Eksplozivi te farmacia e babait të Tahirit, pse u lirua nga burgu Emirjon Gjuta

Feb 14, 2016 | 8:40
SHPËRNDAJE

Prokuroria dhe Gjykata detyrohen të lirojnë nga burgu Emirjon Gjutën, njërin nga personat e akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Saimir Tahirit.

emirjon gjuta

Prokuroria dhe Gjykata detyrohen të lirojnë nga burgu Emirjon Gjutën, njërin nga personat e akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Saimir Tahirit.

I riu që mbahej në paraburgim prej më se një viti, ka lënë qelinë ditën e djeshme pas një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj shtetasit Emirjon Gjuta, duke urdhëruar kështu lirimin e menjëhershëm nga qelia. Burimet nga hetimi i çështjes kanë thënë se afati ligjor i mbajtjes në burg të Emirjon Gjutës kishte kaluar.

Megjithatë, përveç Prokurorisë, kanë qenë edhe avokatët e tij që kanë njoftuar gjykatën për tejkalimin e afatit 1-vjeçar të mbajtjes në burg të Emirjon Gjutës.

Ai u arrestua pikërisht një vit më parë, më 13 shkurt 2015, fillimisht me akuzën e “pengimit në zbardhjen e të vërtetës”. Emirjon Gjuta ishte i pari person që u zbulua pas shpërthimit të eksplozivit te farmacia e Bashkim Tahirit, në afërsi të QSUT-së. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk pranoi blerjen e kartës dhe të telefonit që ishte përdorur për aktivizimin e lëndës plasëse.

Për këtë arsye ai u akuzua fillimisht për pengim në zbulimin e së vërtetës, por më pas prokuroria avancoi me hetimet dhe urdhëroi arrestimin e Emirjon Gjutës me akuzën për bashkëpunim në vendosjen e tritolit.

HETIMET

Vendoja e eksplozivit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dyshohet se është organizuar nga Vladimir Gjuta, i afërm i Emirjon Gjutës. Të dyshuar nga Prokuroria në të njëjtin procedim penal janë Emirjon Gjuta (i liruar dje nga paraburgimi), Lumjan Matmuja, Kamber Bruka dhe Erjon Dule. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “vepra për qëllime terroriste”, “krijim i grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Prokuroria ka deklaruar se disa prej provave me të cilat e bazon akuzën e ndaj tyre, janë numrat e telefonit që kanë përdorur të dyshuarit, si dhe lëvizjet e tyre në Tiranë më 10 shkurt 2015, natën e shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit.

Prokuroria ka pretenduar se shpërthimi në fjalë ka ardhur pas disa përplasjeve që Vladimir Gjuta ka pasur me policinë në vitet 2014- 2015. Prokuroria e Krimeve të Rënda i akuzon të pandehurit se kanë pasur detyra të ndara në kryerjen e shpërthimit të tritolit më 10 shkurt 2015, në farmacinë e Bashkim Tahirit.

Sipas akuzës, Emirjon Gjuta ka siguruar aparatin celular dhe numrat përkatës (kartat SIM), që janë përdorur më pas nga anëtarët e tjerë të grupit që kanë marrë pjesë në ngjarje.

SHPËRTHIMI

Pas shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit, më 10 shkurt 2015 në Tiranë, policia shpalli në kërkim Vladimir Gjutën. Ai u arrestua në qershor të vitit që shkoi. Natën e vendosjes së tritolit te farmacia e babait të ministrit pranë QSUT-së, policia gjeti edhe një pako shpërthyese te stacioni i autobusëve të unazës, në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Policia theksoi se vendi ku ishte lënë lënda plasëse ishte pranë makinës së parkuar të Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura