Ekspertët te “Luarasi” për reformën: Ja çfarë ndryshon

Nov 20, 2015 | 14:04
SHPËRNDAJE

Edhe studentët e Universitetit “Luarasi” e thonë fjalën e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi. Në kuadër të konsultimeve për ndryshimet kushtetuese, grupi i ekspertëve të huaj dhe vendës u ndal dje në universitetin lider në fushën e Drejtësisë, “Luarasi”. Pedagogë e studentë të këtij universiteti zhvilluan një bashkëbisedim, duke shprehur rezervat e mendimin e tyre mbi paketën e ndryshimeve, çka do të reflektohen më vonë në dokumentin final.

Ekspertët gjatë prezantimit të Draft-Kushtetutës dje te Universiteti “Luarasi”
Ekspertët gjatë prezantimit të Draft-Kushtetutës dje te Universiteti “Luarasi”

Draft-Kushtetuta u prezantua nga përfaqësuesi i Misionit EURALIUS, Richard Regner, i cili e vlerësoi atë si një version të konsoliduar bazuar mbi parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës e profesionalizmit. Pjesë e panelit ishte edhe prof.as dr. Sokol Sadushi, bashkëkryetar i grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, sipas të cilit këshillat e Komisionit të Venecias kanë orientuar hartimin e Draft-Kushtetutës.

Ajo çka u theksua në çdo arsyetim të neneve të ndryshuara ishte synimi për të shmangur politizimin në emërimin e gjyqtarëve, për të rritur transparencën në zgjedhjen e tyre, si dhe krijimin e një sistemi llogaridhënës. Në fund të prezantimeve, fjalën e kishin studentët të cilët u përqendruan në tematikat e prezantuara gjatë konsultimit, duke pyetur por edhe bërë propozimet e tyre se si duhet reformuar sistemi i Drejtësisë.

PROPOZIMET

E gjithë puna e Komisionit të posaçëm u pasqyrua nga prof. as. dr Sokol Sadushi, i cili parashtroi ndryshimet kushtetuese që prekin dhe riformatojnë disa institucione me qëllim reformimin e Drejtësisë. E për këtë, duhej nisur nga Kushtetuta. “Kemi nevojë për një Gjyqësor të pavarur, eficient dhe llogaridhënës. Niveli i lartë i korrupsionit, niveli i ulët profesional i gjyqtarëve apo prokurorëve duhet të marrin zgjidhje. Vihet re që ka një mungesë cilësie dhe koherence në rregullimin kushtetues për sektorë të veçantë, ka ndikim të theksuar të politikës në drejtësi dhe që të gjitha këto kërkojnë ndërhyrje”, vuri në dukje Sadushi.

Duke pasur parasysh shqetësimet që kanë penguar në realizimin e drejtësisë, eksperti bëri të ditur ndërmarrjen e disa hapave që kanë si synim ndërtimin e një sistemi llogaridhënës dhe thyerjen e ndikimit politik në sistemin e Drejtësisë. Prof. as. dr. Sadushi nisi prezantimin me ndryshimet që do të pësojë institucioni i Presidencës, kompetencat e të cilit në Drejtësi do të ulen.

“Ne kemi një President me kompetenca shumë të forta, e cila është menduar të jetë një nga arsyet përse ndodhet në këtë pikë Drejtësia shqiptare. Në stadin që ndodhemi ne mendojmë që nëse ridimensionojmë kompetencat e Presidentit, duke zvogëluar rolin e tij në Drejtësi, formula aktuale mbetet e arsyeshme. Nëse nuk ndryshon raporti i Presidentit në raport me institucionet ku ka ndikim, atëherë mund të ketë problematika”.

Një tjetër ndryshim i prezantuar është emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që do të bëhet nga tri organe të pavarura, ndërsa kryetari do të zgjidhet nga anëtarët duke shmangur ndikimin politik e rritur transparencën. Ndërsa sa i takon prokurorisë, kërkohet të shkohet drejt një institucioni të pavarur, por me elemente decentralizues. KLD është i vetmi institucion që do të riorganizohet tërësisht, do të ndryshojë formati, numri, kompetencat, madje edhe emërtimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura