Ekspertiza për Teatrin/ PD: Përgjigja e Komisionit Europian u dha qytetarëve dhe opozitës fitoren e parë

Sep 10, 2018 | 15:53
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike e cilëson një fitore të opozitës dhe qytetareve përgjigjen e Komisionit Europian lidhur me ligjin e Teatrit Kombëtar.

Komisioni Europian vlerëson se ligji për Teatrin Kombëtar nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por i sugjeron qeverisë që ligji të amendohet nga Parlamenti, duke hapur garën dhe duke ftuar aktorë të tjerë të interesuar.

Tabaku

Nga selia blu, deputetja demokrate Jorida Tabaku, deklaroi se “Komisioni Europian ka rrëzuar zyrtarisht ligjin Special ‘Rama Fusha’ për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave me paratë e drogës dhe korrupsionit, si një ligj korruptiv dhe kientelist. Qeveria e mbajti të fshehur për 4 ditë letrën  e Komisionit Europian me qëllim manipulimin e opinionit publik, por përgjigja e Brukselit është e qartë: Qeveria ka shkelur ligjin! Përgjigja e Komisionit Europian qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore. Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurencës. Patëm të drejtë edhe kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe klient preferencial, si ‘Fusha shpk’”.

“Prandaj dhe qeveria, shtoi Tabaku, shpiku ligjin “FUSHA: për t’i grabitur tokën Teatrit Kombëtar dhe për t’ia dhuruar atë kësaj kompanie me qëllim ndërtimin e kullave me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit.

Siç edhe vërehet në letrën që erdhi si përgjigje e këmbënguljes së opozitës, qeveria dhe bashkia kanë shkelur me dy këmbë procedurat e prokurimit të hapur, duke mos mohuar për asnjë moment ndihmën e qeverisë për kompaninë “Fusha”, nëpërmjet dhurimit të tokës publike.

Por, sikundër edhe letra artikulon qartësisht, Komisioni Europian nuk mund të jetë një institucion gjykues për saktësinë e ligjit në fjalë në raport me Kushtetutën e vendit.

Për një veprim të tillë është përgjegjëse Gjykata Kushtetuese, e cila mbahet sot e bllokuar nga mazhoranca pikërisht për të prodhuar ligje si Ligji Fusha dhe për të kënaqur orekset e oligarkëve apo pastruar paratë e kriminelëve dhe pushtetarëve.

Partia Demokratike zotohet se do të luftojë deri në sekondën e fundit për ta rrëzuar një herë e mirë ligjin dhe megafaerën korruptive kriminale të grabitjes dhe shkatërrimit të Teatrit Kombëtar për të pastruar paratë e pista të drogës

Përgjigja e Komisionit Europian u dha qytetarëve dhe opozitës fitoren  e parë.

Mesazhi është i qartë: të bashkuar ne mund ta ndalim të keqen dhe ta rrëzojmë atë”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura