Ekspertët mjeko-ligjorë lënë në burg gjyqtarin Shkëlqim Mirin: Është me tumor, por…

Dec 30, 2017 | 9:00
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjyqtari i arrestuar për korrupsion, Shkëlqim Miri, do të qëndrojë në masë sigurie arrest me burg edhe për fundvitin.

shkelqim miri

Ditën e djeshme u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seanca për vlerësimin e shkallës së sëmundjes së gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri. Ky i fundit ka deklaruar se vuan nga një tumor në kokë dhe ka kërkuar një masë sigurimi më të butë.

Por, megjithatë, ekspertët kanë dalë në përfundimin se masa e sigurisë nuk i rrezikon jetën. Dy mjekët ligjorë kanë lexuar raportin përfundimtar ditën e djeshme, në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura, ku ndër të tjera, kanë theksuar se gjyqtari vërtet vuan nga një tumor në kokë.

Por, sipas tyre, masa e sigurisë nuk i rrezikon jetën. Në këtë mënyrë, gjyqtari do të vijojë të kurohet në spital civil më të njëjtën masë sigurie. Seanca e djeshme erdhi pas shtyrjes së seancës paraardhëse, të një jave më parë, pasi ekspertët e Mjekë- sisë Ligjore kërkuan më shumë kohë për ekzaminimet. Hetimet për gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Mirin, mësohet se kanë nisur në janar të këtij viti, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po kryenin manovra për t’i dhënë liri të akuzuarit për dy vrasje, Gentian Dodës.

Në muajin maj, Alban Buçi dhe Kujtim Miri dyshohen se janë takuar disa herë për të negociuar lidhur me pagesën që do të kryhej te gjyqtari, i cili në Apel do të votonte pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit për Gentian Dodën. Kështu, sipas hetimeve, Buçi dyshohet se ka dorëzuar paratë te Kujtim Miri, i afërmi i gjyqtarit dhe më pas ka njoftuar Gentian Dodën për kryerjen e transaksionit. Takimet janë bërë në Fushë-Krujë, qytet prej nga cili është edhe gjyqtari Miri. Pagesa dyshohet se ka qenë 20 mijë euro në këmbim të votës pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit.

Prokuroria ka si prova kamerat e sigurisë së lokalit ku është kryer takimi mes sekserëve, si edhe SMS-të që ka shkëmbyer Buçi me Gentian Dodës, për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, pozita e gjyqtarit rëndohet shumë, pasi në një kontroll në banesën e tij, Policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme lekësh, dollarësh dhe eurosh, që në total shkojnë rreth 33 milionë lekë të rinj.

Kjo pasuri nuk i afrohet aspak asaj që ka deklaruar gjyqtari, e cila është afërsisht 3 milionë lekë të rinj. Edhe nëse gjyqtari shpallet i pafajshëm për akuzën e parë, atë të korrupsionit, ai rrezikon të dënohet për akuzën tjetër, atë të fshehjes së të ardhurave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura