Ekspertiza angleze nuk jep zgjidhje për audio-përgjimin: Zërat e Agronit dhe Alizotit të ngjashëm me…

Oct 9, 2018 | 14:00
SHPËRNDAJE

Ekspertes britanike që analizoi materialin audio të përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, do t’i duhej një cilësi më e mirë e të folurës së personit që pretendohet se ishte shtetasi Agron (Geron) Xhafaj për të dhënë një konkluzion të qartë nëse ka qenë i përfshirë në bisedën me shtetasin Albert Veliu, të njohur ndryshe si “Babalja”.

“Panorama” ka siguruar ekskluzivisht akt-ekspertizën e Prokurorisë për dosjen “Babalja”, ku edhe përcaktohet si joorigjinal materiali i paraqitur në media. Në dokumentin e siguruar nga “Panorama” sqarohet se kompania që ka realizuar ekspertimin teknik të audio-përgjimit të “Babales” është kompania “JP French Associates” në Britaninë e Madhe. Sipas kësaj akt-ekspertize regjistrimet nuk janë origjinale, por ajo që e bën të dyshimtë këtë konstatim është fakti që në fjalinë pasardhëse të kompanisë “JP French Associates” theksohet se materiali që i është vënë në dispozicion është një regjistrim video që është marrë nga pamjet e mediave dhe joorigjinal. Sipas përgjimeve, që janë kryer në numrat telefonikë të Fredi Alizotit, Albert Veliut dhe disa personave të tjerë më të cilët këta komunikonin, bëhet e qartë biseda rreth inskenimit të audio-përgjimit. Ka qenë Alizoti ai që pranon në disa biseda se rolin e Agron Xhafajt në përgjim e ka luajtur ai dhe se i janë premtuar 100 mijë euro për këtë rol. Madje, në disa biseda, ai tregon se ato para nuk i ka marrë, por Veliu, sipas tij, ka marrë 70 mijë euro përpara se të nisej për në Kosovë. Në përgjime janë edhe dy biseda interesante mes tij dhe “Babales”, ku Alizoti i kërkon atij që të kërkojë shumën e premtuar. Gjithashtu, interesant është fakti se ka qenë Alizoti që nuk ka duruar më dhe ka telefonuar në Policinë e Fierit, duke treguar gjithçka, përpara se të drejtohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka folur për audio-përgjimin dhe se si u realizua ai.
pergjimi i vellait te xhafajt

EKSPERTIMI TEKNIK I AUDIO-PËRGJIMIT

Është vendosur kryerja e ekspertimit teknik, duke caktuar si ekspert, ekspertët britanikë të kompanisë “JP French Associates”, i është kërkuar ekspertit t’u përgjigjet këtyre pyetjeve:

-Në materialin 1) objekt të ekspertimit-audio-video ka prerje, mbivendosje, montazhe apo ndërhyrje të çfarëdolloj tjetër me qëllim ndryshimin e përmbajtjes së materialit? Nëse po, ku konsistojnë ato?

-A ka vlera identifikuese materiali objekt ekspertimi për krahasim me persona konkretë?

-Personi i emërtuar – bashkëpunëtori X- në objektin e ekspertimit – a është shtetasi ALBERT VELIU?

-Personi i emërtuar -Agron-në objektin e ekspertimit, a është shtetasi GERON (AGRON) XHAFAJ?

-Personi i emërtuar- Agron-në objektin e ekspertimit, a është shtetasi AGRON HYSENI

-Personi i emërtuar-Agron-në objektin e ekspertimit, a është shtetasi FREDI ALIZOTI

Akti i ekspertimit ka konkluduar:

-Regjistrimet nuk janë regjistrime origjinale. Regjistrimi video ishte marrë nga pamjet e mediave. Ajo përbëhej nga dy video, shkrim dhe dy biseda të regjistruara. Këto dy biseda janë fokusi i analizës së ekspertes. Nuk ka qenë në gjendje të marrë regjistrimet origjinale të këtyre bisedave.

Biseda e parë: Biseda e parë ndodh në minutën 1 e 4 sekonda të kohës së videos dhe zgjat për 14 sekonda. Ajo duket të jetë një pjesë e një thirrjeje telefonike dhe folësit janë emërtuar “Bashkëpunëtori” dhe “Agroni”, megjithatë vetëm e folura që i atribuohet “Bashkëpunëtorit” është e dëgjueshme (e kapshme) dhe për këtë arsye ekspertja ka ekzaminuar “Bashkëpunëtori”, po jo “Agroni” nga kjo bisedë.

Biseda e dytë: Regjistrimi i dytë, i cili është një bisedë e bërë ballë për ballë, ndodh në minutën 1 e 25 sekonda të kohës së videos. Ajo zgjat 1 minutë dhe 46 sekonda. Përsëri, ajo është një bisedë midis burrit të quajtur “Bashkëpunëtori” dhe “Agroni”. Në këtë regjistrim e folura nga të dy palët është e dëgjueshme (e kapshme). Ndërsa shumica e bisedës është midis “Agroni” dhe “Bashkëpunëtori” ka shenja (të dhëna) që në sfond është edhe zëri i një burri të tretë. Regjistrimi nuk e përmban bisedën e plotë. Nuk ka hapje të bisedës apo përshëndetje, gjëra të cilat për dikë janë të pritshme, si fillim kur palët takohen. Biseda vetë është shumë e shkurtër dhe gjithashtu shfaqen ndryshime shumë të papritura, sa i takon temave të bisedës.

audio-

Dy janë shpjegimet e mundshme: a) regjistrimi është një pjesë/pjesë të mbledhura nga një regjistrim më i gjatë, ose b) vetëm një pjesë e bisedës është regjistruar.

-Gjendet mbështetje e fortë në qëndrimin se folësi në fjalë i emërtuar “Bashkëpunëtori” në bisedën e parë është Albert Veliu;

-Gjendet mbështetje e fortë e moderuar në qëndrimin se folësi në fjalë i emërtuar “Bashkëpunëtori” në bisedën e dytë në fjalë është Albert Veliu;

-Gjendet mbështetje e fortë në qëndrimin se folësi në fjalë i emërtuar “Agroni”; në bisedën e dytë në fjalë nuk është Agron Hyseni. Vërehen ndryshime të rëndësishme forensike midis zërit të “Agroni” dhe atij të z.Hyseni.

-Kampioni i bisedës në regjistrimin “Agroni” në bisedën e dytë, objekt ekspertimi, nuk është i përshtatshëm për të arritur në konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj. Kampioni i ligjëratës (të folurit) në “Agroni” nuk është i mjaftueshëm (adekuat) për të arritur në konkluzion (pozitiv apo negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj. Kampioni “Agroni” është i një cilësie shumë të dobët.

babale-2

Arsyeja pse ekspertja ishte në gjendje të arrinte në një konkluzion negativ për z.Hyseni në lidhje me atë, lidhej me faktin se ai dhe “Agroni” kishin shumë dukshëm zëra të ndryshëm. Kjo nuk ishte kështu në lidhje si me z. Alizoti ashtu edhe z.Xhafaj. Ata janë zëra të ngjashëm si me njëri-tjetrin ashtu edhe me “Agroni”, të paktën për sa ky i fundit mund të analizohet. Ekspertes do i duhej një regjistrim i një cilësie më të mirë të të folurës së “Agroni” për të arritur në një konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj.

Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura