Eksplozivi me telekomandë/ Familja 15 vite gjyqeve, fieraku kishte trashëguar…

Apr 23, 2018 | 8:53
SHPËRNDAJE

Atentat me eksploziv, merr dëme të rënda 38-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së shtunës në qendrën e qytetit të Fierit, ku shënjestër e shpërthimit të telekomanduar ishte Ervin Memo.

bd55b3e5-91e9-41fa-bd04-4f46f0f9eece

Eksplozivi ishte vendosur në makinën tip “Benz”, të cilën i riu nuk e përdorte, por e kishte nxjerrë në shitje. Memo pasi kishte pirë kafe me miqtë e tij, shkoi për të ndezur makinën që e kishte parkuar në mënyrë që të mos i binte bateria.

Në momentin që 38-vjeçari hipën në makinë, ndodhi shpërthimi i fuqishëm që, sipas hetuesve, është shkaktuar me telekomandim. Policia bën të ditur se i riu e mbante të parkuar makinën e shpërthyer në të nëjtin vend prej më shumë se 3 muajsh me një tabelë “shitet”.

IMG-20180421-WA0013

Për ta mbajtur mjetin në punë dhe për ta ruajtur nga defektet e mospërdorimit, Memo shkonte dhe e ndizte shpeshherë, siç edhe ndodhi të shtunën rreth orës 22:55. Nga shpërthimi, makina është shkrumbuar e gjitha, ndërsa u desh ndërhyrja e zjarrfikëses dhe Policisë që i riu të nxirrej nga mjeti.

Me ndihmën e tyre, 38-vjeçari Memo arriti të ecte në këmbë drejt ambulancës. Kjo është konsideruar si mrekulli nga dhjetëra kureshtarë të mbledhur aty si dhe familjarë të djalit, të cilët e kanë shoqëruar me duartrokitje të shumta gjithë ngjarjen si të ishte një garë sportive. Nga hetimet e Policisë dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve përreth, nuk është pikasur asnjë person i dyshuar që mund të ketë lidhje me vendosjen e eksplozivit.

Duke parë rrethanat, dyshohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar, pasi makina tip “Benz” me targa AA 270 IV nuk lëvizte prej kohësh nga vendi ku ishte parkuar. Pista kryesore e hetimit lidhet me konfliktet pronësore që familja e 38-vjeçarit ka prej vitesh. Ajo ka qenë palë në disa procese gjyqësore për prona të trashëguara në qytetin e Fierit. Vetë Ervini ishte i pamartuar dhe nuk ishte i punësuar.

Ai ka qenë i vetëpunësuar, pasi shumë toka e ara i kishte kthyer në vreshta nga të cilat kishte pasur sukses. Burime nga Policia bëjnë me dije se, i riu ka trashëguar nga gjyshërit e tij një sipërfaqe të madhe toke. Por për të njëjtën pronë duket se kanë pasur përherë pretendime edhe disa të afërm të tij. Kjo ka bërë që prej më shumë se 15 vite, familja Memo të ishte pjesë e shumë gjyqeve për pronësinë e tokës.

“Në datën 21.04.2018, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Grecallisë’ ka shpërthyer mjeti tip ‘Benz’ me drejtues shtetasin E.M., 38 vjeç, banues në Fier. Gjatë kohës së shpërthimit mjeti ka qenë i parkuar dhe drejtuesi i tij sapo kishte hipur në mjet. Paraprakisht dyshohet se mjetit i është vendosur lëndë plasëse eksploziv. Drejtuesi i mjetit ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën”, bëhet e ditur nga Policia.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura