Ekspertët: Shpërthimi nga puset shkatërroi 67 shtëpi

Apr 21, 2015 | 19:33
SHPËRNDAJE

Pas gati 3 javësh dalin rezultatet e dëmeve që u shkaktuan nga shpërthimi i puseve të naftës në Marinëz të Fierit. Plot 67 shtëpi banimi kanë rezultuar të dëmtuara nga shpërthimi i fontanës, në fshatin Marinëz të Fierit.

Shperthimet ne Marinze

 Sipas burimeve nga komisioni i verifikimit të dëmeve, pasi u verifikua çdo banesë e godinë në fshat, u vu re që shumë shtëpi kishin dëme serioze. Komisioni ka bërë me dije se nga këto 67 banesa, 42 janë të dëmtuara më shumë dhe me rrezik të kenë pasoja në të ardhmen, pasi toka duket e paqëndrueshme. Për këtë arsye, komisioni i verifikimit të dëmeve ka kërkuar nga shteti që të merren masa të tjera për këto banesa. Ata kërkojnë që zonës t’i bëhet një studim gjeologjik dhe një tjetër hidroteknik, për të parë gjendjen në të cilën ndodhet nëntoka atje. “Duke pasur parasysh që shtëpitë janë dëmtuar më shumë se të tjerat, ne e pamë të arsyeshme të kërkojmë edhe një studim të specializuar mbi tokën në Marinëz.

Ne jemi këtu për të qëndruar në krah të qytetarëve, të cilët kanë shqetësim real dhe duam që të mos përsëriten gjithmonë të njëjtat situata për ta”, ka thënë prefekti i qarkut Fier, Xhevit Bushaj. Sipas tij, studimi gjeo dhe hidroteknik do të specifikonte nëse toka është e qëndrueshme dhe e mundshme për banim apo jo. Nëse do të vërtetohet që toka ka vakum dhe nuk mund të japë siguri për vitet e ardhshme, qeverisë do t’i kërkohet që këto familje të mos dëmshpërblehen vetë për plasaritjet apo dëmet e shtëpive, por t’u sigurohet një banesë larg fshatit.

Por kjo do të ndodhë gjithmonë pasi të bëhen studimet përkatëse, të cilat pritet të nisin në muajin maj. Ndërkohë lidhur me shpërthimin në Marinëz edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani ka thënë se zyra e tij do të nisë hetime të pavarura për llogari të saj dhe pa ndikime nga institucionet e tjera. Bashkë me këto hetime, shkon në katër numri i hetimeve mbi rastin e shpërthimeve të fundit. Së pari Policia, më vonë Prokuroria, për të vijuar më tej me një hetim të vetë kompanisë “Bankers” dhe tani Avokati i Popullit. Pas ngjarjes, Ministria e Ekonomisë pezulloi punën e kompanisë “Bankers” në zonën ku ndodhi shpërthimi, duke e cilësuar fajtore, meqenëse nuk kishte bërë studimin mbi historikun e puseve. Ndërsa ekspertët po merren me verifikimet për banorët, jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi është paralizuar i gjithë aktiviteti i tyre social.

Ngjarja që i tronditi më rëndë se çdo herë banorët pranë zonës naftëmbajtëse të Marinzës, ndodhi mëngjesin e 1 prillit. Si pasojë e ndërhyrjeve në puset e kësaj zone, u provokuan dy fontana që shpërthyen, duke shkaktuar ndotje me gaz, naftë e ujë. Nga tronditja u krijuan çarje të tokës në fshat dhe shtëpi të dëmtuara. Banorët kërkuan që kompania të largohet një herë e mirë ose shteti t’u ndërtojë apartamente në distancë nga kjo zonë.

NGA MAJLINDA RAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura