Eksploziv dhe armë, si i trafikonin në Greqi municionet 16 të arrestuarit

May 22, 2016 | 9:37
SHPËRNDAJE

Një arsenal i vërtetë armësh të rënda dhe municioni u sekuestruan dje në orët e para të mëngjesit gjatë operacionit “Moglica” kundër trafikut të materialeve ushtarake.


Moglica, sekuestrim rekord arsenali armesh by gazeta-panorama

Në polici janë shoqëruar gjithsej 16 veta, por dy prej tyre, nga Korça, janë arrestuar me akuzën e trafikimit të armëve dhe municionit.

Linja e goditur dyshohet se kryente trafikim armësh brenda vendit, duke shitur te persona të ndryshëm të interesuar në rrethe të tjera.

Por pjesa më problematike e veprimtarisë së personave të arrestuar dyshohet se ka qenë trafikimi i armëve drejt Greqisë apo edhe Maqedonisë.

Dyshimet kryesore për destinacionin e armëve janë në këto dy shtete fqinje me Shqipërinë, ndonëse zyrtarisht policia thotë se po heton për destinacionin final të arsenalit të sekuestruar.

Mes armëve të kapura, veç sasisë së madhe të eksplozivit, ka edhe granatë-hedhës, predha kundërajrore, mekanizëm mitralozi të rëndë etj.

Lloji i armatimeve të rënda si predhat kundërajrore, apo sasitë e mëdha të tritolit që zotëronte grupi në fjalë, kanë tërhequr vëmendjen e policisë, e cila në bashkëpunim me prokurorinë ka nisur hetimet me qëllim eliminimin e kësaj linje të trafikut të armëve.

Një pjesë e municionit e armëve të sekuestruara ishin porositur nga një agjent i infiltruar i policisë, kurse pjesa tjetër u gjet në banesat e të dyshuarve dhe përreth vendbanimeve të këtyre personave.

personave.

OPERACIONI

Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muça, tha në një deklaratë për median se hetimi për këtë rast kishte nisur prej muajsh bashkë me Prokurorinë e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, personat e arrestuar janë shtetasit Adil Mersinllari, 42 vjeç, lindur e banues në Korçë dhe Bledar Muçollari, 32 vjeç, por nga Korça.

Aksioni i Policisë së Tiranës, siç thanë burimet zyrtare, është kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës dhe në përfundim të hetimit disamujor është arritur të dokumentohet aktiviteti kriminal i trafikut të armëve.

Sipas Policisë, prova kryesore për të dyshuarit janë mbledhur përmes teknikave speciale të hetimit që kanë hedhur dritë mbi veprimtarinë kriminale të shtetasve Adil Mersinllari dhe Bledar Muçollari. Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armë të rënda, lëndë plasëse dhe municione luftarake.

KONTROLLET

Zyrtarët e policisë thanë dje se gjatë operacionit është ushtruar kontroll në 24 banesa të personave të dyshuar dhe janë shoqëruar në drejtoritë respektive Tiranë dhe Korçë mbi 16 persona.

Sipas Policisë, në lidhje me ngjarjen po vazhdojnë hetimet për persona te tjerë të dyshuar, lidhje të subjekteve të arrestuar që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

“Gjithashtu, së bashku me Prokurorinë e Tiranës po hetohet mënyra e gjetjes dhe destinacioni final për këtë sasi armatimi të sekuestruar”, kanë thënë burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit.

AKUZAT

Referuar hetimeve të kryera prej disa muajsh, policia ka thënë se ka referuar në Prokurori dosjen penale ndaj të arrestuarve edhe për akuzën e trafikut të armëve.

“Materialet procedurale në ngarkim të dy personave janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale ‘prodhim dhe mbajtje pa leje i armëve luftarake dhe i municioneve’ dhe ‘trafikim i armëve dhe i municioneve'”, kanë thënë burimet e Policisë së Shtetit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura