Eksplozivi në policinë e Fushë- Krujës u hodh nga një makinë, sekuestrohen pamje filmike

Mar 6, 2014 | 17:38
SHPËRNDAJE

Komisariati i Policisë së Fushë-Krujës

UPDATE- Lënda plasëse që shpërtheu pak ditë më parë në postën e policisë së Fushë Krujës dyshohet se është hedhur nga një makinë tip Benz 190.

Ky fakt duket nga pamjet e kamerave të sigurisë të cilat prokuroria e Krimeve të Rënda i ka sekuestruar në një biznes privat që ndodhet pranë rajonit të policisë, pasi një nga kamerat e vëzhgimit ka pasur fushëpamje në zonën ku ka lëvizur mjeti i dyshuar.

Hetuesit kanë thënë se pamjet e kamerave nuk janë shumë cilësore, ndërkohe që edhe terreni ku ka lëvizur makina ka qenë në errësirë. Për këtë arsye, ka qenë e pamundur për hetuesit që të saktësojnë targat e mjetit nga i cili dyshohet se është hedhur bomba.

Hetimet për shpërthimin në stacionin policor të Fushë Krujës janë orientuar në pistën e një akti terrorist, ndërkohë që policia po vazhdon verifikimin e personave të dyshuar.

Patrulla të policisë janë porositur që të “krehin” zonën me qëllim verifikimin e gjithë automjeteve të ngjashme me atë nga i cili mendohet se është hedhur lënda plasëse.

Në një hark kohor të shkurtër në postën policore të Fushë Krujës janë regjistruar dy shpërthime me lëndë plasëse.  I pari është regjistruar më 20 janar, ndërsa një tjetër në ditët e para të marsit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura