Ekzekutimi i 27-vjeçarit në Vlorë/ I riu u qëllua me 10 plumba sapo la të fejuarën tek prindërit. Prej një viti ishte kthyer nga Italia, ishte dënuar për…

Dec 2, 2020 | 9:48
SHPËRNDAJE

VLORE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Dukat të Vlorës, ndërsa viktimë ka mbetur një 27-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake të Policisë së Vlorës, viktima i identifikuar si Benjamin Bezhanaj është qëlluar me mbi 10 plumba nga autorë ende të paidentifikuar. Ndërsa, nga verifikimet e bëra, uniformat blu thanë se Bezhanaj rezulton të jetë me precedentë të mëparshëm në Itali.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë Policia e qytetit bregdetar, e cila pasi ka rrethuar vendin e ngjarjes ka ngritur edhe postblloqe në segmente të ndryshme rrugore në mënyrë që të identifikoheshin autorët.

Sipas Policisë: “Më datë 01.12.2020, rreth orës 21:00, në Sallën Operative Vlorë ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në Fushë-Dukat, Orikum, një automjet ka ndaluar në rrugë dhe brenda tij ka një person të pajetë. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë konstatuar të pajetë shtetasin B. B., rreth 27 vjeç, dyshohet ka humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi Policia menjëherë pas ekzekutimit të 27-vjeçarit.

Sipas informacioneve nga uniformat blu në Policinë e Vlorës, mësohet se viktima momentin kur është qëlluar nga autorët ka qenë i vetëm në makinë. Në drejtim të mjetit të tij janë lëshuar mbi dhjetë plumba, ku disa prej tyre kanë prekur 27-vjeçarin, i cili më pas ka mbetur i vdekur në vend.

Burimet thanë më tej se viktima kishte një vit që ishte kthyer nga Italia, ndërsa në Shqipëri nuk rezulton të ketë precedent penal. Në shtetin fqinj ai rezulton të ketë kryer një dënim për trafik narkotikësh.

Autorët e kanë ekzekutuar të riun në momentin kur ky i fundit sapo kishte lënë të fejuarën e tij te prindërit e saj. Ndërkohë, Policia e Vlorës ka mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar edhe një sërë gëzhojash arme të cilat do t’i nënshtrohen një ekspertimi balistik. Po ashtu, do të mblidhen edhe pamjet e kamerave të sigurisë rreth zonës ku ndodhi ngjarja, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Në Polici janë shoqëruar disa persona, në cilësinë e dëshmitarëve në këtë ngjarje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura