Ekspozita përkujton viktimat dhe të mbijetuarit shqiptarë nga Mathausen

Jan 22, 2022 | 14:03
SHPËRNDAJE

Stafi i DMO Albania në bashkëpunim me historianin Dorian Koci punuan për 2 vite për të dokumentuar fatin e Shqiptarëve që u arrestuan nga nazistët në operacionin e dimrit të viteve ’43-’44 dhe më pas u dërguan në kampet e përqëndrimit para se të çlirohej Shqipëria. 

Fotot-e-disa-prej-te-mbijetuarve-shqiptare-nga-kampi-famekeq-i-Mathausen

Prej 427 vetave, emrat e të cilëve janë gdhendur në pllakën përkujtimore të viktimave të kampeve të përqëndrimit, u kthyen gjallë në Shqipëri vetëm 23 prej tyre.

”Për viktimat dhe familjarët e tyre, njohja e vuajtjeve është po aq e rëndësishme sa kompensimi financiar apo dënimi i fajtorëve”, shprehet Eva Kushova, drejtuese e projektit nga DMO Albania.

”Për Shqipërinë kjo pjesë e historisë ka qenë e patreguar më parë. Ata meritojnë t’u njihen vuajtjet.  Ka patur 1-2 intervista me të mbijetuar, por asnjëherë nuk janë mbledhur faktet historike në një studim të vetëm”, shtoi Kushova.

Në kohën e pushtimin gjerman në Shqipëri, rreth viteve 1943-1944 disa prej zaptuesve nazistë arrestuan një numër shqiptarësh që ishin pjesë e grupeve partizane apo që ndihmuan në luftën nacional-clirimtare, dukë i mbajtur të izoluar e më pas duke i dërguar në kampin famëkeq të Austrisë, Mathausen, ku ata vuajtën për 19 muaj.

DMO-organizoi-nje-ekspozite-ne-perkujtim-te-viktimave-dhe-te-te-mbijetuarve-nga-kampi-Mathausen-ne-Austri

Projekti i Organizatës për Menaxhimin e Destinacioneve (DMO Albania) u krijua me qëllimin e mundësive arsimore për brezat e rinj për të njohur këtë pjesë te historisë, dhe u financua prej fondacionit EVZ me seli në Berlin.

Si pjesë e projektit, stafi i DMO fillimisht organizoi një vizitë nga afër për të parë kampin famëkeq të Mathausen ku 427 shqiptarë përjetuan horroret e regjimit nazist të asaj kohe.

Projekti kulminoi në një ekspozitë multimediale, me fotografi, dokumentar dhe histori personale të tetë personave të mbijetuar prej kampit famëkeq, të rrëfyer sipas familjarëve të tyre.

Ilustrime-te-te-burgosurve-ne-kampet-e-perqendrimit-2

Kushova i tha BIRN se ekspozita është vetëm një nga hapat, pasi ata synojnë që të punohet dhe me kurrikulat shkollore për t’i përfshirë këto fakte në lëndën e historisë.

“Edhe një vend si Shqipëria u gjend përballë kesaj murtaje. Është e rëndësishme të njihen këto histori në mënyrë që mos të ketë më diktaturë në të ardhmen”, u shpreh historian Dorian Koci.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun për 10 ditë, duke filluar që prej datës 21 Janar pranë Muzeut Historik Kombëtar./BIRN
Ilustrime-te-te-burgosurve-ne-kampet-e-perqendrimit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura