Ekzekutimi i çiftit/ Zbardhet identikiti i autorit të vrasjes mafioze, makina vinte nga …

Jul 18, 2018 | 19:10
SHPËRNDAJE

 SENAD NIKSHIQI/ Makina e përdorur në atentatin ndaj ish-policit Boran Bërcana dhe të dashurës së tij, Silvana Ndoci, rezulton se është vjedhur në Kosovë.

vrasja shkoder

Autori i vrasjes mafioze ka përdorur pikërisht këtë automjet për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas e ka djegur bashkë me armën brenda në periferi të Shkodrës. Nisur nga mënyra e veprimeve të autorit të vrasjes së dyfishtë, Policia dyshon se vrasësi është profesionist.

KAMERAT

Autori kishte informacion të saktë se kur çifti kthehej në banesë. Ai ka mbërritur një orë para se dy të rinjtë të mbërrinin para hyrjes së pallatit. Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit kthehej në shtëpi pasi e dashura e tij përfundonte turnin si kameriere. Pasi ka parkuar makinën, është spostuar pak më tutje derisa ka mbërritur në orën 01:13 të natës ish-polici Boran Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij Silvana Ndoci.

Mjeti ku ndodhej çifti fillimisht është ndalur pak metra përpara hyrjes së pallatit ku jetonin me qira. Kur është ndalur makina e çiftit, autori është afruar me hapa krejt normal, pa u nxituar duke dalë nga ana e shoferit. Menjëherë ka futur dorën brenda xhamit dhe ka qëlluar në drejtim të Boran Bërcanës dhe Silvana Ndocit. Ish-polici i vrarë, kur ka kuptuar atentatin, ka tentuar që të ecë me makinën e tij duke i dhënë gaz.

Autori ka ndjekur mjetin dhe në ecje e sipër ka vijuar të qëllojë duke qenë se shpejtësia nuk ishte e madhe. Pasi është siguruar se të dy kanë vdekur është larguar nga vend i ngjarjes, ndërsa makina e çiftit është përplasur me pjesën fundore të pallatit dhe është ndaluar aty, duke qëndruar e ndezur deri në mëngjes, kur në 6:40 ka mbërritur ambulanca dhe Policia. Djali i vogël 2-vjeçar ka qenë në pjesën mbrapa makinës duke i shpëtuar mrekullisht atentatit ndërsa më pas ka lëvizur dhe ka shkuar te trupi i pajetë i nënës së tij pa kuptuar asgjë.

Nga pamjet filmike, autori pasi ka kryer vrasjen, ka hipur në mjetin e tij dhe i vetëm është larguar me shpejtësi. Ende është e paqartë nëse ka qenë me apo pa maskë sepse disa ekspertë mendojnë se autori ka vepruar i pamaskuar dhe një pjesë tjetër kanë dyshime se ka pasur diçka në fytyrë. Kjo paqartësi vjen për shkak se nga pamjet filmike të kamerave nuk mund të shihet aq mirë. E sigurt është se autori ka pasur një kapele në kokë, ndërsa është një trup relativisht i gjatë.

MAKINA

Pasi ka kryer vrasjen dhe ka hipur në mjetin tip “Benz”, autori është larguar deri në fund të Rrugës së Gjanë, siç njihet në Shkodër. Ai ka ecur drejt me makinë deri në fund të asaj rruge, që është rreth 500 metër. Pas atij kryqëzimi, Policia nuk i di më saktësisht lëvizjet e autorit për shkak se nuk ka pasur kamera sigurie.

Megjithatë, dyshohet se ka shkuar drejt lagjes “Kiras”. Nga aty te pjesa e Zooteknikës që lidh Kirasin me By Pass-in e Shkodrës. Pasi ka dalë në By Pass autori ka ecur për rreth 1 kilometër dhe më pas është ndalur. Ka lënë brenda armën dhe i ka vënë flakën makinës, duke e djegur për të humbur çdo gjurmë. Mjeti, sipas burimeve, rezulton i vjedhur në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë, ndërsa targat janë vjedhur në Tiranë.

Po ashtu dyshohet se ka edhe disa pjesë të tjera të vjedhura, të cilat janë montuar për ta përdorur më pas në atë krim të rëndë. Policia vijon hetimet, por ende nuk ka ndonjë autor të dyshuar. Mendohet se vrasja e Boris Bërcanës dhe Silvana Ndocit është kryer nga vrasës profesionist dhe pista kryesore vijon të mbetet ajo e ndonjë konflikti të mundshëm ose larje hesapesh. Ndërkohë, pamjet filmike të sekuestruara në të gjitha subjektet e mundshme janë dërguar në Tiranë për një ekspertizë më të detajuar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura