Ekuivokët me Vetingun kanë qenë dhe janë në dëm për PD

Aug 15, 2018 | 18:00
SHPËRNDAJE

prec-zogaj-150x150PREÇ ZOGAJ

Reforma në Drejtësi po shkon përpara ngadalë, por pakthyeshëm, pavarësisht turbulencave, zvarritjeve, stërkëmbëshave, dështimeve, presioneve, ndërhyrjeve, lojërave që janë luajtur e luhen rreth saj. Ka plot për të folur sot në favor të Vetingut, si një nga dy shtyllat e kësaj reforme. Në zbatimin e tij, Vetingu po provohet si i vetmi mjet i largimit nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, të inkriminuar, të paaftë.

Shumica dërmuese e njerëzve e shohim këtë me shpresë dhe entuziazëm si rruga e duhur për të ngritur një drejtësi të re, që do të jetë e zonja të përballet me krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta, çfarë ka qenë edhe qëllimi kryesor i një reforme si kjo e jona, që nuk e ka askush në kontinent. Vetingu dhe zvarritja e zbatimit të reformës në aspekte të tjera kanë prodhuar ndërkaq lëndë për të folur edhe në mënyrë kritike. Mund të ishin parashikuar qysh në krye të herës masa efektive për të plotësuar brenda një kohe optimale vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, duke evituar çfunksionalizimin e tyre qoftë edhe përkohësisht.

Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm po zgjat përtej përkohësisë, ngaqë është vonuar ngritja e KLP-së. Është humbur kohë e çmuar për ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vetë Vetingu, që po shërben si lokomotiva e procesit, mund të jetë akoma më i besueshëm dhe bindës. Nuk kanë munguar raste të veçanta shkarkimesh apo konfirmimesh në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), që kanë krijuar përshtypjen e djegies së barit të njomë me të thatin në një anë apo kalimit të ndonjë druri të shtrembër në anën tjetër.

Kryeministrit i ka interesuar gërmadha dhe vakumi i drejtësisë për të bërë ligje xhungle si ai i Teatrit apo për t’u rënë me top financave të shtetit, siç po bën me PPP-të e famshme, ku një kilometër autostrade fushore shkon deri në 12 milionë euro, domethënë, dy-trefish më shtrenjtë sesa standardi më i avancuar. Ai s’ka mundësi të bindë njeri me fjalë për të kundërtën. Futja me procedurë të përshpejtuar e një ligj të dyshuar për shkelje të rëndë kushtetuese kur s’ka Gjykatë Kushtetuese, siç është ligji i teatrit, e akuzon qartazi se ai i përdor këto vakume për të çuar përpara arbitraritetin e tij.

Çfunksionalizimi i dy gjykatave të epërme të sistemit, pavarësisht se ka shpjegimin e vet dhe qëndron edhe ajo që thuhet me gjuhën popullore “Më mirë djepin bosh se dreqin brenda”, nuk do të kishte rënë shumë në sy me një qeveri që frenohet në nismat e saj të debatueshme derisa të rivendoset gjendja. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta: qeveria ka dyfishuar në arbitraritetin e saj pikërisht në këtë periudhë vakumi institucional. Kanë të drejtë të gjithë ata që ngrenë zërin dhe kërkojnë rivendosjen në punë sa më shpejt të jetë e mundur të dy gjykatave të epërme.

Të njëjtën gjë po kërkojnë edhe partnerët tanë amerikanë dhe gjermanë. Besohet se ky problem do të marrë zgjidhje në një të ardhme të afërt. Është një gjë pozitive që zbatimi i reformës monitorohet nga SHBA dhe BE, nga opozita, media e lirë, shoqëria civile. Është pozitive gjithashtu, që bëhen kritika dhe denoncime për gjëra që nuk shkojnë. Askush nuk mund të priste që një reformë sui generis, që nuk e ka njohur as Shqipëria, as Perëndimi si të tillë, të shkonte si në vaj.

Ku hahet bukë do të ketë dhe thërrime, thotë një fjalë e urtë. Sidoqoftë, kritikat konstruktive në këtë rast janë shumë më të vlefshme se hosanatë demagogjike. Për vetë natyrën e reformës, e cila premton të ndajë dy botë, si i thonë fjalës, realizmi, logjika dhe maturia në bërjen e kriticizmit marrin një rëndësi të shtuar. Gjithë sekreti është shmangia e qëndrimeve dhe formave të shprehjes që duke u nisur nga rastet që nuk shkojnë, duket sikur i bien gjithë reformës; shmangia e një narrative të krijuar me lëndën e dëmeve kolaterale, që krijon përshtypjen sikur zgjidhja është kthimi prapa, hedhja nga vaska bashkë me ujin edhe e foshnjës.

Kjo që them nuk nënkupton ata që kanë qenë dhe janë në princip kundër reformës, por ata që e kanë votuar atë me vetëdijen se ka qenë dhe është imperativi i një ndryshimi të domosdoshëm. Qëndrime kritike konstruktive, që nuk e komprometojnë pozicionin në mbështetje të boshtit të reformës, ka pasur e ka vazhdimisht. Mund të sjell si shembull prononcimet e ish- Presidentit Bujar Nishani. Duke referuar shënimet e tij për procesin, zoti Nishani ka pohuar se në një përqindje dukshëm të lartë të rasteve, Vetingu ka qëlluar në shenjë.

Nishani ka sjellë ndërkaq dy-tre shembuj konkretë të përdorimit të standardeve të dyfishta. Padrejtësia është e papranueshme edhe për një rast të vetëm. Të ndëshkuarit padrejtësisht kanë mundësi ta gjejnë të drejtën përmes apelimit. Kjo do të ndodhë. Sikurse të toleruarit pa të drejtë që kanë marrë ryshfete marramendëse, vështirë se do t’ia hedhin. Institucioni i apelimit dhe rishikimit i ndjek edhe ata. Qëndrime si këto të ish-Presidentit besoj se e ndikojnë pozitivisht procesin dhe kjo është vënë re. Por nga ana tjetër, ka shpesh një shtjellë qëndrimesh që duke marrë shkas nga raste të debatueshme, zhbalancohen në një retorikë që shkon deri në hedhjen poshtë të vetë Vetingut si i tillë.

E cekëm edhe më lart. Individët e lirë mund të mbajnë çdo lloj qëndrimi. Edhe një parti opozitare mund të vendosë t’i kundërvihet deri në fund reformës në emër të bindjeve të veta, pa llogaritur fare koston elektorale. Në lidhje me PD-në, do të thosha këtë: ajo është Partia që ka kontribuar si asnjë parti tjetër, nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët dhe Komisionin e Venecias, për ta sjellë reformën në parametrat që u votua. Por PD-ja i ka pasur me dëm dhe do të vijojë t’i këtë me dëm të madh qëndrimet apo ekuivokët, që e ekspozojnë me lehtësi ndaj vlerësimeve apo akuzave sikur ajo është kundër Reformës në Drejtësi.

Një ekuivok i tillë ka qenë bashkimi gjatë protestës në çadër vitin e shkuar i kërkesës për dorëheqjen e Kryeministrit Rama, me vendimin për të mos votuar komisionet parlamentare ad hoc të Vetingut, ku PD-së, siç dihej, me ndërhyrjen e amerikanëve kryesisht, iu dha gjysma e anëtarëve, pra e drejta e vetos. Në fakt, sado paradoksale të duket, mosvotimi i komisioneve me të cilët fillonte zbatimi i Vetingut, ishte ndërlidhja që pengonte plotësimin e kërkesës për largimin e Kryeministrit. Me këtë nuk dua të them aspak se kjo ishte një gjë e menduar, volutive e tjerë, siç arsyetojnë ata që ndjekin teoritë e konspiracionit. Aspak. Dua të them vetëm se kombinimi i qëndrimeve ndërbllokuese ishte i gabuar. Më shumë se i gabuar.

Në dëm të PD-së në rrafshin e marrëdhënieve me partnerët sikurse edhe brenda vendit, duke i krijuar rrethanën Ramës të hiqej si flamurtari i reformës. Kjo tani është një gjë e provuar. Një analizë e mirë është dashur të bëhet në instancat që merren më këtë punë në PD. Ndoshta është bërë. Por fakti është se pas më shumë se një viti, ekuivokët vazhdojnë të shfaqen. Në një atmosferë të ngarkuar me problematikat reale që ka krijuar zbatimi dhe zvarritjet e reformës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, paraqiti para disa javësh një paketë me shtatë propozime. Në thelb Basha kërkonte zhbërjen e ligjeve që janë miratuar vetëm nga shumica dhe ribërjen e tyre, duke shtuar se kjo mund të ndodhë vetëm pasi të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë çuar gjendjen në këtë pikë.

Pra, pasi të mbajë përgjegjësi Rama. Ky është një qëndrim që një opozitë dhe shefi i saj mund ta mbajë. Por hapësira për zgjidhje në këtë rebus është afër zeros. Sidomos po të mbajnë parasysh faktin se ligji organik i Vetingut ka kaluar në Venecia dhe në Kushtetuese pas ankimimit nga opozita. Reagimet nga partnerët ndërkombëtarë për qëndrimet që kanë vënë në pikëpyetje Vetingun dhe aspekte të tjera të reformës, kanë qenë ato që dihen. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) deklaroi se Vetingu po zhvillohet sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Ambasadori i Austrisë, Jaohan Sattler, vend i të cilit ka kryesimin e BE-së këtë gjashtëmujor, tha se aty ku punohet mund të bëhen edhe gabime, duke inkurajuar bashkë me plotësimin e vendeve bosh në gjykata, vazhdimin e reformës. I ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, David Munis, tha se Vetingu po ecën më shpejt dhe Shqipëria ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj, që do të mbrojnë sundimin e ligjit. Ai përsëriti atë që është thënë edhe më parë nga ambasada amerikane dhe Departamenti i Shtetit për politikanët që kanë frikë nga sundimi i ligjit dhe prandaj nuk punuan së bashku për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës dhe Reformën në Drejtësi.

Ambasadorja e Gjermanisë, Suzane Schuts, deklaroi se Vetingu ka përparuar mirë dhe se një proces verifikimi me standarde të njëjta do të vijojë me gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë. Këto janë reagime, janë përgjigje. Shihet qartë se ka një solidaritet dhe kohezion pa të çara mes vendeve partnere nga Berlini në Uashington, në lidhje me ecurinë e Reformës në Drejtësi në vendin tonë. Përgjatë këtyre dy viteve, që përkojnë edhe me rrotacionin e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë, kushdo në Shqipëri ka pasur mundësi të kuptojë se bashkautorësia amerikane dhe europiane për Reformën në Drejtësi është substanciale. Në hartim dhe në zbatim.

Shqiptarët në shumicë dërmuese e shohin këtë si një vepër të re të Amerikës proshqiptare dhe si garancinë numër një për shpërbërjen e sistemit të pandëshkueshmërisë në sferat e larta, që është gangrena dhe mallkimi i demokracisë shqiptare. SHBA, Gjermania, Franca, e tjerë janë vende demokratike. Ata sigurisht shqetësohen dhe reagojnë pozitivisht për korrigjimin e defekteve dhe dëmeve anësore të reformës në zbatim. Por destinimi mbetej çuarja e saj deri në fund, jo kthimi prapa. Mbetet përshpejtimi i saj, jo zvarritja.

Nuk ka dyshim se Rama do të dëshironte dhe bën çmos të fusë duart sa të mundet në drejtësinë e re. Ai e ka jetike ketë për të mbrojtur aferat e rënda korruptive të këtyre pesë vjetëve, ku spikasin koncesionet dhe kanabizimi. Për qejf, ai ruante drejtësinë e vjetër që nuk e ka prekur me pupël. Rama ka bërë një gjë që ka qenë formalisht në sintoni me partnerët për reformën. Për këtë ka marrë ndonjë bonus. Por nuk mund të imagjinohet që bashkautorët amerikanë dhe europianë ta lejojnë atë dhe këdo tjetër të marrë timonin e drejtësisë.

Në këto kushte, qëndrimi më i mirë i PD-së dhe opozitës mbetet bashkëpunimi me partnerët për të përshpejtuar zbatimin e reformës. Në modestinë time, këtë sugjerim ia kam bërë opozitës që në muajin shkurt të këtij viti. Ndërkombëtarët po përshpejtojnë vetë. Ata tani pak po shohim cilët politikanë kanë në krah, kush po i ndjek e kush nuk po i ndjek. Reforma nuk ndalon, përderisa shumica absolute e qytetarëve e duan dhe partnerët janë të angazhuar. Qëndrimet e PD-së dhe opozitës në favor të përshpejtimit të saj kanë vlerë, sepse përkthehen në mbështetje elektorale për të.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura