Ekzekutimi në pritë/ ‘Më rrezikohet jeta’, i riu u kthye se nuk fitoi azil. Autori e ruante, sapo iu afrua banesës…

Sep 7, 2018 | 13:55
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Detaje te reja nga ekzekutimi i 27-vjeçarit gjate oreve te para te mengjesit te djeshem në Mamurras. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:30, pranë banesës së tij në afërsi të xhamisë së qytetit dhe, sipas Policisë, viktima është Indrit Pepa.

pepa

I riu është transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në disa pjesë të trupit.

Sipas të dhënave, autori e ka ruajtur në pritë viktimën dhe sapo i është afruar banesës, e ka qëlluar me breshëri automatiku. Mësohet se para ngjarjes viktima kishte qenë në shoqërinë e disa miqve, me të cilët kishte qëndruar deri në orët e vona.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, Policia bëri të ditur se ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes. Ai është shtetasi Azis Markolaj, 49 vjeç, banues në Mamurras, i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se i riu është ekzekutuar për hakmarrje, pasi 6 vite më parë, në Mamurras, kishte kryer një plagosje. Ajo që konfirmohet është fakti që Pepajt nuk ishin ngujuar, por ruheshin nga ndonjë sulm hakmarrjeje.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar gëzhojat e armës të gjetura në vendin e ngjarjes, ndërkohë që në Polici janë shoqëruar disa persona, të cilët po merren në pyetje rreth ngjarjes. Policia po mban nën vëzhgim të dyja familjet e përfshira në konflikt nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme.

Viktima Indrit Pepa mësohet se që prej plagosjes jetonte jashtë vendit dhe prej pak kohësh ishte kthyer në Shqipëri, pasi nuk i kishin dhënë azil. Ai kishte kërkuar të strehohej jashtë vendit, duke argumentuar se në Shqipëri i rrezikohej jeta, por, sipas të dhënave, është kthyer mbrapsht nga shteti gjerman.

Madje, ai ka marrë edhe ekspuls, duke e pasur të pamundur të rifutet në asnjë vend të BE-së. Vetë Indrit Pepa, në faqen e tij të “Facebook”, ka shënuar te të dhënat e tij se jetonte jashtë Shqipërisë, në Amsterdam të Holandës dhe studimet i kishte kryer në Hamburg të Gjermanisë. 27-vjeçari mësohet se ishte i martuar dhe babai i një vajze 4 vjeçe. Të shtënat e armës kanë tronditur banorët e Mamurrasit, të cilët kanë njoftuar menjëherë Policinë.

Viktima u ekzekutua vetëm pak metra larg banesës së tij. Dyshohet se ai është mbajtur në survejim nga autori dhe e ka qëlluar në pritë, teksa po shkonte drejt banesës së tij. Në pyetje janë marrë edhe miqtë, me të cilët 27-vjeçari ka qëndruar deri në orët e para të mëngjesit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura