Ekzekutimi i gjyqtarit Konomi, gruaja: Pse u vra, s’kam shpresë për drejtësi

Sep 10, 2015 | 8:34
SHPËRNDAJE

Bashkëshortja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ekzekutuar kater vite më parë në mes të Vlorës, kur i hodhën automjetin në erë, është e zhgënjyer nga drejtësia.

Ajo kujton se edhe kaq kohë pas krimit dhe humbjes së njeriut të dashur, nuk ka asnjë autor të dyshuar dhe as përse u vra burri i saj dhe një nga gjyqtarët e vendit.

konomi “4 vjet dhe askush nuk na ka bindur që jeta e njeriut që kërkon të drejtën e tij vlen më shumë se 400 gramë tritol në këtë vend”, shkroi dje ajo në rrjetin social “FB”.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Enkelejda Konomi kërkon nga institucionet të zbardhë ngjarjen, edhe pse thekson se i ka humbur shpresat.

“Veç dhimbjes së madhe që na ka lënë pas, gjithçka ka ndryshuar në familjen tonë. Sepse ai nuk është më mes nesh. Nuk meritonte të ikte në mënyrën që iku dhe ne sot që nuk dimë përse ndodhi. Sigurisht, unë e kujtoj çdo moment, sikurse dhe prindërit. Me ikjen e tij, unë kam detyrën të rris dhe edukoj dy fëmijët tanë të vegjël dhe të kujdesem për familjen tonë. Djali ishte 3 muajsh kur Skerdi u vra”- thote ajo.

Ajo thotë se kanë trokitur në dyert e institucioneve. “Na kanë pritur. Na kanë thënë që “po punojmë, është në vëmendjen tonë kjo ngjarje për t’u zbardhur”. Por, kjo nuk është e mjaftueshme! Ne duam të dimë, kush dhe përse e vranë Skerdin. Ai ishte një gjykatës i Republikës dhe jo një njeri i thjeshtë. E përpos kësaj, ja, është harruar”-thotë ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura