Ekzekutimi tek Parku i Liqenit, Policia arreston shoqëruesin e vrasësit (EMRI)

Mar 17, 2019 | 15:05
SHPËRNDAJE

Haxhi-BaçinoziPolicia e Tiranës ka arrestuar një prej personave të dyshuar për vrasjen e 62-vjeçarit, Haxhi Baçinozi(Baçinovski), i cili u ekzekutua në prani të djalit të mitur, dje në mbrëmje pranë Parkut të Liqenit të Tiranës.

Sipas policisë sot është arrestuar 56-vjeçari Myftar Pasha, i cili mësohet të jetë mik i autorit që kreu vrasjen me tri plumba.

Ndërkohë që Policia është ende në kërkim të autorit, i cili është identifikuar si Islam Myrtaj.

Mësohet se shkak i konfilitit ishte borxhi prej rreth 46 mijë eurosh që autori, i kishte viktimës 62-vjeçarit, Haxhi Baçinozi.

“Arrestohet një 56-vjeçar për “Moskallzim krimi” në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Bill Klinton”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B.
Specialistët për Hetimin e Krimit ndaj Jetës dhe pronës në DVP Tiranë, arrestuan shtetasin: M. P., 56 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas në momentin e vrasjes së shtetasit H. B., dyshohet se ka qënë me autorin e vrasjes dhe nuk ka kallëzuar krimin. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme”, thekson Policia.

VRASJA

Rreth orës 18:00, viktima e atentatit të djeshëm, në prani të djalit të tij, ka qenë duke shëtitur pranë një shkolle private që ndodhet në zonën e Liqenit Artificial. Gjatë këtij momenti, Baçinozi është qëlluar me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur rëndë. 62-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka marrë ndihmën e parë, por nuk u ka mbijetuar plagëve.

Sipas burimeve, viktima ka humbur jetën sapo do të futej në sallën e operacionit. Ngjarja ka alarmuar njerëzit, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë moment, si dhe djalin e tij, që dyshohet se ka qenë i pranishëm dhe është dëshmitar okular. Kujtojmë se në orarin kur ka ndodhur atentati, në Liqenin Artificial ka shumë lëvizje dhe atentati fatmirësisht nuk ka pasur pasoja edhe më të rënda.

Vrasja-liqeni
HETIMET
Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha dje se është identifikuar autori i ngjarjes dhe është duke u punuar për arrestimin e tij. Burime thonë se ka dyshime se ai është larguar me anë të një mjeti në drejtim të Saukut, megjithëse ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

Burimet shprehen të rezervuara në lidhje me motivin e kësaj ngjarje, që tronditi kryeqytetin pasditen e djeshme, duke thënë se është duke u punuar edhe në këtë drejtim, pasi ende nuk janë të qarta rrethanat. Ndërkohë, përpos ekspertimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë marrë edhe dëshmi të personave që kanë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, burime thonë se ka dyshime se autori mund të jetë ndihmuar nga një person tjetër për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. E gjitha zona e Liqenit Artificial u rrethua dje nga Policia, e cila ushtroi edhe kontrolle, me qëllimin e gjetjes së ndonjë prove të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.

VIKTIMA

Haxhi Baçinozi, 62-vjeçari i cili humbi jetën në një atentat në Liqenin Artificial, mbrëmjen e djeshme, mësohet se ka qenë ish-i përndjekur, i dënuar në sistemin komunist. Baçinozi lindi më 2 korrik të vitit 1957, në fshatin Radostinë të qytetit të Fierit. Më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, për “Agjitacion e propagandë”. Më tej, mësohet se viktima është dënuar sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “Veprën e terrorit në bashkëpunim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura