Ekspertiza, Bashkia e Tiranës falsifikoi gjobën për PD-në

Jan 25, 2016 | 15:16
SHPËRNDAJE

Policia shkencore ka përfunduar ekzaminimin e kërkuar në lidhje me fletën e gjobës së Bashkisë Tiranë ndaj Partisë Demokratike për dëmet e shkaktuara gjatë protestës se 8 dhjetorit 2015.

Gjoba qe Bashkia i ka vene PD-se
Gjoba qe Bashkia i ka vene PD-se

Sipas përfundimit të arritur, fleta e gjobës ka nënshkrimin e Besmir Karajt, policit bashkiak, por plotësimi i saj nuk është bërë nga ky efektiv pasi shkrimi nuk është i tij.

Nuk dihet ende se kush e ka plotësuar gjobën në fjalë, ndërsa polici bashkiak Besmir Karaj ka theksuar se firma në fund të fletës është hedhur kohë më parë pasi është praktikë pune që fletët e bllokut të gjobave firmosen nga polici bashkiak dhe mbahen të firmosura ndërsa plotësimi i pjesës tjetër të fletës bëhet gjatë procesit të punës në vazhdimësi.

Pritet që në ditët e ardhshme prokuroria të thërrasë për të rimarrë në pyetje policin Besmir Karaj dhe punonjës të tjerë të Bashkisë për të sqaruar situatën.

Besmir Karaj duke bere kallezimin ne Prokurori
Besmir Karaj duke bere kallezimin ne Prokurori

Polici bashkiak ka pretenduar në kallëzimin e bërë në Prokurori më 10 dhjetor 2015 se më 8 dhjetor eprori i tij ia ka kërkuar bllokun e gjobave dhe më pas nuk di asgjë çfarë ka ndodhur derisa në media ka parë emrin e tij në fletën e gjobës së adresuar PD-së.

Vetë kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka marrë përsipër vlefshmërinë e gjobës duke thënë se ajo nuk ka qenë e falsifikuar. Madje Veliaj deklaroi se nuk do të mbyllë mandatin në Bashki pa ia marrë gjobën PD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura