Elbasan, gati impianti i përpunimit të mbetjeve urbane

Jun 24, 2016 | 13:41
SHPËRNDAJE
Ka përfunduar investimi i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, duke bërë të mundur evitimin e ndotjes së qytetit të Elbasanit që prej vitesh ka ardhur si pasojë e djegies së plehrave në  fushën e vjetër që ndodhej shumë pranë varrezave publike.
landfill
Kreu i bashkisë  Qazim Sejdini duke e cilësuar si një nga veprat më të rëndësishme të realizuara në Elbasan, tha se tashmë pritet të investohet në mbylljen e kanalit të ujrave të zeza që përshkon varrezat publike.
“Edhe pse gjatë nisjes së investimeve e deri në përfundim ky investim ishte mosbesues , por tashmë kjo vepër është kthyer në realitet dhe shumë i besuar, dhe më në fund qytetarët elbasanas nuk do të kenë më problem për  përpunimin e mbetjeve urbane”, tha në fjalën e tij Sejdini.
Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane i cili i nisi punimet në muajin mars të një viti më parë cilësohet një prej projekteve më të mëdha në fushën e mjedisit, ndërtimi i një impianti, i pari i këtij lloji në vendin tonë. Me një investim prej 22 milionë euro ky impiant parashikon t’i japë zgjidhje problemit serioz të trajtimit të mbetjeve urbane dhe t’i shndërrojë ato në energji.
Impianti, është vendosur në vendgrumbullimin e mbetjeve në anë të ish Kombinatit Metalurgjik, i cili ishte kthyer në një rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin për qytetin dhe zonat përreth, ku gjenerohen rreth 120-140 tonë mbetje të ngurta urbane.
Ky investim parasheh avantazhe jo vetëm për Elbasanin, por edhe më gjerë. Nga njëra anë, i jepet zgjidhje një problemi serioz në vend, mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve, por nga trajtimi teknologjik i tyre do të përfitohet edhe energji e gjelbër. Investimi i kushton rëndësi të posaçme, përmbushjes së kërkesave teknologjike dhe mjedisore sipas standardeve europiane. 
Impianti ka në përdorim një teknologji bashkëkohore, që siguron shmangien e çdo ndikimi negativ në mjedis. Falë kësaj teknologjie që siguron djegie në 360 gradë, në impiant mund të trajtohen edhe mbetje spitalore.
Po ashtu, projekti parashikon edhe krijimin e një brezi të gjelbëruar përreth digës . Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane  do  të sjellë ndikim edhe në ekonominë lokale.
Nga përpunimi i mbetjeve parashikohet të sigurohen rreth 400 tonë skrap dhe plastikë në vit, prej të cilave vlerësohet të gjenerohet një e ardhur vjetore prej 90 mijë euro.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura