Ekzekutimi i Hekuran Billës/ Detaje nga gjyqi i 26-vjeçares, rrëfimi për njohjen me Sebastianin dhe ftesa në “Instagram” me hasmin e të dashurit

Jun 30, 2020 | 20:00
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Adiola Lakra, 26-vjeçarja e arrestuar si bashkëpunëtore në ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa, ka dëshmuar para oficerëve gjyqësorë duke treguar lidhjen me viktimën dhe njohjen me hasmit e tij.

Ajo ka shpjeguar se ka qenë në një lidhje me Billën, ndërsa ditën e ngjarjes ishte nisur për ta takuar atë në zonën e “Komunës së Parisit”. Sipas 26-vjeçares, nuk ka qenë ajo që e ka nxjerrë në pritë të dashurin e saj. Po ashtu, Lakra ka treguar edhe se si është njohur dhe lidhur me Sebastian Malin para dy viteve, nipi i Viktor Markut, i dyshuari kryesor për vrasjen e Billës.

“U lidha me Sebastian Malin para dy viteve, sapo kishim ardhur në Tiranë, ku jetoj me familjen. Në një parukeri u njoha me Lule Malin, e ëma e Sebastian Malit. E më pas u lidha me Sebastian Malin. Një ditë Sebastiani më mori telefonin, më tha dua të shoh diçka dhe klikoi një llogari me emrin Lani Billa në ‘Instagram’ e më pas i bëri ftesë. E pyes se kush është dhe më tha se ishte hasmi i tij. Por mos ki merak më tha, se nuk jam budalla të të fus ty dhe familjen tënde në siklete. Personi me emrin Lani Billa ma pranoi ftesën, ne filluam të flasim dhe unë fillova ta pëlqej. Ai më tha se jetonte në Anvers, Belgjikë”, ka thënë Lakra, ndërkohë që ka theksuar se u lidh me Billën në muajin nëntor të vitit 2019.

“U lidhëm në nëntor të 2019-ës, takoheshim gjithmonë pranë qendrës tregtare pasi Lani jetonte me qira aty afër”.

Në atë kohë, Lakra tregon se i ka dhënë fund lidhjes me Sebastianin. “Unë ndërkohë u ndava nga Sebastiani, i thashë që më pëlqen Lani dhe ai më tha të vazhdoj jetën time”.

Më tej, 26-vjeçarja ka treguar se çfarë ndodhi ditën e ngjarjes dhe komunikimi me 40-vjeçarin para se të takoheshin.

“Ditën e ngjarjes e lamë se do të takoheshim në darkë”, shton më tej Lakra. Hekuran Billa i ka shkruar të dashurës se vonohej, pasi kishte punë në Doganën e Durrësit. Atë ditë, vajza ka folur me viktimën në orën 17:00 të pasdites.

Në orën 20:00 e lamë që do të takoheshim për një orë, – rrëfen Adiola, – u nisa me makinën time, por rrugës kishte shumë trafik. Hapa telefonin dhe pashë çfarë kishte ndodhur, kishte ndodhur një vrasje”, shton më tej e dyshuara, që këmbëngul se lënia e takimit me të dashurin dhe vrasja e tij ishin një rastësi.

“U ktheva dhe parkova makinën në garazh, aty pashë Sebastianin duke qarë dhe duke i rënë timonit me grushte”, shton më tej ajo.

“Kur unë po qaja më pa Lulja, mamaja e Sebastianit dhe më pyeti se çfarë kisha. I thashë: ‘Kanë vrarë Lanin’”.

Kur grupi i hetimit e pyeti të dyshuarën se ku e ka lënë telefonin, 26-vjeçarja është shprehur:

“E theva nga dëshpërimi”.

Në total, pas arrestimit të Lakrës, shkon në 3 numri personave që janë vënë pranga. Pas hekurave qëndron Viktor Marku, si autori kryesor i dyshuar, dhe Sebastian Mali, nipi i Prel dhe Viktor Markut.

Lihet në burg 26-vjeçarja, avokati: Nuk ka prova

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për 26-vjeçaren Adiola Lakra, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me Viktor Markun dhe Sebastian Malin, për vrasjen e Hekuran Billës te “Komuna e Parisit” në kryeqytet. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 11 qershor, ndërsa Adiola Lakra u arrestua nga Policia e Tiranës të premten që lamë pas.

Ajo dyshohet se është përdorur si karrem nga Sebastian Mali. Ka qenë pikërisht ajo, e cila kishte krijuar njohje me Hekuran Billën dhe mbrëmjen e ekzekutimit kishte lënë takim me këtë të fundit pranë qendrës tregtare, aty ku edhe ai u qëllua.

Kjo i ka dhënë mundësi Viktor Markut dhe Sebastian Malit që të ishin në dijeni për lëvizjet dhe rrugën që do të ndiqte viktima. Ndërkaq, Policia thotë se po punon për kapjen e të tjerë personave të përfshirë në ngjarje, pasi dyshimet janë që autorët, pasi u larguan në drejtim të Pezës për të djegur automjetin e tyre, ka qenë dikush tjetër që i ka marrë me makinë.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Adiola Lakrës, Andi Dura, tha se ajo nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, as ka telefonuar Billën dhe as ka marrë para për të dhënë informacion për të. Avokati tha se nuk ka prova që të faktohet akuza ndaj vajzës dhe se ajo po hetohet në rolin ndihmës.

“E vërteta me sa duket nuk është as ajo që ka ndodhur dhe as ajo që provohet. Sot ajo ngeli në burg për shkak të helmimit që i është bërë opinionit. I vetmi moment mëkat mund të them është fatkeqësia, që përpara se të njihte viktimën, ka njohur një prej të dyshuarve. Ajo po hetohet në rolin e ndihmëses, por do ta kuptoni që as këtë rol nuk e ka. Të vetmet prova janë vetëm deklarimet e saj të sinqerta. S’ka pasur dijeni për rastin, s’ka qenë në dijeni se kishte gjakmarrje në mes”, ka thënë ndër të tjera avokati i Lakrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura