Ekzekutimi i Bardhok Pllanajt/ Dyshime se u nxor në pritë! Analizohen dy celularët e 46-vjeçarit! Si u ndoq hap pas hapi “Kumbari” i Shkodrës

Apr 7, 2021 | 15:55
SHPËRNDAJE

Në Laboratorin e Policisë Shkencore po analizohen provat materiale të sekuestruara nga Policia e Shkodrës, në lidhje me vrasjen e 46-vjeçarit Bardhok Pllanaj.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se mjeti i djegur tip “Passat”, me targë FV140MT, që është përdorur nga autorët, është vjedhur në Tiranë më 29 shkurt të vitit 2020. Burimet thanë se në brendësi të tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri automatike model 56, 4 krehra dhe 18 gëzhoja, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 80 gëzhoja. Armët e zjarrit ishin me numër serial të rregullt dhe po analizohen për të parë nëse rezultojnë të regjistruar më herët apo janë përdorur në ngjarje kriminale.

Ndërsa në automjetin “Range Rover”, me targë AA 531 ZY, të viktimës Bardhok Pllanaj, Policia sekuestroi 2 aparate celulare, të cilat do të zbërthehen për të parë komunikimet e fundit të viktimës, pasi nuk përjashtohet mundësia që ta kenë nxjerrë në pritë. Dyshohet se autorët e kanë gjurmuar viktimën para vrasjes, kanë ndjekur lëvizjet e tij, si dhe kanë reaguar në momentin kur ai ka qenë vetëm në makinë. Para ngjarjes viktima së bashku me bashkëshorten ka qenë në Shkodër, pranë spitalit për të vizituar një të afërm. Më pas, janë kthyer në shtëpi. Pasi ka lënë të shoqen, ka dalë nga banesa dhe pak metra më tej është qëlluar për vdekje.

NDJEKJA

“Kumbari” i Shkodrës është ndjekur hap pas hapi nga momenti që doli nga shtëpia e nënës dhe po drejtohej për në Koplik. Makina e vrasësve “Volkswagen Passat” ndjek “Range-Rover”-in e shënjestrës. Vrasësit e ekzekutuan 46-vjeçarin në lëvizje duke zbrazur dy kallashnikovë. Pllanaj tentoi që të shmanget, por shanset ishin zero përballë breshërisë së plumbave. Makina humbi kontrollin duke u përplasur me një ambient biznesi në krah të rrugës, sikur duket nga pamjet që u publikuan dy ditë më parë nga “Panorama.com.al”.

Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar, ndërsa Policia po heton nëse “Kumbari” mund të jetë nxjerrë në pritë. Grupi hetimor po punon për hapjen e celularëve të tij për të parë telefonatën e fundit dhe për të hedhur dritë rreth ekzekutimit të tij. Vetëm pak pas ngjarjes, jo shumë larg vendit të krimit, autorët dogjën makinën e tyre tip “Passat”, e cila rezulton të jetë e vjedhur në Tiranë, më 29 shkurt 2020, ku në atë kohë edhe u denoncua nga pronari.

VIKTIMA

Bardhok Plani njihej me nofkën “Kumbari” dhe ishte dënuar me burgim në mungesë në vitin 2014 nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tri vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Asokohe, Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10- katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove.

Gjithashtu Bardhok Plani, ishte i skeduar nga Policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, në operacionin e quajtur “Laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian. Koka e trafikut u dyshua pikërisht biznesmeni Bardhok Plani. Gjatë aksionit të Policisë, Plani arriti t’i shpëtonte arrestimit dhe dyshohet u fsheh në automjetin e ishdeputetit Mark Frroku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura