Eksperti ndërkombëtar i biznesit, leksion te “Luarasi”

Oct 20, 2018 | 9:03
SHPËRNDAJE

Që në javën e parë të vitit të ri akademik, Universiteti “Luarasi” ka sjellë në auditorë një nga ekspertët më të mirë të biznesit ndërkombëtar, për të ndarë me studentët shembullin e tij të suksesit.

lu

Bëhet fjalë për profesorin amerikan, që punon në universitetin kanadez “California State University”, Scot Sorell, i cili në një leksion të hapur iu tregoi të rinjve çelësin e suksesit për të qenë një ekspert i aftë biznesi në të ardhmen e afërt.

“Jam Scot Sorell dhe në botën e biznesit njihem si ‘zotëria që ngarkon çmimet më të larta’. Sepse unë iu bëj konsulencë kompanive se si të vendosin çmime të larta dhe në fund klientët të ngelen të kënaqur dhe të thonë faleminderit. Gjithashtu, unë jam profesor në “California State University”, në të cilin ka 40 mijë studentë dhe unë jap mësim në Marketing”.

Sorell është një nga konsulentët më të mirë në shumë kompani biznesi, me përvoja dhe praktika akademike të shkëlqyera. Ai nuk kurseu përshtypjet pozitive të krijuara pas kontaktit të parë me universitetin dhe studentët e tij, duke e cilësuar një universitet madhështor e me të rinj entuziastë.

lua1

 

“U impresionova nga ky universitet, nga godina, nga pastërtia dhe më bëri përshtypje pasi është i ndritshëm dhe i mbajtur në kushte shumë të mira. Është një universitet madhështor me studentë të mrekullueshëm, që na pritën me buzëqeshje. Edhe stafi pedagogjik më mirëpriti dhe nuk kisha ndjesinë sikur isha në një shkollë, por u ndjeva më shumë pjesë e një familjeje. Jam në Universitetin “Luarasi”, pasi dëshiroj të ndaj dijet e mia, njohuritë e mia dhe dashurinë time me studentët. Unë i dua studentët dhe dëshiroj të kem impakt në jetët e tyre për të bërë ndryshime të mëdha dhe jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe në zemrat e tyre. Kur dëgjova që këtu ka shumë studentë që kanë nevojë të dëgjojnë një mesazh të mirë rreth marketingut, biznesit dhe jetës, isha i emocionuar dhe i gatshëm për ta bërë këtë”, tha Sorell.

Për shefen e Departamentit të Administrim -Biznesit në “Luarasi”, dr.shk. Aelita Mani, kjo praktikë leksionesh të hapura është kthyer tashmë në traditë, si një formë e mirëfilltë praktike, ku studentët e ekonomikut trajnohen që tani për tregun e punës. “Këtë praktikë e kemi eksperimentuar edhe më parë, duke sjellë biznesin pranë studentëve tanë dhe madje edhe studentët i kemi çuar te biznesi për të bërë detyra dhe projekte konkrete, për të mësuar që në fillim, për të përputhur njohuritë me praktikën, por kjo është një formë e mësimdhënies ku studentët përgatiten për të qenë konsulentë biznesi. Është fat i madh për studentët e “Luarasit”, që profesorë të tillë na nderojnë dhe pranojnë të japin gjithë përvojën e tyre akademike dhe praktike nga biznesi dhe akademia”. Përmes leksioneve të hapura, “Luarasi” ruan pozicionin e tij elitar në arsimin e lartë duke sjellë përvojën më të mirë ndërkombëtare pranë studentëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura