Ekzekutimi në lokal/ Vrasja e vitit 2000 në Vlorë, e shkuara kriminale e viktimës

Apr 21, 2017 | 14:02
SHPËRNDAJE

Dalin të tjera detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmë qytetin e Vlorës, kur persona ende të paidentifikuar ekzekutuan Ergys Gjioveshaj, 33-vjeçar, nga Vlora dhe plagosën tre të tjerë, mes tyre edhe një femër.

vrasje-vlore1

“Panorama” raporton se viktima, që ishte shenjestra e sulmit me armë ka qenë person me precedente, pasi ka qenë i dënuar për një vrajse në vitin 2000 në qytetin e Vlorës.

Si raporton gazetari i “Panorama”, viktima Gjioveshaj në vitin 2000 ishte bashkëpunëtor në vrasjen e Laert Alushit.

Ngjarja ndodhi në Vlorë, dhe pas krimit, ai u dënua me 12 vjet burg. Por nuk vuajti dënim, pasi u arratis jashtë vendit.

Ai u arrestua në vitin 2011 në Vjenë të Austrisë dhe u ekstradua. Nuk dihet se si autori ishte i lirë pasi duhet të vuante dënimin me 12 vite burg, por mësohet se çështja ka kaluar në disa shkallë të gjyqësorit.

Vrasja e vitit 2000 në Vlorë 

Pasditen e 20 nëntorit të vitit 2000 në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, përballë shkollës “Qemal Ataturk”, Gjioveshaj, atëherë 16 vjeç u përfshi në një konflikt me Muharrem A dhe Laert Alushajn.

Rreth orës 17:00, kanë qenë të ndaluar në krah të njeri-tjetrit, me të njëjtin drejtim, automjeti tip ‘Saurrel’, i drejtuar nga Muharrem A. dhe një autoveturë tip “Benz Mercedes” e drejtuar nga viktima Laert Alushi. Gjatë kohës që drejtuesit e të dy automjeteve kanë qenë duke biseduar njeri me tjetrin, mbrapa tyre kanë ardhur të gjykuarit, Ergys Gjioveshaj dhe Florian Meçe të cilët duke parë se rruga ishte e zënë, kanë kaluar në krahun e kundërt dhe gjatë parakalimit i janë drejtuar me fjalë fyese dëshmitarit Muharrem A.

Rreth 45 minuta më pas, viktima Laert, në qytetin e Vlorës, është takuar me të gjykuarin Florian Meçe duke kërkuar prej tij sqarime lidhur me fyerjen e bërë. Në kushtet kur ata nuk janë marrë vesh dhe duke fyer njeri-tjetrin reciprokisht ata janë ndarë. Në ndarje sipër, i gjykuari i është drejtuar viktimës me fjalët “…së bashku do ta zgjidhim ndryshe”.

Rreth orës 19:00, pas kësaj ngjarje, në rrugën “10 Korriku”, afër pishinave, automjeti i drejtuar nga viktima Laert Alushi, në të cilin ndodhej dhe dëshmitari Spartak H., është përballur me automjetin e ndaluar, tip “Benz Mercedes”, në të cilin ndodheshin dy të gjykuarit, Gjioveshaj dhe Meçe.

Florian Meçe, nga automjeti i tij, i ka bërë shenje viktimës që të ndalojë. Mbas ndalimit të automjetit dhe në kohën që viktima doli prej saj, Floriani, duke qenë dhe ky, në këtë çast jashtë automjetit, i është drejtuar atij duke i thënë “që kur ke ardhur nga Gjermania je bërë gangster i madh”.

Mbas këtyre fjalëve, në momentin që Floriani dhe viktima janë kapur me njeri-tjetrin, Ergysi ka shkuar në automjetin e Florianit nga ku ka marrë një armë luftarake, automatik. Duke qenë jashtë automjetit, me armën në dorë, të drejtuar nga viktima, ai i është drejtuar shokut të tij, Florian, duke i thënë “Lëre Lani, lëre, hapu”.

Floriani, pas thirrjes së shokut të tij, duke e larguar viktimën nga vetja e ka shtyrë atë me forcë në drejtim të armës, që i gjykuari Ergus mbante në gjendje sulmi. Veprimet e tij ky i gjykuari i ka shoqëruar me fjalët “na bjeri“.

Duke qenë në këto kushte, me armën që kishte në dore, Ergys Gjioveshaj ka qëlluar me breshëri në drejtim të viktimës, duke e dëmtuar atë fillimisht në këmbë dhe më pas në trup.

Pas kryerjes së këtyre veprimeve, të dy të gjykuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë aty armën me të cilën është kryer vrasja.

Viktimës i është dhënë ndihmë e menjëhershme mjekësore por jeta e tij nuk është mundur të shpëtohet. Ky ka qenë parashtrimi i ngjarjes nga ana e Prokurorisë në atë kohë.

 

 

Dëshmitë 

Në vend janë sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa ka dyshime se janë përdorur disa armë dhe se ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve.

“Dëgjuam të shtëna në formë breshërie dhe më pas ulërima e thirrje për ndihmë të të plagosurve. Dukej sikur u përdor më shumë se një armë”, u shpreh një banor i zonës.

Policia shoqëroi mbrëmë disa persona, të shumtët në cilësinë e dëshmitarëve apo të tjerë që mund të kenë dijeni për krimin.

Sipas njoftimit, “deri në këto momente janë shoqëruar 3 persona, me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Jane ngritur pika kontrolli, si dhe forca të shumta policore po krehin zonën përreth vendngjarjes për kapjen e autorit.”

Del foto/ Viktima i shtrire në lokal 

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sonte në mbrëmje qytetin e Vlorës. Një person ka humbur jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur pas një përplasje me armë zjarri.

vrasje-vlore1

Sic e shihni edhe ne foton e siguruar nga “Panorama”, trupi i viktimes eshte i shtrire mbuluar jashte lokalit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura