Ekspozitë mbi aktivitetin e Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri në vitet 1919-1921

May 21, 2022 | 22:42
SHPËRNDAJE

Në qytetin e Shkodrës u hap të shtunën ekspozita me fotografi “Shpirti i Amerikës”, kushtuar mbështetjes që dhanë vullnetarët e Kryqit të Kuq Amerikan në shërbimin mjekësor shqiptar, strehimin e fëmijëve jetimë, ngritjen e shkollave dhe institucioneve të para humanitare në Shqipërinë e viteve 1919-1921. Kryqi i Kuq Amerikan nxiti dhe mbështeti krijimin në vitin 1921 të Kryqit të Kuq Shqiptar. Pjesa me e madhe e fotove të pasqyruara në ekspozitën “Shpirti i Amerikës” jane realizuar nga vullnetarët e Kryqit të Kuq Amerikan dhe ruhen në arkivin e Kongresit Amerikan.

ekspozite

Ekspozita me fotografi “Shpirti i Amerikës” u hap në qendër të qytetit të Shkodrës si pjesë e veprimtarive kushtuar 100 vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë.

Ekspozita është organizuar nga Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, kur 100 vite më parë, me mbështetjen e vullnetarëve të parë të Kryqit të Kuq Amerikan që erdhën në Shqipëri, u ngrit spitali civil i qytetit. Organizatori i ekspozitës, Pjerin Mirdita, thotë se misioni i parë i vullnetarëve të Kryqit të Kuq Amerikan arriti në Shqipëri në vitin 1919, në një periudhë të vështirë për popullsinë shqiptare pas kaosit të Luftës së Parë Botërore.

“Ishte misioni i parë, le të themi i huaj, që vinte në Shqipëri në ato vite pasi gjendja dihej si ishte. Në Shqipërinë e sapo dalë nga Lufta e Parë Botërore, gjendja ishte e mjerueshme, një gjendje faktikisht katastrofike përsa i përket gjendjes shëndetësore, por edhe asaj materiale. Njerëzit kishin probleme me urinë, me veshjet dhe me çdo aspekt të jetës së përditshme. Dhe misioni i Kryqit të Kuq Amerikan dha një ndihmesë të madhe duke sjellë staf të kualifikuar nga Amerika, me mjekë, infermierë dhe vullnetarë, të cilët ndihmuan shumë shoqërinë shqiptare”.

Fotot e paraqitura në ekspozitën “Shpirti i Amerikës” janë shkrepur nga vetë vullnetarët e Kryqit të Kuq Amerikan dhe reporterët amerikanë që i shoqëronin gjatë udhëtimeve që ato ndërmorrën në shumë qytete, kryesisht në veri të Shqipërisë, ku edhe gjendja ekonomike dhe shëndetësore e banorëve ishte më e rënduar. Fotot dëshmojnë jo vetëm situatën e rëndë mes popullsisë shqiptare, por edhe punën e vullnetarëve amerikanë për ngritjen e dispanserive të para, vizitat mjekësore, shpërndarjen e ndihmave humanitare, ngritjen e shkollave dhe qendrave shëndetësore për fëmijët shqiptar.

Duke parë gjendjen e popullsisë shqiptare dhe nevojën fëmijëve për arsim, Kryqi i Kuq Amerikan mblodhi fonde në SHBA për të ngritur shkolla në zonat e thella të vendit, një prej të cilave ishte edhe shkolla e Thethit, e hapur ne vitin 1920 me mbështetjen e Kryqit të Kuq Amerikan.

“Fotografitë janë të shkrepura nga fotografë të kohës, të cilët raportonin për situatën në Shqipëri dhe ishin pjesë e misionit të Kryqit të Kuq Amerikan. Këto fotografi janë ruajtur për 100 vite në arkivin e bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington. Janë fotografi që dëshmojnë mirë, qartë, se cila ishte situata e Shqipërisë në ato vite”.

Gjendjen e popullsisë shqiptare në veri të Shqipërisë dhe veprimtarinë e vullnetarëve të parë të Kryqit të Kuq Amerikan e ka pasqyruar në librin e saj “Majat e Shalës” reporterja amerikane e këtij misioni, Rouz Lein./VOA

© Panorama.al

Te lidhura