Ekspozohen botimet origjinale / Nga “Ëvetari” i Veqilharxhit dhe abetarja e “Bashkimit”, deri te variantet në dy dialekte

Sep 17, 2020 | 15:50
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ / Filozofi romano-francez Emil Ciorian thoshte se “nuk jetohet në një vend, por në një gjuhë”. Shqiptarët qysh prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, të kërcënuar nga varësia gjuhësore që forcat e huaja kërkonin të impononin, nuk e patën të lehtë betejën e tyre e megjithatë abetarja e parë erdhi si një dritë e fortë shprese.

abetaret

“Fort i shkurtër e i përdorshim Ëvetar shqip për çdo si cillë që do të mësonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”, nga ideologu i parë i Rilindjes, Naum Veqilharxhi, u ekspozua dje në Muzeun Historik Kombëtar, së bashku me afro 100 abetare të tjera. Për abetaren e parë shqipe autori shton më tej shënimin që dokumenton vitin e hartimit. “Dhënë tani parherëmbi dritë, preji, gjendësit e bëntorit i këtyre të shkrumëve rea dhe këtij Ëvetarit. Naum Panajot Haxhi Llazar Bredhi, që i thonë Naum Veqil-Harxhi nga Bythkuqi i Kolonjës. Mot i parë 1844”. Mandej më vonë në 1845, ai do të sjellë një variant më të plotë të abetares shqipe, me rreth 50 faqe, nën emërtimin “Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar”.

Me abetaren “mëmë” shqipe si “qershia mbi tortë” kjo ngjarje kulturore simbolike u çel në Muzeun Historik, falë Bibliotekës Kombëtare, në kujdesin e veçantë të studiueses Etleva Domi. Gjatë hapjes së ekspozitës, mbajtur në kuadër të vitit të ri akademik dhe muajit dedikuar trashëgimisë kulturore, të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës, Pirro Misha, dhe drejtuesi i Muzeut, Dorian Koçi.

Ekspozita sjell një rrugëtim thuajse njëshekullor, që e ka zanafillën në vitin 1844 (me thuajse 40 mijë kopje të shpërndara brenda e jashtë vendit) e që përmes botimeve origjinale të ekspozuara, shkon deri në vitin 1942.

Së bashku me “Ëvetarin” e Veqilharxhit, vargun pasardhës të “librit fillestar për të mësuar shkrim e këndim” (kuptimi i fjalës “abetar” sipas Fjalorit Shqip) e ndjek “Abetare Skip” i Kostandin Kristoforidhit, botim i vitit 1872 (pas atyre të viteve 1867 dhe 1872). Kristoforidhi vijoi dy dekada më pas punën e bërë nga Veqilharxhi, të cilin e helmuan në 1846-ën, pa arritur të djegin abetaren “armike” që po bëhej një “armë” e rëndë, në mbrojtjen e atdheut e identitetit. Si veprimtar e studiues i gjuhës shqipe, ai solli për herë të parë dy abetare për shqiptarët, një në gegërisht e tjetrën në toskërisht, të cilat patën një ndikim të madh në mësimin e gjuhës së shkruar shqipe.

ABETARJA E PARË E BOTUAR NË VEND DHE HARTUESJA FEMËR NË 1909

“ABETARI i citun pre i Shochiet t’Bashkimit t’gjuhës shcype”, është ky shënimi që shoqëron abetaren e parë shqiptare të botuar në vend nga shoqëria “Bashkimi” në vitin 1899. Dy dekada më parë, në 1879-ën, ishte miratuar edhe alfabeti i Stambollit, i propozuar po nga kjo shoqëri.

Kjo abetare do të pasohej nga të tjera, si ajo e Vasil Dhimitër Rusoit “Pellazgjika shqip alfavitar” (Bukuresht 1877), Sami H. Frashërit “Abetare e gjuhësë shqip” (1886, 1888, 1900), Ndre Mjedës “Këndime për shkollë të para” (Vjenë 1904), Luigj Gurakuqit “Abetari për mësoitore filltare t`Shqypnis” ( Napoli 1905), Parashqevi Qiriazit, që shënon abetaren e parë të hartuar nga një femër, “Abetare për shkollat e para” (Manastir 1909) e deri tek abetaret e De Radës. Një vend të veçantë në këtë ekspozitë i dedikohet edhe Aleksandër Xhuvanit, që i la vendit si trashëgimi 11 abetare. Gjuhëtari shënon këtë vit edhe 140-vjetorin e lindjes.

Shumica e abetareve janë botuar jashtë vendit, në vende si Bukureshti, Stambolli, Firence, Napoli etj.

PËRPILIMI I ABETAREVE NDËR VITE

Abetaret e para shqiptare janë të përpiluara thjesht dhe kryesisht shoqërohen me stemën e flamurit kombëtar shqiptar. Pas viteve 1900, bashkë me faqet që bëhen më voluminoze, shtohen edhe ilustrimet. Ndërsa në vitet 1920 vihen re edhe kopertinat e para me ngjyra. E tillë është “Abetarja” e botuar nga Ministria e Arsimit në vitin 1927, “libri i klasës së parë” i shtypura nga shtëpia botuese “Luarasi” apo abetaret e Ndue Palucës për “shkollat popullore shqipe”. Kopertina me ilustrime shumëngjyrëshe janë edhe ato të dy botimeve të viteve 1942 në gegërisht dhe toskërisht, që mbyllin edhe rrugëtimin njëshekullor të abetareve të para, duke lënë të hapur, pse jo, mundësinë për një rivlerësim të punës së bërë, për ardhmërinë e brezave të rinj.

Margariti: Sfida për t’i qëndruar publikut pran; Misha: Në tetor vijmë me një ekspozitë të përmasave të mëdha

“Historia shekullore shqiptare për të formësuar dhe mbrojtur identitetin shqiptar kulturor është lidhur gjithmonë ngushtësisht me gjuhën shqipe. Përpjekja për pavarësi nuk do të kuptohej pa lëvrimin e gjuhës shqipe dhe është me të vërtetë e admirueshme se si një komb i vogël si yni ka arritur t’i shpëtojë asimilimit të gjuhës”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, vlerësoi përmes këtyre fjalëve nismën e Bibliotekës Kombëtare për promovimin e historisë dhe vlerave gjuhësore në ekspozitën simbolike, që gjen hapësirë në Muzeun Historik.

Ajo shtoi më tej se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme, Ministria po bën përpjekje të vazhdueshme për t’i qëndruar publikut pranë, jo vetëm përmes aktiviteteve të shfaqura online, por edhengjarjeve të tilla të mbajtura në kuadër të Muajit të Trashëgimisë. Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, vuri theksin te roli i institucionit që ai drejton si ruajtës dhe promovues i kujtesës kombëtare edhe përmes iniciativave të tilla. “Kjo është një ekspozitë me objekte konkrete.Fjalët kanë rol të veçantë për të kremtuar një histori, por kur shikon objekte të veçanta që mëshirojnë këto fjalë, është diçka krejt tjetër…”, u shpreh ai.

Misha më tej tha se Biblioteka është duke u përgatitur për të mbajtur një ekspozitë të përmasave të mëdha gjatë muajit tetor. “Problem kryesor në çdo bibliotekë kombëtare nuk është mbledhja e librave të sotëm, por ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë së krijuar në 100 vjet. Në Bibliotekën tonë ruhen jo vetëm vlera kombëtare, por edhe universale dhe shumica prej tyre janë krejtësisht të panjohura. Që Biblioteka Kombëtare të rifitojë emrin, ne duhet të bëjnë të njohura vlerat që ky institucion ofron, edhe përmes një sërë ekspozitash me tematika si literatura katolike, ajo bizantine, postbizantine, orientale, librat e udhëtimit etj.”, shtoi më tej, duke theksuar se edhe të huajt befasohen për pasurinë e BK-së, nisur nga librat e vjetër të Aristotelit, botimet e para në Europë, e të tjera të hershme në gjuhën arabe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura