Ela Tase: Nostalgji për pianon dhe xhirot e Tiranës

Dec 30, 2012 | 10:54
SHPËRNDAJE

Nga pianoja, te grupi i këngës dhe ai i kërcimit në Pallatin e Pionierit, kampione volejbolli. Ela Tase hap sëndukun e kujtimeve, duke risjellë zhurmën e xhirove tiranase, lokalet me pista vallëzimi e pushimet te gjyshja në Korçë.

E rritur në mes të kryeqytetit, në një nga lagjet e vjetra me tiranas autoktonë, ajo mund të prekte nga afër një jetë tjetër… Sot gjithçka e kujton me shumë mall dhe, nëse ka nevojë të rifreskojë kujtesën rreth momenteve të bukura personale apo familjare, bëhet disi nostalgjike. Të pashlyera mbeten për Ela Tasen ato xhirot që organizoheshin çdo të shtunë e të diel në Tiranë. Dorë për dore me prindërit dhe të vëllain, ata ecnin më këmbë, ndërsa rrugës ndesheshin me përshëndetjet e rastit o fytyra të panjohura. Sikundër edhe darkat në lokalin e famshëm me pistë vallëzimi pranë zonës së Liqenit Artificial, ku ajo u rrit me imazhin e prindërve që vallëzonin bashkë, e ajo me të vëllain i ndiqnin me duartrokitje. Janë momente që nuk përsëriten më në jetën e volejbollistes së njohur Ela Tase, ashtu siç për të nuk përsëriten më kampionatet e famshme sportive, trofetë e njëpasnjëshëm me të cilët është vlerësuar, por që Elës sot i duhet t’i shohë si pjesë të jetës, e të kaluarës profesionale.
Shpesh i kujton me mall këto çaste të bukura, sidomos pas humbjes së të dy prindërve në një moshë disi të re.

Ela dalë gjatë viteve të gjimnazit

Kujtimet e fëmijërisë
Kohët ndërrojnë, jeta sjell të tjera shije, por janë ca nga ato që nuk përsëriten më. “Bëhem nostalgjike sa herë që mundohem të kujtoj shëtitjet me prindërit. Janë disa momente që nuk përsëriten më në jetë, e njeriu ndien shpesh dëshirën për t’iu rikthyer, por kupton se është e pamundur. Kështu ndodhte edhe në fëmijërinë time. Po ashtu, asnjëherë nuk kam për t’i harruar darkat në një lokal me pistë vallëzimi pranë zonës së Liqenit Artificial të Tiranës. Prindërit na merrnin gjithnjë me vete mua dhe tim vëlla, dhe përveç ushqimit, pjesa e vallëzimit të çifteve ishte pjesa më e bukur. Unë i ndiqja me sy prindërit e mi dhe ngazëllehesha kur shihja lëvizjet e tyre, kapjen e ritmit. Janë disa ngjarje që e di mirë se nuk ndodhin sërish…”. Dhe mbetet sërish në faqet e fëmijërisë, kur veronin te gjyshërit në Korçë. Asnjëherë nuk ka për ta harruar kujdesin e gjyshes së urtë, e cila i ulte në një stol të tri mbesat dhe u jepte nga një qese në dore, brenda së cilës ishin penjtë moline, gjilpëra, gërshërët, ose grepi për më të rriturat. “Kujtime të pashlyera, sidomos muajt e verës që kaloja me familjen në Korçë. Punët e dorës, që kam përgatitur në moshë të vogël, gjyshja m’i ka dhënë edhe në pajë në vitin 1982, kur u martova. Është ndjesi e veçantë kur kujtoj gjëra të bukura, sidomos kur ato ndodhin në fëmijëri, përzier me brishtësinë dhe naivitetin e moshës”, thotë volejbollistja, së cilës në momentin që i përmendet emri, instinktivisht portreti i lidhet me volejbollin. Por pakkush mund ta dijë se fëmijëria e saj ka qenë e gjitha e lidhur me artin. Fillimisht u lidh me pianon, e më pas u bë pjesë aktive e grupit të këngës e të vallëzimit. Kjo ndodhi deri në momentin që volejbolli u bë pjesë e jetës së Elës. Stërvitjet e zgjatura, angazhimi në klubin sportiv “Dinamo” bën që e gjithë jeta e saj profesionale të kuptohej e pandarë nga volejbolli. Pas trofeve dhe sukseseve herë si kampione e vendit dhe tri herë si kampione e Ballkanit, momenti i shkëputjes nga sporti, në moshën 37- vjeçare u përjetua si “dramë” nga ana e saj. “Më kujtohet ajo periudhë kur qaja dhe, nëse shfaqej volejboll në televizor, menjëherë e fikja. Nuk doja të shikoja top me sy dhe kjo më zgjati për disa kohë, derisa humbjet njerëzore shoqëruan jetën time: fillimisht vdekja e nënës, e pak vite më pas edhe e babait”, vijon ajo.

Ela Tase gjatë marrjes së Kupës së Republikës, në kampionatin kombëtar të volejbollit, 1977

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura