Ekzekutimi i shqiptarit me porosi të mafies greke? Kush është autori i dyshuar i vrasjes në vitin 2014

May 23, 2022 | 9:14
SHPËRNDAJE

SHPRESA DINE/ Enigma e ekzekutimit të një shqiptari në vitin 2014 në Greqi ka marrë fund pas rreth tetë vitesh.

shqiptari

Ngjarja u regjistrua më 29 dhjetor të vitit 2014, ku në km 50.5 të rrugës së Atikës, shpërtheu nga një bombë me telekomandë mjeti tip “Smart”, duke lënë të vdekur një shqiptar 35 vjeç dhe plagosur pasagjeren shqiptare, 26 vjeçe.

Kjo e fundit po udhëtonte me bashkëjetuesin e saj drejt aeroportit “Eleftheros Venizelos”, në drejtim të Tiranës. Shqiptari i vrarë u identifikua nga media greke një herë si V. Grillo e herë si Aleks Rrapo. Në banesën e 35-vjecarit të vrarë në “Ag. Dimitrios” Policia gjeti pistoleta, një revole, 103 fishekë dhe një granatë.

Ai kishte precedentë të mëparshëm për trafik droge, armësh dhe njerëzish, ndërsa u arrestua në vitin 2004 në Selanik dhe u dënua me tetë vjet burg. Ai u lirua katër vjet më vonë nga burgu i Larisës.

Rapo, ndërkohë, siç shkruhet më vonë në disa media për të, ishte i përfshirë në grabitjen me shpërthim të ATM-ve me metodën “plofkraak”. Ai mbante gjithashtu lidhje me një shtetas greke nga Iliupoli, i cili ishte akuzuar gjithashtu për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

Viktima kishte marrëdhënie dhe me njerëz të grupit të Arbër Bakos, i cili u vra në burg pak kohë më parë nga pjesëtarë të të njëjtit grup. “To Vima” shkruan se Prokuroria greke ka identifikuar si autor të ngjarjes një 46-vjecar shqiptar, pasi ky i fundit një natë para ngjarjes kishte përdorur mjetin tip “Smart” të shqiptarit të vrarë por edhe në bazë të disa indiceve të tjera.

46-vjeçari, shkruan “To Vima”, i cili tashmë rezulton i deportuar në Shqipëri dhe që mohon çdo përfshirje, është akuzuar në të kaluarën për dy vrasje në Pire dhe në një burg në Kretë, ka marrë pjesë gjithashtu në një për leshje me bashkatdhetarët e tij jashtë një klubi ku është vrarë një biznesmen në vitin 2019.

Përveç kësaj, ai është akuzuar për vrasjen e një bashkatdhetari të tij në vitin 2017 në Glyfada, por ai u shpall i pafajshëm. “Panorama” zbulon se të dhënat që paraqet media greke lidhur me identitetin e 46-vjeçarit, rezulton se i takojnë pikërisht Ralf Ferukut nga Peshkopia, i njohur ne Greqi si “Taqi shqiptari” apo “Noti”.

KUSH ËSHTË RALF FERUKU

Ralf Feruku u arrestua nga Policia më 29 janar 2021 në Lamia në një automjet të blinduar ku ndodhej ne shoqërinë e Alket Rizait, i cili kishte dalë për pak ditë me leje nga burgu. Në momentin e kapjes, Policia zbuloi se ndaj Ferukut rëndonte një urdhër arresti si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Roland Shembitrasit dhe Gjergji Kapajt ne “Joy Bar” në Glifadha në 8 tetor 2017.

Pas arrestimit, Feruku u mbajt në burg deri ne 12 prill 2021 kur u lirua ne urdhër te prokurorit pa asnjë masë sigurimi dhe u deportua në Shqipëri. Feruku për herë të parë ka rënë në pranga në vitin 1997 për vrasjen e një greku në Pire, por u dënua vetëm 5 vjet burg pasi vrasja u cilësua në kushtet e vetëmbrojtjes.

Gjatë qëndrimit në burgun e Kretës, në 1999, u dyshua bashkë me disa bashkëvuajtës të tjerë për vrasjen e një të burgosuri tjetër, por më vonë u shpall i pafajshëm. Ai dyshohet se tre vite më parë ka marrë pjesë në një shkëmbim zjarri jashtë një minikazinoje në zonën e Patisias. Për këtë ngjarje akuzohen edhe disa policë, të cilët u përplasën me armë me civilë për çështje të paligjshme.

Gjithashtu, në 2015, ai u akuzua si pjesëmarrës në një grup gjobvënësish në Athinë, Iliupoli etj. Mësohet se ai ka mohuar vrasjen e Roland Shembitrasit dhe plagosjen e Gjergji Kapajt, duke u shprehur se ishte mik i Rolandit dhe klient i lokalit “Joy Bar”. Ai u shpreh se vrasjen e kanë kryer të tjerë persona që nuk ishin të maskuar dhe se mes tyre dhe viktimës kishte një zënkë para vrasjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura