artistike, arriti të dallojë tek “unë fëmijë” prirjet për muzikë.

Kur kam qenë fëmijë, këndoja, kërceja dhe bëja shfaqje të vogla në qytetin tim, Shkodër, si aktore komike. Për më shumë, nga mosha 9 vjeç m’u dha rasti në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës të filloja studimet, të shoqëroja këngëtarët gjatë provave skenike të operës “Mrika” të kompozitorit shkodran Prenkë Jakova.

 

12321684_1528171937485393_6985297486474516175_n

Për studimet e mëpasshme ju u larguat jashtë Shqipërisë, në një kohë që ishin fare të paktë ata që mundeshin. Ishte viti 1989… Si ka qenë historia?

Ministria e Kulturës në vitin 1985, pas kërkesës së disa artistëve të njohur shqiptarë si Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja e Zhani Ciko, vendosën të më tërheqin për studime në Tiranë, ku unë vazhdova në liceun artistik “Jordan Misja” e më pas studimet e pianos në Akademinë e Arteve nën drejtimin e pianistes së njohur Margarita Kristidhi.

Pas 5 vjet studimesh në Tiranë, fitova të drejtën e një burse nga Ministria e Kulturës për të ndjekur studimet e pianos në konservatorin “Giusepe Verdi” të Torinos, nën drejtimin e pianistit italian Remo Remoli. Flitet për vitin 1989, një vit përpara rënies së komunizmit.

Kur dhe si nisi angazhimi juaj i mirëfilltë muzikor, tashmë si e shkolluar në një konservator të rëndësishëm dhe me përvojat e para…

Në vitin 1994 u diplomova në piano me rezultatin më të lartë dhe pastaj në dhjetor fitova një tjetër bursë studimi në Paris nga “Akademie Villecroze” për t’u perfeksionuar në muzikën bashkëkohore me një nga pianistët më të njohur të këtij repertori, pianisti francez Claude Helffer. Pas dy viteve studimi në Paris, u transferova në Salzburg, në Mozarteum Musikhochschule, për t’u perfeksionuar me pianistin e njohur gjerman Alfonso Kontarsky.

Me kohë, kurioziteti për teatrin dhe operën, prirjet e gjithanshme që kisha, përvojat që jetova gjatë viteve më shtynë t’i hyja seriozisht fushës operistike, dëshirë që besoj kishte lindur me mua që fëmijë. Gjithashtu, në Paris, gjatë dy viteve studimi jetova te shtëpia e një këngëtareje lirike… Këto ishin disa shenja që më dhanë të kuptoja që duhet të ndiqja fushën operistike, një fushë që më ka dhënë shumë kënaqësi personale. Kështu që në vitet 1998/2000 u perfeksionova si “Maestro Sostituto”, “Maestro Collaboratore”, në akademinë e teatrit “La Scala” të Milanos.

Në vitin 2008 u diplomova në klaviçembal. Luaj gjithashtu violinë, instrument që e adhuroj që prej fëmijërisë. Këndoj hera-herës për hobi, njësoj siç luaj xhaz apo pingpong, në rast se nuk jam duke shëtitur me biçikletë.

Pas këtyre përvojave, zgjodhët t’i dedikoheni shoqërimit pianistik për çka edhe u specializuat. Pse këto kapërcime, nëse mbajmë në mend edhe dirigjimin…?

Kam punuar në këtë fushë dhe si pianiste në disa teatro e institucione, një ndër të cilët edhe teatri “La Scala” i Milanos, “Piccolo” Milano, “Orchestra Verdi” Milano, “Teatro Regio” e Torino, “Ravenna Festival”, “Aix-En – Provence” Francë, “Kaufmann Center” Nju Jork, “Wigmor Hall” Londër, “Salle Pleyel” Paris, “Theater Münster” Gjermani, e shumë të tjerë.

Ne dimë fare pak, por me atë informacion që kemi dirigjentet femra të orkestrave, nuk se i gjen me një të lëvizur të syve. Rasti juaj?

Vendosa të dirigjoj, pasi përvoja e gjatë në teatër më bëri t’i afrohem më shumë e në mënyrë globale operës dhe muzikës. Për më shumë, që studente e kam pasur këtë ide, por fillova ta realizoj tani, pasi, me sa duket nuk kam qenë gati për këtë rrugë të re. Ky është edhe një moment ku njerëzit janë kuriozë të shohin femrat si dirigjente.

Besoj se është moment i mirë edhe për mua. Jam e lumtur që e nisa këtë rrugë sepse e shoh që çdoherë që dirigjoj, kënaqësia dhe përmbushja ime shpirtërore rritet. Por kjo s’do të thotë që tani nuk kam më dëshirë të luaj në piano, përkundrazi…, edhe dirigjimi ashtu si shoqërimi i këngëtarëve më japin mundësinë të luaj në piano edhe më mirë.

Kjo sepse frymëmarrja e njohja më e thellë e një vepre bën që ekzekutimi i një vepre muzikore të jetë në një shkallë më të lartë interpretimi. Katër vitet e fundit kam punuar gjithashtu si Chorleiterin (drejtor kori) në Münster, me të cilin pata mundësi të bëj disa koncerte në Gjermani dhe një turne në Sicili në verën e vitit 2014.

Pse janë të pakta femrat dirigjente, ç’specifika ka ky rol në muzikë që i mban ato larg? Sa sy e sa veshë duhet të ketë dirigjenti për të menaxhuar të gjithë orkestrën, apo sytë e të gjithëve janë tek ai/ (ajo në këtë rast)?

Dirigjenti, së pari duhet të ketë vesh të mprehtë, ndjeshmëri të veçantë, përvojë të madhe, të njohë shumë mirë instrumentet, të njohë partiturën në detaje përpara se të fillojnë provat me orkestër apo me këngëtarë.

Të dijë se si duhet të tingëllojë orkestra, të ketë një vizion të tijin personal të veprës që do të dirigjojë, të respektojë stilin e veprës që kompozitori kërkon, të dijë, të ndjekë mirë këngëtarët në shoqërimin sa më ekspresiv të tyre e të marrë frymë bashkë me to…, pastaj të njohë edhe kohën që i duhet çdo instrumenti orkestral për përgatitjen e çdo note, pasi çdo instrument frymor merr frymë në mënyrë e shpejtësi të ndryshme nga tjetri.

Harqet janë pjesë e rëndësishme, pasi ato janë gjithë kohën të angazhuar në një vepër, flas për repertorin operistik e sinfonik. Ka dhe shumë elementë të tjerë, sigurisht…

Po mendoja që ky njeri duhet të ekzistojë vetëm në libra a filma, pastaj u kujtova që ju kam parë ju… A e dalloni ju kur mes dhjetëra violinave njëra në një çast i devijon notës së duhur?

Dirigjenti, për mua, duhet të jetë “timonier” i ndjeshëm dhe i sigurt, me përvoja të mëdha si muzikant, por edhe në jetën sociale, pasi ka të bëjë me artistë të ndjeshëm, si ai vetë. Duhet të njohë mirë psikologjinë e muzikantit/artist e të dijë të drejtojë masat e mëdha si kori, orkestra, baleti e solistët.

Dirigjenti duhet të drejtojë në momentin e duhur… dua të them, dirigjent nuk është ai që mban vetëm kohën e që dirigjon masat, dirigjent është ai që di edhe të dëgjojë orkestrën, korin, solistët…

Ato baketat që duket sikur vizatojnë nota në ajër, e bëjnë vërtet apo… duken gjithnjë lëvizje filmike të kuptueshme vetëm nga muzikantët. Një vallëzim i duarve që përkthehet vetëm nga orkestra. Si përçohen mesazhet në këtë rast?

Duhet ndjekur hapat e gjithçkaje dhe drejtimi i së gjithës duhet të bëhet me elegancë e me ekspresivitetin më të madh, por pa i shkaktuar stres askujt. Drejtuesi, dirigjenti në këtë rast, duhet të jetë frymëzim për orkestrën, t’u japë kënaqësi dhe t’i udhëheqë pa ua bërë të ditur se po bën këtë gjë.

Duhet të jetë i thjeshtë, i qartë në drejtimin e tij. Ai nuk duhet të jetë pengesë apo stres i ekzekutimit në lojë të solistit, apo të masave. Dirigjimi i tij duhet të jetë aq i qartë dhe i bukur, sa t’i bëjë artistët të kënaqen me artin e tij e me artin e tyre. Koncepti im është pak i komplikuar ndoshta… Shpresoj të më keni kuptuar.

Duket ideali, por si mësohet e gjithë kjo, a mësohet dirigjimi?

Dirigjimi mësohet, sigurisht nuk improvizohet. Por shkolla më e madhe e dirigjimit them se është jeta dhe përvoja e artistit. Dua të shtoj që për këtë fushë është e rëndësishme të kesh autoritetin e duhur dhe një “carisma e fascino” të lindur.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura