Ekspozita për piktorin Ibrahim Kodra në Lihtenshtajn/ “Ndodhi në një kohë të veçantë të pandemisë”-Masha Pacolli rrëfen detajet: Dashuria dhe kultura mund të fitojnë gjithçka

Jul 26, 2020 | 14:50
SHPËRNDAJE

Çelja në Muzeun Kombëtar të Lihtënshtajn e një ekspozite homazh për Ibrahim Kodrën më 1 korrik, ka shënjuar udhëtimin artistik të piktorit. Njëherit ka qenë një rinisje e  jetës kulturore, pas javësh mbylljeje. Masha Pacolli, drejtoresha artistike e Fondacionit “Ibrahim Kodra” rrëfen detajet.

“Ka ndodhur në një kohë të veçantë të pandemisë. Menduam se do ishte gjithçka e bllokuar por më pas vendosën ta hapin. Ishte një shenjë e bukur, si thyerje e Lock Down. Vumë forcat tona për të bërë katalogun dhe për t’u koordinuar me muze të ndryshëm, edhe atë të Vatikanit. Homazh sepse na u kërkuan 20 vepra për të treguar udhëtimin e tij artistik që nga shkolla deri në veprën e fundit”.

Një homazh për artistin shqiptar në Lihtënshtajn, ka një domethënie të veçantë.

Është një vend i vogël por me rëndësi diplomatike dhe kulturore. Ka po ashtu rëndësi njerëzore sepse ata kanë pritur familje kosovare gjatë krizës ushtarake e të refugjatëve dhe është ky raport human. Por, ata kanë çelur edhe ekspozitën e rëndësishme “Besa” dhe kjo ekspozetë me Ibrahim Kodrën, është një shenjë e mirë miqësie.

Masha Pacolli, është bashkëshortja e politikanit nga Kosova, Behgjet Pacolli, që është edhe filli lidhës mes saj, kulturës, e botës shqiptare. Ndaj kur pyetet se sa e ka ndihmuar i shoqi, ajo përgjigjet:

Shumë, që nga mësimi i gjuhës. Leksionet e para të gramatikës i kam filluar me tim shoq e më pas kam nisur të lexoj libra në shqip për të kuptuar finesën e gjuhës. Për fat të keq nuk kam mundur ende ta mësoj si duhet, por më pëlqen gjuha, më pëlqejnë këngët sidomos ato të Nexhmije Pagarushës.

Çdo mendim paraprak për Mashën, thyhet që në bisedën e parë. Raporti i ruses me Shqipërinë e shqiptarët, është ai një atdheu të dytë, që rreket të promovojë jashtë vendit dhe ku vjen për të kaluar pushimet. Këtë verë, ajo është në resortin Prestigj në Durrës, jo larg për Ishmit të Kodrës.

Për mua është një kënaqësi të jem këtu, në vendin ku ka jetuar Ibrahim Kodra. Është vërtetë gëzim, të shohësh gjithë këtë bukuri që ai e ka përjetësuar në vepra, sepse, kjo dashuri për jetën, bashkon kulturën në kuadrot e tij. Unë vij nga një familje artistësh. Im atë ishte piktor dhe unë jam rritur duke parë se si lind një pikturë. Dhe gjithë dashurinë e krijimit të një vepre, e kam gjetur te pikturat e Ibrahim Kodrës.

Veprat e të atit dhe veprat e Kodrës, ngjanin në stil dhe kjo lidhje e saj me pikturën e Kodrën, nuk janë të rastësishme. Masha ka studiuar psikologji arti dhe është rritur duke parë vuajtjet e një artisti që kërkonte lirinë.

Po, im atë është dënuar për këtë. Sepse gjatë komunizmit, ishte e ndaluar  të kopjoje Pikason, impresionizmin a kubizmin. Ai kishte studiuar në Akademinë e Arteve në Leningrad dhe ishte përjashtuar për këtë. U kthye ne Kursk, dhe ka punuar në televizion e  teatër dhe vetëm më vonë, asi së bashku me nënën dhe me ne tre fëmijët, u kthye në Leningrad. Leningradi është një qytet i veçantë sepse të kultivon dashurinë për artin e arkitekturën. Dhe kjo bukuri të hap këndvështrimin dhe mendësinë dhe ke dëshirë më pas të zbulosh kultura të reja që nuk kanë kufij.

Dhe me qasjen kurioze të një vajze artisti që ia ka kushtuar punën e saj artit, ajo shquan në vendin tonë, një kulturë të gjerë që pasqyrohet në art e që mund të shërbejë si  pasaporte.   

Shqipëria është vend i bukur, plot me kulturë, arkitekturë, arkeologji dhe poezi. Artisti është gjithnjë i lirë, një mendimtar i lirë ndaj nuk mund të limitohen mendimet e tij. Sepse artisti me mendimet e tij mund të bëhet ambasador i kulturës vendëse, siç janë bërë Ismail Kadare apo Ibrahim Kodra.

Në këtë rrjedhë, ajo po përpiqet t’i japë jetë dëshirave të kahershme të Kodrës, përmes projektesh të tashme.

Ne ndjekim testamentin e Ibrahim Kodrës për të mbështetur artistët e rinj, ndaj kemi projekte të ndryshme në Europë së bashke me institucionet kosovare e shqiptare. Tani kemi një projekt me Ministrinë e Kulturës për t’ju dhënë një mundësi të rinjve, të studiojnë të zhvillojnë personalitetin e tyre artistik, sepse çdo vepër e Kodrës përfaqëson një histori dhe është një mundësi kërkimi.  Ne kemi bërë projektin Cita Nuova me arkitektë të rinj në Kosovë dhe me vajza nga fshati SOS dhe me muzeun Kombëtar që e kemi çuar ne Venecia dhe më pas  5 studente nga Kosova kanë shkuar për të bërë praktikën.

Duke marrë si shkas atë që u bë në Kosovë, një projekt i ngjashëm po diskutohet edhe me Shqipërinë.

Duam të bëjmë  edhe këtu një pikë referimi, një qendër kulturore, me një muze të Kodrës,  dhe me kampe verore ku edhe fëmijët nga diaspora për shembull, të mund të vijnë, të studiojnë gjuhën shqipe, kulturën, muzikën. Së fundmi kemi vizituar Kepin e Rodonit që ishte një vend i mrekullueshëm, i bukur dhe magjik, me kishën kushtuar familjes së Skënderbeut, dhe me kështjellën. Dhe kam menduar që do të ishte mirë të bashkëpunonim dhe ta bëjmë aty kampin veror për fëmijët.

Në një takim me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti është biseduar për këtë, por jo vetëm. Masha Pacolli mendon se kampi veror do ta bëjë kulturën një urë lidhëse pa kufij, si fillesë e të cilit është vepra e Kodrës me të cilin kujton njohjen.

Falë bashkëshortit tim që më ka prezantuar me mikun e tij në Milano. Më bëri përshtypje menjëherë, më goditi, ishte vërtetë një personazh. Jo veç poet e filozof e sportist, po është një piktor i madh sepse secila vepër e tij është një poezi vizive, ku gjen blunë e detit, gjelbërimin e malit, që ai e reflekton në shumë vepra, si më e fundit e tij “Lugano fantastike”.

Por një grua ruse mes shqiptarëve që kujdeset për kulturën shqiptare, është disi e rrallë në një areal marrëdhëniesh ndonjëherë të tensionuara duke marrë shkas nga deklaratat ruse për Kosovën ose vetë gjeopolitikat. Dhe Masha, është gjithnjë në mes.

Unë mendoj se tani, ne duhet të shohim në të ardhmen. E shkuara na mëson se çfarë gabimesh nuk duhet të bëjmë dhe duhet të shohim me pozitivitet për të ndërtuar diçka të qëndrueshme për të ardhmen. Edhe një raport, duhet të ketë një lloj kultivimi. Kultura është jashtë politikës. Një artist, një shkrimtar, një kompozitor mund të bëhet ambasador i vendit të vet dhe i mirëpritur kudo. Kjo bëhet si diplomaci kulturore. Si  një soft power.

Mes shumëçkaje që mund të ndajë dy popuj a dy vende, si politika, ajo ka gjetur dhe operon me dy mënyra me te cilat, mund të jemi bashkë, dashurinë dhe artin.     

Po, akti familjar është një bashkim, por edhe të zbuluarit e kulturës së tjetrit, është një lloj pasurie shpirtërore. Duke njohur kulturën shqiptare, sepse unë jam kurioze, kam mësuar më shumë mbi arkeologjinë dhe historinë e vendit dhe kam kuptuar edhe mentalitetin. Edhe më fëmijët, për të mësuar më mirë gjuhën, i vëmë të dëgjojnë përralla në shqip e përmes tyre, mësojnë gjuhen, mëson mentalitetin dhe filozofinë e popullit. Fëmijët e adhurojnë, kanë një kanal në youtube vetëm me përralla shqiptare.

Mbi këtë filozofi qetësie dhe uniteti ajo ka kaluar edhe zhurmën që shoqëroi shpalljen e të shoqit president, ku jo pak zëra, ishin pikërisht për bashkëshorten ruse të tij.   

Kur je në familje, je e mbrojtur si në një kështjellë, e rëndësishme është si je brenda. Gjërat e jashtme mund të jenë shqetësuese por ti mund të përqendrohesh te gjërat e brendshme. Zbulon kulturën e tjetrit, gjen respektin dhe kaq është. Edhe vete kuzhina është një lloj kultivimi. Edhe mënyra si bëhet kafeja në Kosovë, është e mbrojtur nga Unesco. Unë mendoj se edhe pitja e flija është një lloj kulture. Ka edhe të përbashkëta mes nesh, nëna e Roita Orës, Vera, flet rusisht mire dhe më pas unë kam mësuar se ajo ka studiuar psikologji në Moskë.

Atëherë, si zonjë e parë, Masha Pacolli qëndroi shumë e tërhequr, siç kishte qëndruar më herët dhe siç qëndroi më pas.  Në fakt, kjo tërheqje është pjesë e natyrës së saj, timide dhe të thjeshtë.

Nuk më pëlqen të përgjigjem, më pëlqen të komunikoj, të vëzhgoj e të studioj. Po, nga natyra jam timide por në komunikim, kur flas me dikë, zbuloj një tjetër univers.

Si ruse mes shqiptarëve, ajo, nuk është e para. Masha, i ka njohur historitë e grave ruse që u martuan me shqiptarë në komunizëm. Ajo di, se shumica prej atyre grave u detyruan të lënë Shqipërinë. Por mes gjithë atyre historive, atë e magjeps sidomos njëra.

Unë di një histori magjepsëse që më ka goditur shumë, di historinë e nënës dhe babait të Inva Mulës, ajo pianiste ruse e ai kompozitor shqiptar. Kanë jetuar këtu në kohë të vështira. Kur ju kanë thënë se duhet të ndahen, që ajo duhet të kthehej në Rusi, babai i Inves ka luftuar për dashurinë e tij. Dhe dashuria fitoi e rezultati i saj është kjo artiste e mrekullueshme, që përfaqëson bashkimin e dy kulturave. Kjo të bën të mendosh se dashuria dhe kultura mund të fitojnë gjithçka, edhe kohën.

Mesazhi i Mashës, është i qartë.  Kultura dhe dashuria mund të fitojnë, ndaj edhe ajo, ecën në gjurmët e ruseve të tjera që si ajo, e deshën më herët Shqipërinë.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura