Ekzekutimi i Klevis Kapllanit/ Pak ditë para krimit, strehoi në shtëpi një person të rrezikshëm. Çfarë ndodhi me Audi Q7?

Sep 24, 2020 | 14:00
SHPËRNDAJE

Pas vrasjes së Klevis Kapllanit në Rrogozhinë në 15 shtator, i cili u gjet i pajetë në makinën e tij, mund të fshihet një person i shpallur në kërkim me rekorde të theksuara kriminale, me të cilin i riu kishte lidhje të ngushta.

Viktima Klevis Kapllani
Viktima Klevis Kapllani

Në këtë konkluzion ka arritur grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamera të sigurisë pranë banesës së 33-vjeçarit dhe ka marrë në pyetje familjarë të tij.

Nga këqyrja e kamerave, ka rezultuar se në ditët e para të shtatorit, 33-vjeçari ka strehuar personin e rrezikshëm që vazhdon t’i fshihet drejtësisë. Ka dyshime se Kapllani mund të ketë bashkëpunuar me të kërkuarin për disa ngjarje kriminale të ndodhura në muajt e fundit në trekëndëshin Elbasan-Durrës-Rrogozhinë.

Përveç strehimit Kapllani dyshohet se e ka ndihmuar edhe me transport pasi në të paktën një rast makina e autorëve të një vrasjeje në Durrës është djegur rreth 2 kilometër larg banesës së Klevis Kapllanit.

Dyshimet në lidhje me përfshirjen e 33-vjeçarit Klevis Kapllani në aktivitete kriminale në Shqipëri përveç precedentëve për trafik droge në Itali forcohen edhe më tej për faktin se 3 ditë para vrasjes, ai u ka dhënë mjetin e tij ‘Audi Q7’ në përdorim personave ende të pa identifikuar me të cilët kishte rënë dakord për t’ia kthyer më datë 14 shtator. Vetëm një ditë më pas ai u gjet i ekzekutuar me breshëri plumbash në rrugën pranë shtëpisë.

Policia po kërkon të gjejë edhe mjetin tip Audi dhe po punohet për identifikimin e personave që e kanë në përdorim atë për të parë nëse janë të përfshirë në ngjarje, bën me dije Balkanweb. Policia beson se personi i kërkuar, që mund të ketë gisht në vrasjen e Kapllanit, e ka kthyer në mënyrë të funksionuari eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij, për të zhdukur çdo gjurmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura