Eksperti tregon dinamikën, kush ishte shkaku i aksidentit vdekjeprurës në Maminas

Feb 23, 2018 | 23:00
SHPËRNDAJE

DURRES- “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor i mori jetën Eleni Abdillarit dhe taksistit Bujar Agalliu, 60 vjeç, që po e dërgonte atë nga Durrësi në Tiranë mesnatën e kaluar”. Në këtë përfundim paraprak kanë dalë ekspertët e hetimit të ngjarjes, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër që shkaktoi aksidentin është shpallur në kërkim nga Policia.

Një prej ekspertëve që shkuan në vendin e aksidentit, F. T., tha se shkak për aksidentin me dy të vdekur janë bërë disa faktorë që nga shpejtësia, me të cilin lëvizte mjeti tip “Benz” deri te lagështira në rrugë dhe mungesa e ndriçimit.

aksidenti1

Mund të na tregoni rreth dinamikës së aksidentit?

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Maminasit pranë një karburanti. Taksia e drejtuar nga Bujar Agalliu po lëvizte në korsinë e shpejtësisë me rreth 80 km në orë, ndërsa makina tjetër me drejtues ende të paidentifikuar me shpejtë si me mbi 150/ km. “Benz”-i i ka kërkuar parakalim dhe taksisti ka tentuar të hapi krahun. Në momentin që taksia i ka hapur krahun pjesërisht, drejtuesi i “Benz”-it, që po vinte me shpejtësi mendoi se mund të kalonte në ngushticën e krijuar. Por nuk ishte kështu. Ai nuk është futur dot ndërmjet bordurës dhe taksisë (sepse ishte vend i ngushte, plus edhe shpejtësia) dhe për pasojë ka goditur taksinë në pjesën e majtë të prapakolpit. Këtu ka ndodhur përplasja e parë.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Si pasojë e goditjes, taksia del nga rruga në gjendje të lirë duke ecur mbrapsht nga goditja që mori. Pasi ka ecur për më shumë se 50 metra, marmita kapi në trotuar dhe u ngrit në ajër duke u përplasur me reklamën e karburanti dhe u batua. Në këtë moment, taksisti dhe pasagjerja gjetën vdekjen e menjëhershme.

aksidenti2

Po makina tjetër ku kishte përfunduar?

Makina tjetër u gjet e braktisur disa metra më tutje. Kur shkuam pranë, gjetëm disa njolla gjaku në sediljen e shoferit që dyshojmë se drejtuesi është dëmtuar nga përplasja dhe dy thasët e shpëtimit të hapur.

Drejtuesi, për arsye ende të paqarta, e braktisi makinën pas aksidentit. Konstatuam që makina ishte në emër të shtetasit Dardan Gjeka.

aksidenti

Taksistët: Rrugët e amortizuara, ne nuk kemi asnjë garanci për jetën

DURRES- Në vendin e taksive, ku Bujar Agalliu u nis pak para mesnatës së të mërkurës me pasagjeren 23vjeçare, dje qëndronin të shokuar kolegët e tyre. Ata nuk dinë të fajësojnë tjetër veçse autostradës TiranëDurrës, e amortizuar së tepërmi.

“E kemi pasur koleg, jemi shokuar nga ngjarja. Kemi super probleme me rrugën Durrës-Tiranë. Sidomos krahu i djathtë, korsia është shumë e amortizuar. Ka shumë gropa, prandaj është shumë e rrezikshme. Duhet të vënë dorë patjetër”, u shpreh njëri prej taksistëve. Edhe kolegë të tjerë të tij shprehen se janë të detyruar të ecin thuajse gjatë të gjithë rrugës në korsinë e shpejtësisë kur kanë rrugë për në autostradë.

“E mora vesh nëpërmjet mediave. Faji është i rrugëve, që janë bërë skandal. Dëmtohet kamioni, jo vetura. Këto gjëra in fluencojnë tek aksidentet dhe humbjet e jetëve”, shprehet më tej një tjetër taksist.

Sipas tij, 60- vjeçari Agalliu ishte shofer i vjetër dhe me përvojë.

“Unë them se jo vetëm amortizimi, por edhe mungesa e sinjalistikës së rrugëve është shkak. Të na ruajë Zoti, sepse s’ke siguri fare. Duke iu shmangur gropës, mund të përplasesh me makinën tjetër. Jo të gjithë kanë përvojën e duhur. S’kemi fare garanci”, vijoi më tej taksisti, teksa shprehu keqardhjen e tij për kolegun, që humbi jetën në mënyrë tragjike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura