Ekstremistët s’mund t’i zbehin marrëdhëniet shqiptaro-greke

Oct 30, 2018 | 12:25
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI/ leonidha-mertiri-150x150Ekstremistët rrinë gjithnjë zgjuar. Ata përpiqen të injektojnë dhe të nxitin çdo incident që nuk u shkon për shtat qëllimeve të tyre. Pavarësisht nga vijnë ata, nga MAVI (Ushtria për Çlirimin e Vorio Epirit), nga “Agimi i Artë” apo nga qarqe të tjera, të gjithëve u vret sytë arritja e një marrëdhënieje të shëndetshme midis dy vendeve tona.

I tillë ishte dhe incidenti i pardjeshëm në fshatin Bularat, i mbarsur që herët me urrejtje, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por dhe qeverisë aktuale të Athinës, për të hapur deri në fund gjithë burgjitë e destabilizimit. Kjo është njëra anë. Në anën tjetër, edhe “patriotët e zjarrtë”, “të paepurit” nacionalistë shqiptarë, fryjnë bulçitë, gazplotë e triumfues për “ekzekutimin e duhur” të të riut grek e se “grekët kështu do ta pësojnë”. Patriotizmi arkaik gjen shesh dhe bën përshesh. Pa dashur, edhe këta inkurajojnë më tutje ekstremistët grek.

Kujt mund t’i shërbejë një situatë e tillë, përveçse atyre që rrinë gjithnjë zgjuar të helmatisin këto marrëdhënie, në veçanti kur ato kërkohet të bëhen më të shëndetshme. Ekstremistët grek u përgjigjën reagimeve të këtushme me hosanara pa fund ndaj “trimërisë” së viktimës së Bularatit dhe me thirrje në protesta “çekiç dhe zjarr për qentë shqiptarë”. Kështu, gjithçka politizohet, madje, edhe nga Athina zyrtare, paçka se armët në duart e viktimës u shkrepën kundër Policisë, për të ngarkuar e mbingarkuar një situatë të ndezur midis dy vendeve dhe që nuk kish të bënte me ngritje dhe ulje të flamurit grek. Duket që edhe media e shtetit tonë fqinj i ka ushqyer më tej këto insinuata. Por, a nuk ka ndodhur kjo edhe me të rinj shqiptarë në Greqi, që kanë ngritur armën mbi Policinë? Inflacioni i deklaratave kthehet në zhurmues real, që vetëm e dobëson bashkëpunimin dypalësh.

Në një shkrimin timin të një viti më parë, botuar në këtë gazetë, bëja pyetjen: A mund të helmatisen marrëdhëniet midis dy vendeve? Duke iu përgjigjur dhe sot kësaj pyetjeje, është fakt që ato jo rrallë kanë përjetuar një rrugë të vështirë me tensione. Por jo çdo gjë ka qenë zi. Nuk kanë munguar dhe përpjekjet e të dyja palëve për t’i gjallëruar dhe forcuar ato. Bisedimet e këtyre muajve, pas takimit të Kretës në fund të vitit të kaluar midis kryediplomatëve të të dyja vendeve, kanë synuar pikërisht këtë e për t’i hapur më shumë udhë besimit ndaj njeri-tjetrit. Që të mos shtyhej dhe më tej zgjidhja e disa problemeve të njohura, të trashëguara, por dhe të mëvonshmeve, në një frymë të re europiane. Me gjithë një informacion disi të mbyllur rreth negociatave të deritanishme, përsëri shihet se ka një lëvizje hapash, edhe pse disa probleme më parë ishin tabu apo çështje, si ato që përmendëm, nuk mungojnë të fanepsen papritur.

Greqia vlerësohet si partner strategjik i vendit tonë. Të dyja palët rrugëtojmë në të njëjtat shina: në ato të integrimit europian. Historia e përbashkët gjithashtu, përballë kundërshtarëve të njëjtë, që për mendimin tim, duhet të sillet vazhdimisht në kujtesën e secilit, në media etj., nuk mund të lihet anash. Sikurse nuk mund të lihet dhe hapja e dyerve dhe zemrave të secilës palë, në çastet më të vështira për njeri-tjetrin. Urat tona të lashta dhe të përbashkëta, pra, të djeshme dhe të sotme, mund të sfidojnë çdo lloj ekstremizmi, ngado që ai vjen. Minoriteti grek në Shqipëri, mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi vetëm i forcojnë këto ura. Ndaj edhe nuk mund të zbehen apo të lëkunden marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura