Ekzekutimi i kunatit të Lul Kullës/ Policia po heton pistat, vrasja u krye nga tre persona, njëri…

Aug 13, 2018 | 17:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Policia e Shkodrës po heton vrasjen e 53 vjecarit, Fatbardh Liçi, kunati i Ilir Kullës, ku pista kryesore mbetet ajo e gjakmarrjes dhe autori mendohet të jetë një vrasës me pagesë.

Policia dhe prokuroria thotë se dyshohet se vrasja është kryer nga një person i cili ka pasur edhe dy bashkëpunëtorë për të realizuar planin.

I dyshuar i parë si bashkëpunëtor është ai që njoftoi se Liçi do ishte ne kafene, ndërsa ai i dyti e priti autorin e vrasjes me makine pas krimit.

Ata përdoren për të lëvizur një mjet të tipit Benz, i cili dyshohet se ishte vjedhur në Tiranë.

Si u ekzekutua kunati i Lul Kullës/ Autori i maskuar zbriti nga “Benzi”, viktima sapo e pa…

Vritet në një atentat me armë zjarri një 53-vjeçar në Shkodër. Fatbardh Lici dyshohet se u ekzekutua me breshëri për motive hakmarrjeje, pasi ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e Astrit Kurtmemaj, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2011.

fatbardh-lici

 

Asokohe, Lici u la i lirë pasi nuk pati prova, ndërsa Policia po heton hakmarrjen si pistën kryesore në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi dje rreth orës 07:00. Viktima është kunati i të fortit të Shkodrës, Lulzim Kulla, i cili i shpëtoi një atentati me shpërthim tritoli në Shkodër. Por, deri më tani, grupi i hetimit nuk e ka lidhur me këtë ngjarje vrasjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm.

NGJARJA

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Guerrile” në Shkodër ose në vendin e njohur si ish-”Poçeria”. Sipas të dhënave, Fatbardh Lici po pinte i vetëm kafe në një prej lokaleve të zonës. Ai ishte ulur në një prej tavolinave në mjediset e jashtme të lokalit kur rreth orës 07:00, një person i maskuar është afruar deri rreth 20 metër vendit ku ndodhej 53- vjeçari. Një dëshmitar i ka pohuar Policisë se autori, para se të hapte zjarr me breshëri, i ka thënë viktimës “të fala”. Më pas, ai ka zbrazur 15 plumba drejt tij, ku gjashtë prej tyre e kanë prekur në trup duke i shkaktuar vdekjen.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i kanë pohuar grupit të hetimit se sapo viktima është përballur me autorin, ai ka tentuar të ngrihet nga tavolina duke u drejtuar për te mjeti i tij, i parkuar vetëm pak metra më tej. Por plumbat e kanë përshkuar në trup duke e lënë të vdekur në vend. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se autori i maskuar është afruar me një mjet tip “Benz” dhe ka zbritur prej saj duke iu drejtuar objektivit të tij.

Pas krimit të rëndë, ai është larguar me mjetin e tij në drejtim të lagjes “Rus”. Më pas ka marrë rrugën drejt bustit të “5 heronjve” në dalje të qytetit. Nga aty, autori dyshohet se është futur te rruga e “Dobraçit të Ri”.

Në segmentin e parikonstruktuar ka ecur rreth 100 metra, duke marrë kthesën në një rrugicë dytësore dhe më pas i ka vënë flakën mjetit. Dyshohet se aty ai mund të jetë larguar më këmbë ose dikush tjetër mund ta ketë pritur për ta larguar nga zona. Sipas burimeve policore, mjeti është djegur tërësisht, duke mos lënë asnjë shenja brenda apo jashtë makinës tip “Benz”.

HETIMI

Pas vrasjes së ndodhur në lagjen “Guerrile”, menjëherë në vendngjarja, kanë mbërritur forcat e Policisë dhe një ambulancë e Spitalit Rajonal të Shkodrës. Ka qenë e pamundur për t’i dhënë ndihmën e parë sepse 53-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Efektivët kanë mbledhur të gjitha provat e mundshme në vendin e ngjarjes.

Në momentin e vrasjes, në lokal ku ndodhi ngjarje ka pasur një numër të pakët personash. Po ashtu, nuk ka pasur kalimtarë të rastit në momentin e krimit. Policia ende nuk ka një pistë konkrete për ngjarjen, por paraprakisht ka dyshime se krimi ndodhi për hakmarrje pasi viktima ka qenë i dyshuar për vrasjen e Astrit Kurtmemaj.

Policia, në atë kohë, dyshoi se mund të kishte lidhje Fatbardh Lici, por pas shoqërimit të këtij të fundit u la sërish i lirë për shkak se nuk kishte asnjë provë ndaj tij. Viktima është kunati i të fortit të Shkodrës, Lulzim Kulla. Por, deri më tani nuk ka asnjë të dhënë për ta lidhur vrasjen e djeshme me Kullën.

Fatbardh Lici është vëllai i Musfata Licit, ky i fundit anëtar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës me Partinë Mendimi i Djathtë Liberal. Policia ka shoqëruar rreth 15 persona, pjesa më e madhe dëshmitarë ose persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen e ndodhur, por deri më tani nuk ka të arrestuar.

Atentati ndaj Lulzim Kullës, u plagosën 8 vetë

kulla

Nga shpërthimi i fortë, i ndodhur më 18 janar 2018 në Shkodër, mbetën 8 persona të plagosur. Lënda eksplozive ishte vendosur në një motor që ishte parkuar para një godine 2-katëshe në qendër të qytetit të Shkodrës.

Shpërthimi u krye me telekomandim në momentin që Lulzim Kulla po dilte nga godina në pronësi të tij, për të hipur në automjetin e blinduar, që ishte parkuar pak metra larg motorit. Nga shpërthimi, 43- vjeçari pësoi djegie, por nuk pati rrezik për jetën. Ndërkohë, përveç tij, u plagosën dhe shtatë persona të tjerë që ndodheshin pranë tij rastësisht.

Një muaj pas ngjarjes, si autorë të dyshuar të atentatit, Policia arrestoi dy të rinj nga Elbasani, Endri Çopja dhe Argel Lulaj. Ndërkaq, Lulzim kulla u arrestua pak javë më parë nga Policia Kufitare e Kakavijës, në tentativë për të kaluar me një pasaportë me identitet tjetër për në Greqi. Ai kishte ndërruar identitet, pasi rezulton i dënuar me 13 vite burg për trafik droge.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura