Ekspozohen të shkolluarit në Itali, nga Kodra te Tushi, që vdiq në burgun e Ballshit

Oct 18, 2018 | 11:27
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Pavarësisht rrugëtimit të tyre jetësor, ata janë aty, në të njëjtën sallë. Pranë Ibrahim Kodrës, i cili vendosi të qëndronte në Itali pas studimeve në Brera, duke i dhënë një tjetër drejtim krijimtarisë së vet, qëndrojnë vepra të Nexhmedin Zajmit, që preferoi të kthehej, të Vangjush Tushit, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë e vdiq në burgun e Ballshit, apo të të tjerëve, që vazhduan krijimtarinë e tyre artistike në mënyrë të heshtur, gati në anonimat.

vizione kufijsh

Veprat e artistëve shqiptarë të formuar në Itali u ekspozuan dje në një mënyrë mjaft të veçantë pranë rezidencës së ambasadorit të Italisë në Tiranë. E titulluar “Vizion kufijsh”, kjo ekspozitë vjen për publikun si urë komunikimi mes dy vendeve, si një lloj komunikimi dhe gjuhe vizuale.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të edicionit të 18 të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, e cila ka nisur prej datës 15 e do të zgjasë deri në 21 tetor. Këtë vit fokusohet mbi temën “Gjuha italiane dhe rrjeti si argument aktual për të hulumtuar mbi lidhjet dhe ndikimet e teknologjisë me gjuhën”. Por ekspozita e hapur jo pa qëllim në rezidencën italiane, e cila ndodhet përballë Liceut “Jordan Misja”, për të lidhur Italinë si vend shkollimi, me vendin ku u ofrua eksperienca e fituar përtej detit, është një nga aktivitetet më të rëndësishme të këtij kalendari.

vizione kufijsh.jpg1

“Konceptimi i kësaj ekspozite ka dy fjalë kyçe: arti dhe gjuha. Kjo rezidencë do të shërbejë si muze për publikun shqiptar ku do të shohë artin shqiptar me artistë të formuar në Itali dhe do gjejë copa arti që bashkojnë dy vendet”, tha ambasadori Cutillo. Për vetë vendin ku hapet kjo ekspozitë, vizitat do jenë të hapura për publikun vetëm një ditë në javë dhe përmes printimeve.

Ekspozita, e kuruar nga piktori Artan Shabani, përmban 42 vepra nga artistë, që kanë studiuar në shkollat italiane në Milano, Romë, Firence, etj.. Ka mes tyre vepra të piktorëve Vangjush Mio, Simon Rrota, Ibrahim Kodra, Nexhmedin Zajmi, Lin Delija, Guri Madhi, Foto Stamo, Fadil Pullumbi, Vangjush Tushi, Hasan Reçi, Abdulla Cangonji, etj..

vizione kufijsh.jpg1.jpg1

“Disa vepra vijnë për herë të parë për publikun. Piktura shqiptare nuk fillon as me vitet ‘90 dhe as me realizmin socialist, po i ka fillesat më herët dhe po të kërkojmë, gjejmë mjaft vlera dhe vepra të çmuara të artit shqiptar si vepra nga Idromeno, vepra nga Simon Rrota dhe akoma më të hershme, siç janë peizazhet e Mios”, u shpreh kuratori Shabani, i cili e sheh vlerën e një shumice artistësh të formuar në shkollat perëndimore, jo vetëm në pikturën e tyre, që reflektonte formimin e tyre akademik, por edhe në mësimdhënie, duke qenë se shumë syresh themeluan dhe drejtuan institucionet artistike pedagogjike në Shqipëri. Fatkeqësisht, për ata që u kthyen, kërkimet në lëmë të pikturës, duhet të ndaleshin në mënyrë të dhunshme, për shkak të dogmës së realizmit socialist. Atyre, si edhe piktorëve të tjerë që kishin studiuar në Lindje, iu desh të bënin kompromis me kanonet e vendosura nga diktatura e proletariatit, duke e vënë një pjesë të punës së tyre, atë të dukshmen, në shërbim të propagandës së kohës. “Artistët italianë qenë të lirë për të eksploruar botën perëndimore, duke rënë në kontakt me galeritë më të mira të Parisit, Londrës apo New Yorkut, artistëve shqiptarë të formuar në akademitë italiane dhe të kthyer në Shqipëri, pak vite pas përfundimit të luftës, iu desh të përballen me izolimin nga vendet e perëndimit, mundësitë për të mbajtur kontaktet me vendin fqinj ishin pothuajse të pamundura, një brez i ri po bëhej gati për të studiuar në akademitë e Bllokut Lindor, Moskë, Pragë, Bukuresht, që do të bëheshin referencat e reja të studentëve të ardhshëm. Arti shqiptar, shpejt do të kthehej në një mjet edukues për masat e një shoqërie të re, të formuar me idealet e Partisë së Punës”, komenton Shabani.

vizione kufijsh.jpg1.jpg1.jpg2

Mes punëve të ekspozuara gjen vepra në vaj, akuarele e vizatime, duke dëshmuar për momente të ndryshme të krijimtarisë dhe rritjes së këtyre artistëve.

Veprat e ekspozuara në “Vizion kufijsh” janë trashëgimi familjare, të ofruara për këtë aktivitet nga pasardhësit e artistëve, ose që tashmë janë bërë pjesë e koleksioneve të private, të koleksionistëve Kozma Dashi, Leonidha Çobo, Ilir Voci, etj..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura