Shumica janë rrugica apo porta karakteristike të Durrësit, kënde intime të qytetit, të cilat piktorja Emjona Stasi i ka sjellë përmes ngjyrave të ëmbla dhe të qeta në ekspozitën e saj të pikturës, të çelur disa ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Janë 127 punime, të punuara kryesisht në vaj dhe në pastel, të përzgjedhura në tetë vite krijimtari, që piktorja i prezanton para publikut.
“Më pëlqen shumë të sjell këto rrugica, këto lagje a shtëpi karakteristike. Kanë një ngrohtësi tjetër, që nuk e gjen në ndërtimet e shumta, betonizimin e pafund. Këto rrugica më japin ngrohtësi, më japin mundësi, që të përjetësoj në njëfarë mënyre disa momente tepër të veçanta dhe që janë në zhdukje e sipër”, shprehet Stasi, ndërsa pohon se përgjithësisht i pëlqen të përdorë ngjyrën e kultivuar, ngjyra “që nuk gërthasin, harmonike e që krijojnë një lloj qetësie”.
Kjo është ekspozita e parë në Tiranë e Emjona Stasit, pas tri ekspozitave të tjera, dy në qytetin e Durrësit dhe një në Kaliforni, SHBA.
Nga vajzat në klub, te djali me violinë
Ngacmimet që merr për punët e saj janë nga më të ndryshmet. Në punime gjen peizazhe nga e gjithë hapësira shqiptare, jo vetëm Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia, atje ku piktorja ka lëvizur dhe ka marrë “emocione të bukura nga peizazhi i bukur”.
Por është interesante të shihet se në ç’mënyrë zë vend në krijimet e saj figura femërore.
E parë në momente të veçanta psikologjike apo në joshjen e vet të bukur, motivi femëror mund të jetë shumë mirë shpjegues i psikologjisë së artistes.
I tillë është punimi për tri vajza në klub, të cilat janë parë në një moment argëtimi, por që “në fakt më shumë meditojnë”.
“Janë në një klub, por ndjehen si të parealizuara”. Secila prej vajzave shfaqet e përhumbur në botën e vet shpirtërore. Dy vajza në botën e vet dhe e treta, pakëz më e mënjanuar, e vetme para gotës me pije. “Në këtë kompozim shprehet pak a shumë se si rinia e sheh veten, sa e gjen veten në këtë mjedis, sa aktive dhe sa e lumtur është me jetën që bën”, komenton piktorja Stasi.
Një tjetër pikturë është djali me violinë, ku artistja ka marrë shkas nga një moment kur ky fëmijë, që studion për violinë, po pushon pak dhe tërhiqet nga bota jashtë, ku fëmijët e tjerë luajnë. Ajo bën fjalë për dyzimin midis dëshirës për të qenë ndryshe apo si të tjerët.
Vajza me kitarë është një tjetër punë që përcjell muzikalitet dhe elegancë në mënyrën e qëndrimit të kësaj vajze, një moment lirik i këndshëm. Ndërkohë që ajo paraqet edhe imazhe femërore me kostume të trevave të ndryshme shqiptare, si një vajzë me kostum popullor nga Mitrovica dhe një tjetër vajzë me kostum e motive popullore nga Prizreni, punë të realizuara prej artistes me kolonitë e ndryshme të piktorëve ku ka marrë pjesë, si në Ardenicë, Valbonë, Fier, Korçë etj.
Emjona Stasi-sinjifikim i qetësisë e harmonisë koloristike
Piktura, ky profesion i vjetër dhe fëminor i njeriut, vazhdon të jetojë si aftësi e tij, si produkt i çlirimit të figurave të brendshme që e mundojnë, si ndjesi emocionale e mbijetesës së përditshme dhe si fenomen i lartë estetik në filozofi.
Emjona e ka qartësuar tashmë qëndrimin e saj artistik, i cili lidhet ngushtësisht me pasionin për t’u shprehur në parimet e impresionizmit të ri, i cili, në Shqipëri, i ka rrënjët e veta në krijimtarinë impresioniste, që Mio i trashëgoi kulturës sonë. Piktorja Stasi trashëgon dashurinë për natyrën, për botën, si banesa jonë e madhe, adhurimin për ngjyrat dhe vullnetin për dëshmi figurative. Ajo vlerëson figurativisht dhe mban një qëndrim të ri komunikimi me rrënjët tona të artit të fillimit të shek. XX, gjë e cila më jep entuziazmin ta quaj “Mioniana e Durrësit”.
Suzana Varvarica Kuka, studiuese arti
BLERINA GOCE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al