Ekstradimi i Izet Haxhisë për vrasjen e Azemit, çfarë thoshte Berisha në vitin 2014 për të (VIDEO)

Feb 9, 2018 | 20:00
SHPËRNDAJE

Izet Haxhia, i cili ka qenë truproja e ish kryeministrit Sali Berisha, do të ekstradohet nga Turqia në Shqipëri, pasi është i dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit. Por ja çfarë ka thënë Berisha në vitin 2014 për të:

“Së pari, ky zotëria bashkë me vëllezërit e tij, të cilët janë në burg të dënuar njëlloj si ky, ka qenë pjesëmarrës aktiv në një vrasje, është një vrasës, që ka pasur vëllanë oficer policie ditën e vrasjes dhe vetë është i dënuar”, degjohet ne videon e transmetuar ne emisionin “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili.

IZET HAXHIA

Izet Haxhia ka lindur më 9 korrik të vitit 1966 në Tropoje dhe më pas ka qenë banor i Tiranës. Ai është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe si masë dënimi ka pasur kohën e paraburgimit. Në mars të vitit 2001, Gjykata në Tiranë deklaroi përfundimisht se Izet Haxhia, pjesëmarrës në grupin e truprojave të Sali Berishës, në atë kohë president, ishte larguar jashtë vendit. Për këtë arsye, ai u dënua në mungesë me 25 vjet burgim, si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Lidhja e tij me Berishën e ka zanafillën në vitin 1992 kur Izet Haxhia u emërua me detyrë në Gardën e Republikës dhe më pas u caktua me shërbim në grupin e truprojave të ish-Presidentit. Pak kohë më vonë, Izet Haxhia do të binte në sy jo vetëm si njeriu që dukej në krah të kreut të PD-së në çdo lëvizje, si roja personale e tij, por edhe si një prej personave të besuar të tij.

Pas arrestimit në Turqi, në qershor të vitit 2006, gjatë marrjes në pyetje në seancën për ekstradimin e tij, Haxhia është shprehur se nuk donte të kthehej në burg në Shqipëri, pasi, sipas tij, ishte dënuar në mungesë dhe nuk i ishin respektuar të drejtat, që i jep ligji.

“Atje jam dënuar nga tre shkallët e gjyqësorit, të cilët janë ndikuar nga politika. Unë pranoj të kthehem në Shqipëri vetëm nëse rihapet dosja dhe më premtohet një gjykim i drejtë dhe i barabartë. Do të paraqes prova dhe dëshmitarë, që të vërtetoj se unë nuk kam qenë te selia e Partisë Demokratike në kohën e vrasjes dhe nuk kam urdhëruar vrasjen e deputetit Azem Hajdari”, kishte deklaruar Izet Haxhia para Gjykatës Administrative në Turqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura