Ekzekutimi i ‘Manecit’/ Shoqërohen 12 persona në Polici, dëshmitarë të shumtë panë skenën e krimit. Viktima kishte tradhtuar grupin kriminal të “Rrumit” dhe…

May 19, 2022 | 10:41
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Detaje të reja raporton korespondenti i “Panorama” për atentatin e ndodhur mbrëmjen e të mërkurës së 18 majit në zonën e Sukthit në Durrës.

Arben Mërkuri alias Ismaili, 48-vjeç, u qëllua me breshëri automatiku në dyqanin e tij në zonën e Sukthit, duke ndërruar jetë pak momente më vonë në spitalin e qytetit. Viktima konsiderohet person me precedentë penalë në fushën e narkotike dhe krimeve kundër pronës.

Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë dy persona, të cilët kanë qenë të maskuar.
Ata kanë lëvizur me një automjet luksoz GLE me targa të vjedhura. Mësohet se pasagjeri i mjetit ka zbritur dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj dyqanit ku ndodhej viktima.

Në momentin e ngjarjes ka pasur shumë dëshmitarë.

Deri më tani janë të paktën 12 persona që janë shoqëruar pasi dyshohet se mund të kenë dijeni.

“Panorama” mëson se viktima ka qenë me precedentë penalë dhe kohët e fundit dyshohet se ishte bërë pjesë e një grupi kriminal që vepron në Durrës.

Më herët ai ka qenë pjesë e bandës së njohur të “Rrumit”.

NGJARJA

Ka qenë ora rreth 21:00 e mbrëmjes së shkuar kur persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të dyqanit të 48-vjeçarit për arsye ende të panjohura.

Të paktën dy plumba janë qëlluar në drejtim të Mërkurit, plumba të cilët kanë qenë fatalë për të.

“Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit Arben Mërkuri(Ismaili), 48 vjeç.

Për pasojë shtetasi A. M.(I.) u plagos në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital”, sqaroi Policia. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas krimit të rëndë, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes me një makinë luksoze tip “GLE”, me ngjyrë gri.

KUSH ËSHTË 48-VJEÇARI

Arben Mërkuri alias Ismaili nuk është një emër i panjohur për Policinë e Durrësit. Emri i tij u përmend gjashtë vite më parë pas dhunës barbare të biznesmenit libanez në zonën e Rinasit, Faad Mitri, dhunë e cila lidhej me një investim nga ana e tij në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 10 shtator të vitit 2016 dhe katër ditë më vonë, policia identifikoi 3 autorët e dyshuar të dhunës, përkatësisht Landi Muharremi i njohur si Rrumi i Shijakut, si dhe Arben Mërkuri dhe Skënder Krahja nga Sukthi.

Të dyshuarit, të tre nga Shijaku dyshohet se u paguan ose u porositën nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj, i cili pas këtij momenti u largua nga Shqipëria duke tërhequr investimin miliona eurosh.

Ndërsa automjeti tip “Tuareg”, me targa italiane, me të cilën ata përplasën makinën “Mitsubishi” ku ndodhej biznesmeni me familjen, ende nuk është gjetur.

Mërkuri i cili kishte edhe pseudonimin “Maneci”, dyshohet të jetë përfshirë edhe në ngjarje kriminale si pjesë e grupit të “Rrumit”.

Ende nuk dihet nëse krimi lidhet me larjes hesapesh.

Biznesmeni, Fadi Mitri, ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli. Ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë pësoi hematoma të shumta.

Si pasojë e dhunës pësoi thyerje të njërës këmbë dhe u detyruar të largohej me avion jashtë vendit për kurim. Sulmi ndaj tij u organizua nga tre persona, pasi fillimisht i përplasën makinën duke e nxjerrë nga rruga.

© Panorama.al

Te lidhura